Punesimet qeveria shtyn rekrutimet per fillimin e vitit tjeter

Punesimet, qeveria shtyn rekrutimet per fillimin e vitit tjeter

Administrata shqiptare pritet të nisë procesin e rekrutimeve të reja vetëm në fillim të vitit të ardhshëm. Burimet bëjnë të ditur se aktualisht është drejt përfundimit procesi i reduktimit me 30 për qind të stafeve aktuale, në kushtet e ndryshimit të strukturave, por dhe një matje të performancës që është bërë në ministritë dhe agjencitë kryesore në vend. Emërimet e reja do të nisin vetëm në fillim të vitit të ardhshëm dhe kjo ka dy arsye kryesore. Arsyeja e parë ka të bëjë me nevojën e përcaktimit përfundimtar të strukturave, bazuar në buxhetin e vitit të ardhshëm. Arsyeja e dytë ka të bëjë me nevojën e rezervimit për të kryer emërime, të cilat mund të kundërshtohen, në një kohë kur ruajtja e administratës publike është një nga kërkesat kryesore të Komisionit Europian.

 

Shqipëria pret të marrë në dhjetor vlerësimin e 28 vendeve anëtare të Komisionit Europian në kushtet e kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Në këto kushte, një problematikë e zgjeruar në çështjen e administratës publike do të mund të shtonte më shumë skepticizmin që mund të kenë disa vende në kuadër të vijimit të integrimit nga ana e Shqipërisë. Përjashtim kanë bërë vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave, të cilat kanë nisur procedurën për sa u përket rekrutimeve të reja, përmes konkurseve. Sipas drejtueseve të këtyre institucioneve, kjo ka ndodhur pasi emërimet e reja në këto struktura shihen emergjente sepse këto dy institucione janë përgjegjësit kryesorë për hyrjen e të ardhurave në arkën e shtetit. Kryeministria ka premtuar se do të hapë së shpejti konkursin për disa pozicione të reja në kushtet e riorganizimit të strukturave të brendshme.

Punësimet

Ministritë dhe institucionet kryesore pritet të hapin konkurset për vendet e reja të punës në janarin e vitit të ardhshëm. Burimet bëjnë të ditur se, pavarësisht se në një pjesë të këtyre institucioneve ka lindur nevoja për rekrutime të reja pas shkurtimeve dhe po kështu strukturave të reja, emërimet e reja do të marrin kohë. Do të jetë buxheti i vitit 2014 ai që do të strukturojë në mënyrë përfundimtare formën e administratës shqiptare dhe numrin e punonjësve për çdo ministri dhe agjenci në kushtet e përshtatjes me strukturat e reja. Një tjetër arsye ka të bëjë dhe me faktin se vetëm një muaj e ndan Shqipërinë nga përgjigjja që do të japë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian për kërkesën e marrjes së statusit të vendit kandidat. Nisja e emërimeve, që në shumë raste mund të kundërshtoheshin nga opozita, do të sillte një klimë jo të favorshme në kuadër të këtij “provimi” që Shqipëria kërkon të kalojë, pasi tre herë më parë ka dështuar.

Përjashtimet

Administratat e tatimeve dhe doganave kanë nisur procesin e rekrutimit të stafeve të reja, duke krijuar një rast përjashtimor, në atë çfarë po ndodh për punësimet. Kjo ka ndodhur pasi këto dy institucione shikohen si të një rëndësie të veçantë, nisur nga pesha e madhe që kanë për buxhetin e shtetit. Pak ditë më parë, zëvendëskryeministri Niko Peleshi lajmëroi se disa vende të reja pune do të hapen në Kryeministri pas krijimit të disa departamenteve të reja të brendshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama