Punet e Arifit… Nje tradicionalist i pelqyeshem

Punet e Arifit… Nje tradicionalist i pelqyeshem
Artisti Kujtim Buza i ka quajtur “Zotat e Qazimit”, punët e fundmit të tij në skulpturë, ekspozuar pak kohë më parë. Ato janë personazhe që pothuaj i hasim dhe i kemi hasur në jetën tonë, e të cilët kanë pozuar direkt në studio për artistin. Megjithë trajtat artistike ai i ka ruajtur personazhet e tij nga elementët pompozë duke na i dhënë me një plasticitet sa më real...

Jemi mësuar me abstraksione nga më të habitshmet. Artistët për t’u dalluar nga njëri-tjetri, por më shumë për të përshfaqur qasjen e tyre të veçantë me artin, bëjnë realizime nga më të çuditshmet. Qazim Arifi, punët e të cilit ishin pak kohë më parë të ekspozuara në Muzeun Kombëtar, ka vendosur të ecë në një udhë të rrahur shumë. Ndjehet mirë, por më shumë aty qëndron vetë arti i tij tepër komunikues. Në këtë ardhje të kohëve të fundit për publikun, ai erdhi me të gjithë bagazhin dhe eksperiencën e tij, por më shumë akoma me ndjesinë e tij brenda një periudhe qetësie të kahershme. Kjo ishte mënyra e fundit e shprehjes së artit të tij. Në fakt, ata që njohin artin e vërtetë shikojnë një kërkim të tij që nga shkollat klasike dhe që vazhdon deri më sot në kohën tonë me artistët më kontemporanë.

Kujtim Buza i ka quajtur punët e fundit të tij si “Zotat e Qazimit” dhe në një farë mënyre personazhet e reja të tij, janë personazhe që pothuaj i hasim dhe i kemi hasur në jetën tonë, të cilët kanë pozuar direkt për artistin. Megjithë trajtat artistike ai i ka ruajtur personazhet e tij nga elementët pompozë duke na i dhënë me një plasticitet sa më real. Ai e përdor profesionalisht mermerin dhe me natyrën e forcën e thellë depërtuese të karakterit e paraqet në veprën e tij. “Skulptori Qazim Arifi e ka në natyrën e tij forcën depërtuese thellë në karakterin dhe tipin real. Ai modelon thjeshtë, saktë dhe me vërtetësi. Qazimi arrin të japë me mjeshtëri botën e tyre shpirtërore, duke sjellë emocione me tingull kombëtar dhe bashkëkohor. Ai është një skulptor realist, mjeshtër i portretit dhe i shpirtit shqiptar”, thotë Kujtim Buza, në një parathënie që ka bërë për albumin e tij.

Kurse, një kolegu i tij i hershëm dhe një nga artistët më të njohur shqiptarë, e referon ndryshe punën e tij: “Në rastin e skulpturës së Qazim Arifit, vihet re një konsekuencë për të formësuar në një mënyrë tradicionale. Duket që ai është një skulptor realist klasik, që nxitet nga një shpirt romantik dhe që formën dëshiron ta çojë me çdo kusht deri aty sa të thotë plotësisht fjalën e saj, mundësisht sa më bukur”...

Duhet të sqarojmë se arti i Qazimit nuk rreket të bëj abstraksione të komplikuara. Ai merret me subjektet, në qëmtimin e detajit dhe në kujdesin për mjeshtërinë e tij, që emocionin e  përcjell nga njohja e mirë e plastikës së subjekteve të veta.

Pa shumë bujë, ai është përpjekur në të gjitha herët, që personazhet e tij ta kenë sa më të afërt prekjen e publikut, duke i respektuar në maksimum kanonet e artit klasik.

Ishte kjo e fundit arsyeja që pak kohë më parë ai i dedikoi një ekspozitë 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, pas një eksperience të stërgjatë e të suksesshme me disa ekspozita kombëtare. Në Muzeun Historik Kombëtar, ai solli në masën e duhur skulptura dhe vizatime, personazhe reale, që kanë kontribuar për vendin dhe që janë që nga panteoni i tij deri në personalitete të sotme të jetës politike dhe shoqërore, intelektualë me emër, shkencëtarë, shkrimtarë dhe artistë që pranuan të pozonin direkt para autorit. Portretet, ashtu si në të gjithë stilin e tij klasik, ishin fare të thjeshtë dhe pa abstragime të çuditshme, modeluar rrjedhshëm e me plasticitet, mu në atë momentin ku ata i përngjajnë si askund tjetër shumë vetvetes.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama