Selanik
Një nga fituesit e edicionit të 50-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik është "Muajt e mjaltit" (Honeymoons), i pari produksion shqiptaro-serb me regji të Goran Paskaljevicit.
Dje ishte dita e fundit e festivalit dhe nata e çmimeve ku asnjë nga grupi i filmit nuk ishte i pranishëm për të tërhequr një çmim modest për nga shpërblimi financiar (3000 euro), por i rëndësishëm, sepse është vota që ka dhënë publiku për seksionin "Balkan Survey", aty ku merrte pjesë dhe filmi i ri "Lindje-Perëndim-Lindje" i Gjergj Xhuvanit.
Ky edicion i Thessaloniki International Film Festival 13-22 nëntor, pati për moto një pyetje "WHY CINEMA NOW?" që vetë festivali mundohet t'i japë një përgjigje me atë që i ofron publikut. Festivali i Selanikut është një tip festivali pa tapet të kuq, pa stars, por me shumë publik, jashtëzakonisht publik, të të gjitha moshave.
Tradita pesëdhjetëvjeçare ka bërë të vetën, por TIFF edhe sot e kësaj dite e teston publikun, sepse natyra e festivalit është në thelb e orientuar tek e reja, që do të thotë edhe tek e panjohura.
Veprat e seksionit konkurrim janë vepra të para apo të dyta të regjisorëve, që janë rishtarë në kinema. Kjo nuk do të thotë se ndaj një regjisori të njohur, edhe atëherë kur filmat e tij rivijnë për t'u rishfaqur, si në rastin e regjisorit serb Goran Paskaljevic, të cilit "Balkan Survey" i "pagoi haraç" këtë vit, publiku të sillet në një formë tjetër.
Më 19 nëntor, "Olympion", teatri i qytetit, i cili gjatë ditëve të festivalit shërben si kinema, ku dynden me qindra mijë njerëz (me biletë), ishte një spektakël i pritjes së spektatorit për të parë një film, i cili apriori bashkon dy vende me histori të gjatë në konflikt. Para projeksionit regjisorit iu dorëzua një Aleksandër i Artë për karrierën dhe kontributin e tij si humanist ballkanas i kinemasë.
Me fjalë të tjera, këtë rol e lakoi në ceremoni, edhe aktorja Mirjana Karanovic, e cila ishte anëtare e jurisë: "E përshëndes dhe e falënderoj këtë burrë jo vetëm për atë që i ka dhënë kinemasë, unë kam luajtur me të, po për kurajën. Në vendin tim, në Serbi, ka kaq pak njerëz që mund të thonë atë që Gorani thotë."
I vetmi përfaqësues i palës shqiptare ishte Xhevdet Ferri, kryetar i Qendrës Kombëtare kinematografike, i cili tha sa gjë e mirë është që ndodhi një bashkëprodhim kinematografik midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe e bukur që kjo ndodhi me një regjisor si Goran Paskaljevic.
Në skenë ishte edhe aktori protagonist i njërës prej linjave të filmit Nebojsa Milovanovic (Marko), të cilin e kemi parë edhe te "Fuçi baruti" dhe "Optimisti". Para premierës u shfaq një film 10 minuta, "Zoti Hrstka" Çekosllovaki, i vitit 1969, punë studentore e Paskaljevicit, portret naiv dhe komik i një njeriu përtac, mjeran, që i pëlqen vetja dhe u bën bisht edhe nevojave për të jetuar.
Zoti Hrstka" u shfaq në rendin e filmave të tjerë që bëjnë veprën komplete të Paskaljevicit: "Legjenda e Lapotit" 1972, "Roja e bregut në dimër" 1976, "Qeni që i ka qejf trenat" 1978, "Ditë që vijnë të kësaj bote" 1979, "Trajtim special" 1980, "Vera e rreme '68" 1984, "Engjëlli mbrojtës" 1987, "Koha e mrekullive" 1980, "Tango argentine" 1992, "Amerika e tjetërkujt" 1995, "Ëndrra e një nate dimri" 2004 etj.
"Muajt e mjaltit" me producentë Goran Paskaljevicin, Ilir Butkën, Nikola Djivanovicin, me skenar të Goran Paskaljevicit dhe Genc Përmetit, është po ai film për të cilin ka folur gjatë regjisori para realizimit dhe vlerësimet që ka marrë nga media e kritika në botë ku "Muajt e mjaltit" vazhdon të shfaqet.
Historitë paralele që këputen dhe ngjiten në pikat e tyre të zhvillimit, trajtohen si në disa vepra paraardhëse të Paskaljevicit. Këtë metodë të fragmentarizmit, ai e evokon nga filma të pesëdhjetë-gjashtëdhjetës të kinemasë italiane, konkretisht nga regjisor si De Sica.
