Teksa lart e poshtë, nëpër ekrane, salla mbledhjesh e kuvendesh, edhe kur iu bie ndërmend, burrat e gratë e politikës zënë e grinden se sa realisht është shifra e të papunëve në vend e sa për qind zënë në të të rinjtë e sapodiplomuar, këtyre të fundit as që u bëhet vonë fare për shifrën. Për sa kohë me të vetëm luhet, për sa kohë vërtetësia e saj nuk ndryshon asgjë në gjendjen e tyre dhe ende askush nuk denjon t’iu japë shansin e parë.
Jo vetëm për ata vetë, por edhe për inferiorët ndaj fenomenit të papunësisë tek të rinjtë, duket se kjo gjendje është kthyer, dashur pa dashur, në një apati që s’bzan. Për ata vetë, dhe për të tjerë “matanë lumit” ky mesvit 2012 nuk ka asfare ndryshim nga e njëjta periudhë e një viti, apo dy, apo tri vitesh më parë. Pasiguria e deridjeshme i ka lënë ngadalë vendin pashpresshmërisë. Nuk është nevoja t’i kërkosh gjatë, sepse janë ngado. I karakterizon i njëjti frenetizëm i shkujdesur, ndërprerë aty këtu nga një ‘përtaci’ për tu keqardhur. Në kafe të stërzgjatura, në xhiro kuturu, në zhytje Facebook-ëse, në club-e e pub-e, në letargjinë e dimrit dhe marramendjen e verës. Janë kategoria e të rinjve të papunë dhe ajo e atyre që sapo mbarojnë studimet i bashkohen armatës së të papunëve. Janë edhe ata që paguajnë një haraç jo të vogël të asaj që jemi mësuar tashmë ta quajmë ‘krizë’. Ku një vend pune fiks, sidomos për ata që nuk e kanë ende një eksperiencë, është kthyer, tashmë, në një utopi. Pikërisht për këtë ndihen të tradhtuar. Nuk kërkojnë një shans të dytë, kërkojnë të parin, dhe askush nuk lëviz gishtin për t’iu dhënë një dorë.
Të llastuar, përtac dhe të paaftë për t’iu përveshur punës. Kundrejt tyre shpesh nuk mungojnë as epitete të tilla, që nuk kanë munguar as nga përfaqësues të rëndësishëm të sistemit qeverisës. Në fakt është e thjeshtë të bësh përgjithësime për t’i vënë nën të njëjtin emërues, vetëm se nuk janë të gjithë njësoj, edhe pse shembujt e fatlumëve janë jo të rrallë. Nëse dikush nga familja apo rrethi miqësor nuk do t’i sigurojë njohjet dhe mbështetjet e duhura, që sapo të marrin ‘kartonin’ i pret një punë shumë e mirë në zanat, atëherë të gjithë duhet të përballen me tregun e ashpër të punës.
Me njoftimet fiktive për punë në administratë, me burokracitë në zyrat e punës, me ofertat e varfra që botohen nëpër gazetat e llojit e, pse jo, me banalitetet e faqeve të internetit që publikojnë njoftime punësimi. Pastaj me ata që presin matanë këtyre njoftimeve dhe, sipas rastit edhe me kompromiset që duhet të bëjnë me veten. Shpesh ky treg i ‘pështyn’ jashtë. Sepse janë ‘overqualified’ për punën në fjalë, ose e kundërta. Sepse janë jo-mjaftueshëm-të-paraqitshëm, ose sepse nuk përmbushin kriterin e të qenit “single”, pra pa preokupime... (po, ka edhe kështu).
Koha që i tradhton përditë, tregu i punës që ose nuk i afron, ose i nxjerr jashtë, janë një realitet vërtet frustrues për shumë njëzetë-tridhjetë vjeçarë.
“Overqualified”, përcjellje me lezet
Sikur të mos e kishte provuar në kurriz, Albana H., 27 vjeç, nuk do ta besonte asnjëherë. Pas përfundimit të studimeve të larta, si shumë të tjerë rreth 2 vjet më parë, edhe ajo u shtrëngua të gjente mundësitë financiare për të bërë një master në Menaxhim. La pas Vlorën dhe u projektua në Tiranën, që mbas përfundimit të masterit me rezultate vërtet të mira, mendoi se do ta përqafonte me më shumë mundësi sesa qyteti i saj i lindjes. Aty, deri pak më parë, kishte dhënë mësim në një shkollë të mesme private dhe kishte punuar me kohë të pjesshme në një zyrë avokatie. Por ja që edhe kryeqyteti nuk është se u tregua shumë bujar.
