Ditën e sotme janë bërë publike pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së aeroportit "Nënë Tereza", ku tregohet arrestimi i Marion Mitros, teksa tentonte të largohej jashtë vendit. Policia sqaroi se Mitro është porositësi i lëndës eksplozive të vendosur në makinën e prefektit të Vlorës.
"Policia ka mundur të arrestojë në aeroportin "Nënë Tereza", shtetasin Marion Mitro, teksa tentonte të largohej jashtë vendit. Policia e kishte nën mbikëqyrje Mitron dhe ka ndërhyrë në momentin e duhur për ta ndaluar atë. Ky shtetas dyshohet se është porositësi i lëndës eksplozive që u vendos në automjetin e Prefektit të Vlorës në datë 13 dhjetor 2013 dhe që u zbulua në hyrje të godinës së Kryeministrisë",- deklaroi Drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa.
42-vjeçari mendohet se shërbente si nyje lidhëse mes biznesmenëve dhe vrasësit Julian Sinanaj, ka qenë njëri nga vartësit e kryebashkiakut Shpëtim Gjika.
Ky i fundit për disa vite e ka punësuar si inspektor në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Vendor të bashkisë Vlorë. Mitro ka qëndruar në marrëdhënie pune në bashkinë e Vlorës, deri para 6 muaj dhe më pas është larguar, për arsye ende të paqarta.
Mitor u pikas fillimisht nga sportelistja, e cila pasi ka futur të dhënat e pasaportës së tij në kompjuter ka pulsuar në ekran urdhri i ndalimit për të. Ai është dërguar me justifikimin e një verifikimi rutinë në zyrën e kryekontrollit në zonën e kontrollit të fundit para se të kalohet në tranzitin e aeroportit Nënë Tereza në Rinas.
Pamjet filmike tregojnë se këta efektivë shtesë dhe dy oficerë të tjerë shoqërojnë Mitron me pranga në duar, nga zona e kontrollit, jashtë terminalit, me destinacion komisariatin e Rinasit.