Detaje të këtij lloji regjisori i komentoi gjatë masterclass-it që pati paraditen e 19 nëntorit, përballë një salle gjithashtu plot. Ai foli gjatë për spontanitetin në filmat e tij, që në njëfarë mënyre është reflektim i shpirtit të tij ballkanik që dhe nervozohet, tërbohet, shpërthen.
Goran Paskaljevic është vërtet ky që thotë me historitë, vendet, aktorët, për të cilët shkruan, atëherë kur i njeh mirë. Për këtë arsye linja serbe e historisë që ai rrëfen, është pa dyshim më e gjallë, më dinamike, aktorët janë në ansambël, dhe ajo që vjen si spontane nuk është ndërtuar aspak në mënyrë të tillë, ka një maturi të admirueshme.
Linja shqiptare, pjesa e parë e saj, është e avashtë, në histori hyhet menjëherë, por zhvillimi është i zvarritur, teksti është i thjeshtë, por i copëtuar. Kjo kushtëzon edhe lojën e aktorëve që në disa skena në kulmin e gjendjes së personazhit (Yllka Mujo, Bujar Lako, Jozef Shiroka), janë emocionues, në disa të tjera janë të zbehtë në raport me maskën dramatike.
Po ashtu skenat e dasmës janë të para: derr në hell, këngëtarët tallava, grykësia e trupit dhe e pares dhe boshësia e krizës, një mijë e një probleme pas dere.
Paskaljevic tenton të rrokë një tranzicioni total të të dy vendeve: Papunësi, familje të shkatërruara, njerëz të gjakut të armiqësuar, fqinjësi që përgjojnë jetën e tjetrit dhe jeta që i takon tjetrit duket barrë, klasa e re e të pasurve, dhuna ndaj të ngjashmit, shtet që nuk është shtet që nuk i përgjigjet qytetarit, po e përçmon dhe e dëbon, emigracioni, kufijtë dhe vizat, policia dhe qentë, etnitë dhe problemet dhe e fashitura që të rinj në udhëkryq i rizgjojnë dhe i bëjnë aktualitet për rrahje, vrasje. Paskaljevic e provokon këtë masë që vlon, por pa ndjerë atë temperaturë si te "Fuçi baruti".
"Muajt e mjaltit" që akoma nuk është shfaqur premierë në Shqipëri, i dha publikut grek atë që priste nga një regjisor ballkanas në opozitë me aksionet politike, Goran Paskaljevic.
Çmimet e Thessaloniki International Film Festival
Juria, e cila përbëhej nga Theo Angelopoulos (president) që shumë shpejt do ta kemi të ftuar në Tiranë, Lissy Bellaiche (Danimarkë), Mirjana Karanovic aktorja e njohur serbe, parë në filma të Kusturicës dhe Paskaljevicit, Eugenio Caballero (Meksikë), Lav Diaz (Filipine), Gyorgi Palfi (Hungari) dhe Amos Poe, (SHBA), dha mbrëmë Çmimet:
Filmi më i mirë - Golden Alexander (40.000 euro)
"Ajami" Scandar Copti & Yaron Shani (Izrael/Gjermani), 2009
Çmimi Special i Jurisë - Silver Alexander (25.000)
"Medalia de Onoare" (Medalja e nderit) Calin Netzer (Rumani) 2009
Regjia më e mirë
Rigoberto Perezcano për "Norteado" (Northless), (Meksikë/Spanjë), 2009
Skenari më i mirë
ex aequo ndërmjet Scandar Copti & Yaron Shani regjisorë të filmit "Ajami" dhe Tudor Voican, autori i "Medalja e nderit"
Aktorja më e mirë
Ruth Nirere në filmin "Le jour où Dieu est parti en voyage" (Ditën kur zoti u nis me pushime", i Philippe van Leeuw, (Belgjikë/Francë) 2009
Aktori më i mirë
Victor Rebengiuc në filmin rumun "Medalja e nderit"
Çmimi i karrierës
Sarameul Chatseumnida në filmin koreanojugor "I humburi" i Lee Seo
Çmim Special
Katharina Schüttler në filmin "Es kommt der Tag" (The Day Will Come) i Susanne Schneider, (Gjermani/Francë) 2009
FIPRESCI AWARDS
"Medalja e nderit" Calin Netzer
"O Diahiristis" (The building manager) Periklis Hoursoglou
Çmimi për Vlerat Humane (15.000 euro)
Ky çmim që jepet nga Hellenic Parliament TV Channel, iu akordua "Lebanon"
Samuel Maoz (Israel/Francë/Gjermani) 2009
FISCHER PUBLIC CHOICE AWARDS
Për një film në konkurim zyrtar (4.000 euro)
"Ajami" Scandar Copti & Yaron Shani
Për një film të seksionit Greek Films (4.000 euro)
"Bilboa" Sophia Papachristou
Për një film të seksionit "Balkan Survey" (3.000 euro)
"Honeymoons" Goran Paskaljevic
Gazeta Shekulli