Puka ishte Atlantida e duhur!

Puka ishte Atlantida e duhur!
Si rrallë shkrimtarë botërorë, Migjeni ishte në diskordancë të papajtueshme me faktorin kohë, qoftë në aspektin rrëfimor, qoftë në aspektin jetësor dhe krijues. Ai është shkrimtari që nxiton, për të mos thënë rend, kur rrëfen ngjarjet dhe etydet analitike mbi psiko-sociumin e sjellë në optikën e vet krijuese. Në një tekst fare të shkurtër ky autor arrin të të përmallojë, të të përcjellë sakaq në imazhe të paharrueshme lirike, pastaj të të përplasë brenda pak çastesh të kohës numerike (jo vetëm leximore) me realitete krejt të tjera, të trishta, të hidhura, tragjike, sado që fatkeqësisht krejtekrejt reale.

Mjeshtëria e tij artistike zhvendoset me shpejtësi dhe shkathtësi të pashoqe nga ngarkesa ylberore e epiteteve metaforike, tek paradoksi, sarkazma dhe oksimoroni. E tillë ishte dhe jeta e tij; me prarime ëndrrash rinore që nuk iu bënë kurrë realitet (gjë për të cilën së fundi ishte dhe vetë i vetëdijshëm) dhe me humnera tragjike ku përplasej qenia e tij njerëzore duke e jetuar me “motus accelerationem” (lat. lëvizje të përshpejtuar) brenda pak vitesh gjithë jetën që ishte i dënuar të mos e jetonte dot. Në mesin e viteve ‘30 të shekullit të kaluar, Migjeni vjen si një maratonomak i humbjeve të shoqërisë shqiptare mu përpara portave të rënda të letërsisë shqipe, pothuaj bash si një vrapues unik në artin e tij dhe në jetë.

Ajme, ndaj Migjenit koha kishte vendosur të ishte tejet dorështrënguar dhe ai në këto kushte dukej e kishte kuptuar se s’i mbetej tjetër vetëm se ta sfidonte edhe vetë kohën duke rendur, duke pararendur dhe duke e tejkaluar atë. Me sa duket këtu mund të gjendet njëra nga arsyet (ndoshta kryesorja) e ritmit të shpejtë të prozës së tij, e thuktësisë dhe narracionit relativisht të limituar tek secila syresh. Ndonëse të shkurtra, novelëzat dhe skicat e këtij autori, zhvillohen në harmoni të plotë me logjikën estetike si produkt elitar letrar.

Gjatë leximit analitik, për një kritik letrar ndër të tjera vëmendja thellohet dhe në gjetjen e “hapësirave boshe”, të cilat për të janë po aq të padëshiruara, pothuaj si ato turbulencat e shkaktuara nga pakësimi i ajrit gjatë udhëtimit me avion. Këto “hapësira boshe” për një lexues të thjeshtë mbase edhe mund të mos vihen re, ose mund të vihen re disi, por nuk mund të përcaktohen. Por për një kritik letrar ato s’mund të kalojnë kurrsesi pa u vënë re në asnjë rast dhe gjithashtu pa u përcaktuar si përftesa fizike apo ideore në tekst. Nga ky fenomen vuajnë shpesh edhe letërsitë e mëdha, por sidomos vihen re si një dobësi karakteristike për autorët e rinj që janë ende të pamësuar dhe për më tepër kur gjakojnë të përfshijnë me metodën e tkurrjes ngjarje të mëdha kohore brenda një narracioni shumë të limituar.

Duke lexuar prozat e Migjenit nuk mund t’i gjesh këto boshllëqe. Ai është kujdesur vetë për gjithçka. Deri në detaje. Deri në imtësi. Migjeni është unik dhe i papërsëritshëm në gjithçka, madje deri tek shtresa tipike e formulimeve dhe e formacioneve fonetike tekstore. Vepra e tij është një polifoni harmonike vlerash estetike. Vepra e tij nuk të fton ta korrigjosh, për më tepër ta përmirësosh.

Përkundër këtyre vepra e Migjenit të fton vetëm ta arsyetosh dhe interpretosh. Përveç këtyre, prozat e Migjenit kanë aftësinë të veprojnë psikologjikisht mbi vetëdijen e receptuesit, duke e vënë në motus accelerationem dhe duke mbetur atje në kujtesën e tij si mbresa të pashlyeshme përgjithmonë. Padyshim kjo arritje shpjegohet me formimin e tij të shkëlyer me njohuri filologjike mbi shkencat humane, ndonëse ai, i dënuar siç ishte nga fati i tij i pafat, nuk arriti as të mbarojë një universitet - ëndërr të cilën e ruajti përgjatë gjithë viteve të fundit së bashku me ëndrrën e jetës, duke u shuar e fundit bashkë me të.

