Gërmimet që po kryhen për ndërtimin e një objekti në Lagjen Nr. 8 në Durrës kanë nxjerrë në dritë 36 varre të periudhës helenistike. Varret janë zbuluar gjatë gërmimeve që një firmë ndërtuese po bënte për hapjen e një grope në një shesh ndërtimi.
Duke pasur dyshime për praninë e pasurisë arkeologjike në këtë zonë, afër qendrës së qytetit të Durrësit, pikërisht pranë shkollës “Eftali Koçi”, punimet janë mbikëqyrur nga arkeologë. Ata kanë përcaktuar se bëhet fjalë për një varrezë me dhjetë varre helenistike që, sipas tyre, datojnë nga periudha e shekullit të dytë para erës sonë e deri në atë të antikitetit tonë, të shekullit të katërt. Sipas arkeologut që po ndjek punimet, Surja Lela, nga kërkimet që po kryhen në Lagjen 8 janë zbuluar mbi 36 varre në të cilat janë gjetur eshtra skeletore të vendosura në drejtimin lindje-perëndim.
Arkeologu thotë se zbulimi arkeologjik është i një rëndësie të veçantë për vetë tipat e varreve, të cilat janë ndërtuar në periudha të ndryshme. “Mes këtyre varreve ka karakteristika të përbashkëta, por edhe anë të veçanta, të cilat do të jenë objekt studimi për arkeologët, siç janë varret me konstruksion me tulla, me tjegulla në formë çatie, me urna prej guri gëlqeror dhe me urna amforash dhe enë qeramike”, tregon arkeologu. Ai shton se brenda varreve janë gjetur edhe sende të tjera me vlerë arkeologjike. “Në varrezat e zbuluara nuk kemi gjetur stoli, por sende të tjera me vlerë arkeologjike, çka tregon më së miri periudhën e datimit të këtyre vareve.
Duke pasur parasysh faktin se këtu është zbuluar një fond shumë i pasur arkeologjik, drejtuesit e saj kanë kërkuar shtyrjen e gërmimeve dhe studimit e të gjithë zonës, deri në inventarizimin dhe koleksionimin e të gjitha objekteve arkeologjike”, është shprehur shefi i sektorit të shërbimit arkeologjik, Surja Lela. Pasi të kenë përfunduar gërmimet për nxjerrjen e varreve, specialistë të fushës së arkeologjisë do të bëjnë inventarizimin dhe dokumentimin e plotë të këtyre objekteve, e më pas do t’ua kalojnë antropologëve, të cilët do të nisin studimet përkatëse. Ndërsa mësohet se një pjesë e mirë e objekteve të ekspozueshme do t’i shkojnë muzeut të qytetit, me qëllim që të vizitohen nga personat e interesuar.