“Miq e të afërm bënin vazhdimisht premtime se pas mbarimit të masterit, do të më ndihmonin të gjeja një punë të mirë, por gjithçka mbetej në kuadrin e fjalëve. Ishte e pabesueshme, sepse këtu nuk mund të gjeja më as punën e mësueses. Sidomos për këtë duheshin më shumë miq e të njohur. Pastaj mendova për bankat. Kam plotësuar formularë e kam dorëzuar CV pa fund. Si përfundim, askush s’merrte në telefon. Dhe ishte e qartë. Njoftime fiktive, sepse vendet ishin zënë me kohë, nga ata që kishin miq që i mbanin premtimet. Qëllonte që kaloja fazën e parë të intervistës, të dytën, të tretën... një javë, dy, tre pritje. Përfundoje deri në ndonjë takim me drejtorë të mëdhenj dhe pastaj... “me keqardhje, por ju jeni ‘overqualified’ për këtë pozicion pune.
Do t’ju rikontaktojmë sapo të na jepet rasti...”. Nga majat thembrat. Historia vazhdonte, për tu përsëritur në plot raste të tjera zhgënjyese. Për gati dy vjet, të ardhurat i siguronte duke u marrë me përkthime nga shtëpia, ose duke ndihmuar herë pas here miq në bizneset e vogla që kishin. Këtë javë pret të fillojë një punë të re. E para për të cilën i kanë premtuar se më në fund do të firmosë një kontratë serioze. Jo, nuk e gjete në njoftimet e punës nëpër gazeta e internet, kish tre muaj që nuk i shifte më, sepse po i dukej sikur qe bërë “addictive”. Kësaj radhe ishte një mikeshë dashamirëse. Të shpresojmë se do ta mbajë fjalën...
Kur nuk të jepet as shansi i parë
Kur Ivjonela nisi studimet për infermieri, nuk mbeti kush pa i thënë se kishte bërë zgjedhjen e duhur dhe se “ishte zanat që hante bukë”. Dhe mbase se kishin keq. E vetmja gjë që i duhej të bënte, ishte të dilte me rezultate të mira. Dhe ashtu bëri. Vetëm se për të filluar atë punën “në zanatin që hante bukë”, në spitalet e klinikat shtetërore duhej “të hidheshe”. Po po, dhe të hidhesh do të thotë “të paguash 2-3 milionë lekë të vjetra. “Dhe edhe atëherë s’të garanton kush, se të marrin për ca e pastaj të hedhin përsëri jashtë, për të rrjepur ndokënd tjetër në bendin tënd”. Ivi e dinte mirë këtë, po edhe sikur, nuk i kishte ato para. Kështu ia kishin bërë dhe mikeshës së saj të fëmijërisë që mbaroi studimet për mësuesi. Ajo i dha paratë dhe punoi vetëm 3 muaj. Tani bën dadon, rrit fëmijët e vëllezërve.
24 vjeçarja, kujton se nuk i ka të pakta momentet e pesimizmit, e megjithatë, vazhdon. Që nga 2009 që ka përfunduar studimet e deri më tani, ka bërë lloj lloj punësh. Sigurisht, do i pëlqente të vishte përparësen e bardhë, mundësisht në ndonjë klinikë a spital privat, por këta kërkojnë minimalisht 3-5 vjet eksperiencë. “Ku ta gjesh eksperiencën, kur asnjë nuk të beson shansin e parë. Të gjithë kërkojnë eksperiencë dhe askush nuk vihet në provë...”. Vajza ka të drejtë. Aq të drejtë ka sa në rastin e saj mund edhe të mos çuditesh, po të kesh parasysh që në absolutisht pjesën dërrmuese të njoftimeve të punësimit, eksperienca është kusht i domosdoshëm. Që nga ofertat për financier, jurist, arkitekt, infermier, menaxher, e deri tek shitëse butiku, kamerier apo pastruese.
“Provoni të viheni në vendin tonë!”
Joani është fjalëpakë. “ne të shkencave ekzakte kështu jemi”. Qesh. Tre vjet më parë ai përfundoi studimet për inxhinieri kimike. Nuk ishte aspak e thjeshtë, por ia doli. Qysh student ka punuar si kamerier në kohën pas shkolle dhe gjatë pushimeve verore. Të njëjtën gjë vazhdoi të bënte edhe plot kohë pas diplomimit. “Pastaj u bë e bezdisshme. Sigurisht që dua të shikoja për diçka tjetër. Kam bërë disa intervista pune. Kuptohet, asnjë në profesion, shanset janë pothuaj inekzistente. Bankë, zyrë shitjesh, agjenci imobiliare, agjent marketingu...,deri edhe animator në festat e fëmijëve. Në rastin më të mirë ishin të përkohshme, në rastin më të keq, ndodh të të mbajnë dy-tri javë si në provë pa pagesë e pastaj të thonë, sot ë të njoftojmë ne dhe nuk kujtohen më.
Të mitë nuk jetojnë në Shqipëri, kanë vite që janë në Greqi, vetëm se, sidomos këto dy tre vjetët e fundit, menjëherë pas mbarimit të studimeve të mia, edhe për ata u bë e pamundur të më mbështesnin financiarisht si dikur, student. Më thonë gjithmonë të shkoj atje me ta, duke qenë se këtu nuk po gjej ndonjë punë të përshtatshme. Por ja dhe vajta, edhe atje kamerierin do bëj. As më shumë e as më pak...”. nga nëntori deri në shkurt të këtij viti ai ka punuar në agjenci udhëtimesh, si shoqërues i grupeve në tour-et turistike, në Greqi, Itali, Francë... Këtë punë e gjeti në gazetë. Ishte e lodhshme, por edhe argëtuese. Vetëm se vendi u shkurtua dhe... “Nuk kishte më aq punë, nuk po organizonin udhëtime me grupe të mëdha. Ja, të shohim verës... Po su bë gjë do iki në Greqi besoj”. Është e trishtë ta dëgjosh.
Por Tirana është e ashpër dhe e shtrenjtë për të. Deri tani ka ngrënë ato që kishte kursyer dhe qeranë e qershorit do ia paguajnë prindërit. Më saktë e ëma, sepse vetëm ajo punon. Ai jeton me dy shokë të tjerë. Më njërin prej tyre ka qenë në një klasë. për fat, Ermali ka filluar punë para dy muajsh në një depo farmaceutike. Bën shpërndarësin, edhe pse kur e pyesin nga fisi larg e larg, i pëlqen të thotë që punon në një fabrikë të huaj të përpunimit të barnave. “Kot të gënjesh veten...”, thotë Joani. Shoku i tjetër me të cilin ai ndan qeranë është gjithashtu pa punë dhe e mban familja, motra me e madhe që ka një parukeri të vetën.
Është e tepërt ta pyesësh se çdo bëjë gjatë pushimeve verore (ai ka kohë që ka marrë pushimet). Pi cigare dendur dhe e mbyll shkurt: “Ndihem i pafuqishëm, mosbesues, shpesh i paaftë, po aq sa i pafat...”. A i ndodh të rebelohet? Ndoshta do të ishte më mirë sesa ta linte pesimizmin t’i mbushte ditët. Po, qëllon. Por më shumë shfryn me fjalët. “Provoni të viheni në vendin tonë, qoftë edhe vetëm për një muaj. Në vend që të propagandoni reforma të reja për punësimin, pse nuk filloni më parë të ulni shpenzimet absurde. Nëse do bëheshin ca shkurtime në shpenzimet kolosale që bën shteti, atëherë edhe paratë do të dilnin me kollaj. Ose të paktën do të kishte më shumë burime, pa qenë nevoja të vjedhin nga xhepat e shqiptarëve, edhe të atyre që nuk kanë fare”. Ja kështu do të shprehej Joani përpara politikanëve. Kështu shfryn edhe sa herë sheh lajmet në televizor.
Gjithmonë nga e para...
Anjeza G. është 26 vjeç. Ka një diplomë në psikologji, plot dëshirë për të punuar dhe entuziazëm për jetën, si shumë moshatarë të saj. Që nga 2008 kur përfundoi studimet e deri më tani, ka bërë punë nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk i është afruar dot zanatit. CV e saj mund të quhet e pasur, po të llogarisë tani sesa shumë punë ka bërë, madje disa prej tyre në të njëjtën kohë. Nga përkthyese filmash për fëmijë, agjente shitjesh, operatore telefonie, bariste e, së fundi, edhe agjente marketingu (nëse mund të quhet kështu puna e tanishme). “Duhet të promovojmë dhe të shesim një program kompjuterik që mundëson shitjen e kartave rimbushëse për celularët online, nëpër bar kafe e kudo. Nuk është e thjeshtë, por ia kam marrë dorën. Shqetësohem vetëm se sa do zgjasë...”. Tiranë, Durrës, Elbasan..., puna është në lëvizje. Përpara se të bënte këtë, ajo punonte si operatore telefonike në një Call Center dhe paguhej mire.
Pastaj kjo u mbyll dhe, edhe njëherë nga e para iu desh të përballej me tregun e punës. Shpesh është humbje kohe, shpesh zhgënjyese, e jo pak herë edhe fyese... “Megjithatë, asnjëherë nuk duhet hequr dorë, thjesht duhet të mësohesh edhe me paradokset, t’i evitosh e të mos lësh çudirat të të deprimojnë”. Tani ajo qesh. Në fakt, nuk i erdhi fare për të qeshur, përkundrazi, kur 3 vjet më parë, një “shef në tentativë”, i tha se fakti që ajo kishte një të dashur i ulte shumë pikë, ndaj do ta rishikonte këtë punë. Me keqardhje pranon se nuk shpreson ndonjëherë, të paktën në një të ardhme të afërt, të bëjë psikologen. Për momentin lut që ajo dhe e motra të vazhdojnë të jetë në punë, që të kenë mundësi të paguajnë qeranë dhe jetesën. “Nuk e di edhe sa kohë do jetë kjo punë... Më mirë të mos e mendoj...”.