Në pothuaj të gjitha veprat madhore të letërsisë botërore gëlon debati i përhershëm konceptual midis parimeve të drejtësisë dhe padrejtësisë njerëzore, por tek Migjeni mund të themi se edhe në këtë aspekt ai mbetet përsëri unikal, qoftë për nga mënyra e këndvështrimit, qoftë për nga mënyra e konceptimit, qoftë për nga mënyra e parashtrimit. Kjo veçanësi vjen ngase para së gjithash çdo koncept dhe akt që bie ndesh me konceptin apo zhvillohet në përputhje me të, ai e vendos në shtresat specifike mentale shqiptare dhe në hapësirat e zymta specifike të një peizazhi krejtësisht shqiptar.

Kështu ai vendos pak nga pak në galerinë e imazheve të tij figura fëmijësh që vdesin larg syve të botës që s’pushon së mburruri për arritjet e saj, figura fëmijësh që druhen ngase mos këpucët e tyre të stërmëdha e të shqyera mund t’i shkaktojnë fatkeqësi edhe mësuesit të tyre, oksimorone me figura prostitutash shumë më të ndershme se sa vizitorët e tyre “sedërlinj” dhe mbi të gjitha tek të gjithë personazhet e tij bie në sy një dashuri e pashuar për jetë, për një jetë më të mirë e më të denjë të individit dhe sociumit, për një shpëtim nga kalbësia fizike dhe mentale në një realitet tejet armiqësor ndaj vetë qenies njerëzore.

Duke nënvizuar këtë ide, e cila mund të vërtetohet nga çdo qasje analitike serioze që mund t’i bëhet prozës së Migjenit, mund të konstatohet se ai nuk ishte vetëm shkrimtari dhe poeti i mjerimit me një akcent rrëfimor e ideor pesimist dhe nihilist, përkundër ai me optikën e tij ndaj realitetit mbetet tejet realist, historicist dhe logjik.

Në qoftë se vetë konteksti historik ofron një konotacion të tillë për receptuesit, atëherë studiuesit i mbetet të përpiqet që të vështrojë më në thellësi se çfarë dëshirojnë të shohin personazhet e Migjenit përtej këtij realiteti, për të përcaktuar dhe dëshmuar më qartë vizionin e vetë shkrimtarit ndaj së ardhmes dhe vetë jetës.

Libri i tij i vetëm në prozë “Novelëzat e qytetit të veriut”, është shkruar pjesërisht në vendlindjen e tij në Shkodër dhe pjesërisht në Pukë. Edhe ngjarjet, sipas kronotopeve të narracionit, ndonëse të pashënjuara me emrat e tyre me të cilët njihen botërisht, variojnë kryesisht në këto dy hapësira kaq të afërta gjeografike. Ndoshta gjasat që “qyteti i veriut”, i cili përmendet në titullin e këtij libri, janë të jetë më tepër vetë vendlindja e Migjenit, Shkodra, por unë ende nuk di pse vazhdoj të prirem nga mendimi se ai qytet nënkuptohet të jetë bash vetë Puka.

Ndonëse Puka asokohe ende nuk ishte mirëfilli një qytet - sidoqoftë ishte një qendër e vogël nënprefekture dhe kishte filluar të konturonte trajtat e një qyteti, por më tepër se kaq, më nxit të prirem drejt këtij përcaktimi vetë fakti se Migjeni kërkonte për të vënë në pah që në titull prirjet e tij drejt oksimoronit, paradoksin e qytetit që mungonte, por që ndërkohë kishte filluar të konsiderohej dhe konturohej pak nga pak si i tillë. Të shkruaje novela në Shkodër asokohe nuk përbënte ndonjë ngjarje të re për asnjeri.

Shkodra kishte qenë prej shekujsh pararojë e dijeve humane dhe e artit në Shqipëri dhe fatmirësisht asokohe ende vazhdonte të ishte e tillë. Por arti i Migjenit ishte lëndë krejt tjetër. Specifika e tij ishte të qenit ndryshe me gjithsej. Puka ishte Atlantida e duhur që edhe ekzistonte edhe nuk ekzistonte. Ekzistonte për Migjenin që shkoi atje dhe e pa nga afër bashkë me përmasat kozmike të dhimbjes së saj sociale, por ende nuk ekzistonte për denditë e salloneve të kamura të qyteteve të mëdha shqiptare ku sa vinte e bjerrej vlera humane. Puka ishte periferike ndaj vëmendjes së të gjithëve, edhe Migjeni vetë ishte krejt periferik. Të dy bashkë ata ishin Atlantida e dënuar me harresë dhe novelat e tij s’janë tjetër veçse tufa me lulet e së keqes që vijnë pashmangshëm nga kjo Atlantidë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama