Fillimi i punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali në fshatin Kabash të Komunës Rrape në Pukë, sërish shoqërohet me probleme. Banorë të këtij fshati si dhe Kisha Katolike në rrethin e Pukës shprehen të shqetësuar lidhur me dëmtimin e varrezave si dhe shkatërrimin e gjurmëve arkeologjike të Abacisë së “Shën Palit”, rrënojat e të cilës vijojnë të jenë ende dëshmi e historisë dy mijë vjeçare të njërës prej kishave më të vjetra të Ballkanit që sot mbetet institucioni më i rëndësishëm historik në rrethin e Pukës.
Banorë të këtij fshati tregojnë se si pasojë e gërmimeve nga kompania që po hap rrugë për ndërtimin e hidrocentralit, mbetjet kockore të varrezave kanë dalë në sipërfaqe, ndërkohë që janë dëmtuar dhe gjurmët e ndërtesave të nëndheshme të objekteve të kësaj qendre historike, që edhe pse mban statusin e monumentit të kulturës po shkatërrohet pamëshirshëm.
Kreu i Kishës Katolike në Pukë Dom Giovani Fiacchi shprehet se me këtë objekt, kompania që po kryen punimet nuk ka menduar për dëmet e lëna pas, edhe pse objekti është i një rëndësie të veçantë.
Sipas dëshmive të banorëve, janë gjetur kocka (pjesë të kafkës se kokës etj,) në dherat e hedhura nga mjetet e rënda gërmues. Të dhënat historike tregojnë se ky fshat ka qenë një qendër e rëndësishme banimi që nga shekulli i II-të pas lindjes së Krishtit.
“Rrënojat e Kalasë së Qytezës mbi shkëmbin përballë qendrës së Kabashit, të njërës prej kështjellave më të rëndësishme të Dukagjinasve, së bashku me manastirin e Shën Palit, e njohur me emrin Kisha e Shpalit, që gjendet në qendrën e këtij fshati, vërtetojnë më se miri atë se Kabashi ishte një qendër e rëndësishme deri aty nga shek. XVI dhe mendojmë se duhet te jete Objekt i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare. Nuk jemi kundër hapjes se rrugëve apo te veprës hidroenergjetike qe po ndërtohet, përkundrazi mbështesim këtë investim, por është e papranueshme qe kjo rruge te kaloj ngjitur me murin rrethues apo ndofta ne token e Kishës qe dikur kishte varre te njerëzve, duke rrezikuar dëmtimin e mëtejshëm te varrezave qindravjeçare dhe aq me tepër te dëmtohet një ikone e vjetër si Kisha e Shën Palit,” - shprehet kreu i Kishës Katolike në Pukë, i cili i është drejtuar dhe kryeministrit Rama me një letër për ti dhënë fund shkatërrimit.
Kisha Katolike shprehet e zhgënjyer dhe me veprimet e Policisë së Shtetit si dhe organet e pushtetit vendor, të cilët me procedurat e duhura ligjore kanë lejuar shkatërrimin që tashmë duket se nuk ka të ndalur.
E vetmja shpresë tashmë mbetet qeverisja qendrore, e cila mund të vlerësojë rëndësinë e këtij kompleksi mbetjesh historike mbi të cilën shkatërrimi tashmë duket i pandalshëm nëse nuk vihet dorë.