Opera "Berberi i Seviljes", e Gioachino Rossinit, mbyll prezantimin për publikun shqiptar, për të vazhduar turneun në Itali, në tetor, nën regjinë e Milto Kutalit dhe dirigjimin e Ettore Papadiasit. Rossini e prezantoi këtë vepër përpara publikut italian në 1819-ën, periudhë gjatë së cilës Europa po njihte shndërrimin e shoqërisë baroke në atë moderne. Risitë kulturore dhe sociale të tetëqindtës pasqyrohen në operën “Berberi i Seviljes” nëpërmjet ambientit popullor, të thjeshtë dhe familjar. Problemet e personazheve nuk janë vetëm ato të heronjve klasikë që kthehen në tragjedi e fatalitet, por përfaqësojnë edhe të përditshmen e njerëzve të thjeshtë që luftojnë e jetojnë atë që fati u sjell, pa “idealizma”. Në rolin e kontit Almaviva interpreton solisti italian Raffaele Abate. I përzgjedhur nga audicionet e zhvilluara në qytetet italiane, i riu italian tregon për “Shekullin”, se si punon me rolin që i ngarkohet. Interpretuan në role solistë shqiptarë, italianë dhe bullgarë si: Saverio Sangiacomo (Don bartolo), tenori Raffaele Abete (Conte Almaviva), Ulpiana Aliaj (Rosina), Armando Likaj dhe (Figaro), etj.
Raffaele, si lindi bashkëpunimi për të interpetuar tek “Berberi i Seviljes”?
Unë kam marrë pjesë në një nga audicionet që u zhvilluan në Itali, të mundësuara nga mjeshtëri Ettore Papadia dhe nga organizatori Agron Xoxa. Nga audicionet që u zhvilluan në dhjetë vende të Italisë u zgjodha për të interpretuar rolin e kontit Almaviva.
E keni interpretuar më parë këtë rol?
Këtë rol e kam interpretuar dhe vitin e kaluar në “Teatrin e Operës” në Peskara, kështu që për mua ishte shumë e thjeshtë ta luaja përsëri dhe në Shqipëri.
Konti Almaviva në rol herë sillet si fëmijë, e herë si zotëri?
Konti Almaviva është një personazh i pasigurt në vetvete, nën profilin e një të dashuruari. Ai është një fëmijë nga njëra anë, dhe një zotëri i nderuar nga ana tjetër. Është një fëmijë kur luan me doktor Bartlon, dhe një zotëri kur ai konfliktohet me personazhet e tjerë. Pasiguria e tij shfaqet dhe në dashuri. Duke qenë një kont, ai është njeriu më i famshëm i “Seviljes”. Në jetën e tij ka pasur shumë gra, derisa një ditë vendos të martohet, por me kë do të martohet? Me atë që do ta dojë si njeri të thjeshtë, dhe jo si kont. Për këtë, ai vendos të shtiret si njeri i thjeshtë për të fituar zemrën e Rosinës. Këtu arrijmë të shikojmë kontin nga njëra anë si personazh aristokrat e të plotfuqishëm dhe nga ana tjetër, një djalosh që ka dëshirë të argëtohet...dhe nuk ka moshë të sillet si i rritur.
Sa e vështirë është për ju që, gjatë interpretimit të kaloni nga një personazh tek një tjetër?
Vështirësitë e kontit Almaviva? (Qesh). Vështirësitë më të mëdha janë në fillim, sepse aty shfaqen të gjitha pasiguritë e tij. Ai nuk e di nëse Rosina e do me të vërtetë, apo nëse do të përfundojë kjo histori. Ai vjen për ditë të tëra rrotull në ballkon, pa gjetur asnjë përgjigje. Derisa më vonë nis të gjej siguri qoftë në dashuri, qoftë si kont. Kështu në fillim, mendoj se ai është i pasigurt, por pak na pak fillon të ndërgjegjësohet për të konkretizuar aftësinë dhe forcën e tij, jo vetëm si burrë, por dhe si kont.
Pse mendoni se ky rol është i përshtatshëm për ju?
Unë mendoj se, ky rol është i përshtatshëm për mua meqenëse unë jam i ri dhe personazhi është i ri. Po ashtu, vokali i tij i përket asaj periudhe me të cilin zëri im përshtatet më së miri.
Çfarë mendimi keni për kolegët shqiptarë?
Në përgjithësi, keni një thesar të mirë zëri këtu në Shqipëri. Armando Likaj (Figaro), Ulpiana Aliaj (Rosina), gjithashtu dhe Ogert Islami (Fiorello) kanë zë shumë të mirë. Ata janë një premtim i mirë për të ardhmen e operas.
Si jeni bërë pjesë e botës së muzikës?
Që kur isha fëmijë, kam qenë i pasionuar pas muzikës. Kam pasur një edukim religjioz, të ndikuar nga tezja i m e sepse ajo është murgeshë. Kam nisur të këndoj në festat që bëheshin në kopsht, pastaj në shkollën fillore, por edhe në kishë me tezen time. Më vonë vendosa të ndjek studimet në konservatorin e muzikës, ndërsa tani jam duke kryer studimet të tjera në një nga “Akademinë e Arteve” në Milano.
Cili është roli juaj i preferuar ?
Unë preferoj rolet Rossiane, sepse janë më zbavitëset dhe zëri im u përshtatet më së miri.
Cili është raporti juaj me publikun?
Me publikun krijoj një raport personal, mundohem t’i vjedh zemrën. Këtë e bëj sa herë këndoj një arie apo një serenatë për Rosinën. Mundohem që kjo serenatë të jetë për të gjithë dhe jo vetëm për të.
Si është jeta e një artisti në Itali?
Më duhet të them se, jeta e një artisti kërkon sakrifica sepse duhet, në një farë mënyre, t’i nënshtrohesh një diete. Çlodhja është e kushtëzuar edhe për shkak të tensionit nga provat, apo për debutimin në skenë. Le të themi se, çdo artist e përjeton këtë sipas mënyrës së tij. Por unë, personalisht, arrij të jetoj shumë mirë pavarësisht këtyre.
Ku e gjeni motivacionin për të ecur para?
Në radhë të parë, tek satisfaksioni që të jep duartrokitja e publikut, pasi ke interpretuar. Në këto momente, janë edhe shumë arsye të tjera sepse jam duke studiuar me të gjitha forcat e mia që në të ardhmen të debutoj në teatro gjithnjë dhe më të rëndësishëm.
A keni ndonjë këngëtar lirik të preferuar, që e merrni si pikë referimi?
Ka këngëtarë lirikë të ndryshëm në opera të ndryshme. Kështu që, unë i admiroj thuajse të gjithë, por nuk krahasohem me asnjë. Më jep kënaqësi të dëgjoj të gjithë tenorët, në përgjithësi. Natyrisht, më të mirët si: Pavarottin, Krausin, etj..
Si e mendoni të ardhmen tuaj?
Të ardhmen time e shikoj të ndritur (qesh), por nuk po flas paraprakisht që të mos sjell fat të keq.
Kompozitori italian Gioachino Rossini (1792-1868) lindi në Pesaro. Konsiderohet një ndër kompozitorët më të mëdhenj të shekullit XIX. Familja e tij kishte origjinë të thjeshtë: i ati ishte mbështetës i zjarrtë i Revolucionit Francez dhe punonte si instrumentist në bandën e qytetit, ndërsa e ëma kishte lindur në Urbino dhe ishte këngëtare. Më pas në Bolonjë u regjistrua për kanto. Studioi në Liceun muzikor të Bolonjës dhe pasionohet mbas Haydn e Moxart. Operën e parë, “Demetri e Polibi”, Rossini e shkruan në vitin 1812. Njihet me këngëtaren lirike Isabella Colbran, më e madhe në moshë se ai, martohet me Colbran për t’u ndarë prej saj më 1830.
Brenda pak viteve, Rossini vë në skenë shumë kryevepra, duke dëshmuar një pjekuri artistike të parakohshme. Më 1823 shkoi në Londër e mandej në Paris, ku më 1829, edhe pse ishte në kulmin e suksesit, vendosi ta braktisë teatrin. Gjithsesi nuk i humbi lidhjet me muzikën. Shtëpia e tij në Paris u frekuentua si një nga qendrat artistike më të rëndësishme. Gioachino Rossini kompozoi 39 opera dhe shumë këngë