Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave rreth ligjit mbi nëpunësin civil është botuar sot në Fletoren Zyrtare. Gjykata e cilësoi antikushtetues Aktin Normativ të qeverisë për ligjin e Nëpunësit Civil, akt i cili kërkonte të shtynte me gjashtë muaj efektet e ligjit. Duke filluar nga dita e sotme, me publikimin në Fletoren Zyrtare, Akti Normativ quhet i shfuqizuar. Publikimi i këtij vendimi është shndërruar prej disa ditësh në objekt konflikti politik mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit akuzonte qeverinë se po e mbante peng publikimin, për të miratuar në Kuvend ndryshimet ligjore.
Në vendimin e publikuar sot në Fletoren Zyrtare citohet: “Në përfundim, Gjykata, vlerëson se, nisur nga natyra përjashtimore e kompetencës së Këshillit të Ministrave në nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit, në respekt të hierarkisë së burimeve të së drejtës, të kërkesave që burojnë nga parimi i ndarjes dhe balancimit midis pushteteve dhe vlerave mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës, para së gjithash, kufijtë e diskrecionalitetit që ka Qeveria, në vlerësimin e situatës së jashtëzakonshme dhe të nevojës urgjente, përcaktohen dhe i nënshtrohen kërkesave kushtetuese dhe kufizimeve përkatëse. Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka miratuar Kuvendi”.