Programi i stimulimit të bizneseve vlen edhe për punësimin e grave të divorcuara që përballen me probleme sociale apo të atyre që kthehen nga emigracioni dhe që kanë vështirësi ekonomike. Në raste të punësimit të grupeve të mësipërme, bizneset do të lehtësohen në drejtim të pagesës së kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, pagesës së rrogës për një periudhë të caktuar, etj.
Kështu përshembull, çdo biznes që punëson për një periudhe jo më të shkurtër se një vit vajza dhe gra të këtyre grupeve, do të përfitojë për një vit subvencionim të pjesës që paguan punëdhënësi të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Shteti merr përsipër gjithashtu që të financojë vlerën e plotë të 4 pagave mujore të punonjësve. Pagat që do të financohen janë ato të muajit të pestë dhe të gjashtë si edhe pagat e muajve të njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë. Në rast se punëdhënësi nuk mban në punë brenda afatit të përcaktuar në kontratë, ai do të jetë i detyruar që të kthejë përsëri në arkën e shtetit financimet e marra.
I gjithë projekti do të koordinohet me Zyrat e Punës, të cilat kanë edhe të dhënat në lidhje me gratë dhe vajzat e papuna. Normalisht, do të mund të përfitojnë nga ky projekt vetëm ato gra dhe vajza që janë regjistruar tek zyrat e punës. Punëdhënësi fillimisht Aplikon pranë Zyrës së Punësimit duke kërkuar numrin e punonjësve që ka parashikuar të punësojë për këto kategori. Pas plotësimit të dokumentacionit, kërkesa kalon në një komision të posaçëm për t’u shqyrtuar. Komisioni verifikon ndikimin social dhe ekonomik të projekteve të paraqitura.
Edhe pse qëllimi kryesor është punësimi i grave dhe vajzave, jo çdo biznes mund të përfitojë nga një program i tillë. Të privilegjuar do të jenë ato biznese, të cilat kanë qenë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve ndaj administratës tatimore. Biznesi nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin për punën si dhe të ketë shlyer rregullisht sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore të punonjësve sidomos gjatë viteve të fundit. Programi i Punësimit fillon në vitin 2012 dhe do të zgjasë 5 vjet.
Çfarë përfiton biznesi:
Mbulim të pagës së muajit të pestë, gjashtë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë të punës
Mbulim 100 % të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore që i përkasin punëdhënësit për një vit
Vajzat dhe gratë që mund të punësohen:
a) Vajza dhe gra të papuna për një periudhë afatgjatë (të regjistruara, si punëkërkues i papunë prej më shumë së një viti);
b) Vajza dhe gra që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura;
c) Vajza dhe gra të trafikuara;
ç) Gra mbi 50 vjeç;
d) Vajza dhe gra rome;
dh) Vajza dhe gra me aftësi të kufizuara;
e) Vajza nëna;
ë) Gra të divorcuara me probleme sociale;
f) Vajza dhe gra që kthehen nga emigracioni, me probleme ekonomike.
Procedurat
-Punëdhënësi aplikon tek Zyra e Punës duke kërkuar punonjës të grupeve të veçanta
-Komisioni vlerëson propozimin
-Zyra e punësimit propozon më shumë kandidatura punëkërkuesish që plotësojnë kriteret për një vend të kërkuar nga punëdhënësi. Ky i fundit përzgjedh kandidatin më të përshtatshëm
-Punëkërkuesit e papunë, që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë
-Ndërmjet zyrave përkatëse të punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë.
-Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
- Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim.
-Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.