Punet e shtepise duhen ndare pergjysme!

Punet e shtepise duhen ndare pergjysme!
Dëshiron që partneri të angazhohet më shumë në punët e shtëpisë? Nuk është e drejtë që gruaja të kujdeset për gjithçka: punët e shtëpisë nuk janë prerë me thikë për t’u bërë vetëm nga femrat. Disa këshilla për të ndërgjegjësuar burrat që t’ju japin një dorë

Kur ua vë në dukje këtë të metë, bëjnë sikur nuk kuptojnë, ose sikur nuk dëgjojnë. Ndodh që mund të të ndihmojnë ndonjëherë, por pastaj fillon gjendja e mëparshme. Është gjithmonë gruaja që fut rrobat në lavatriçe, lan dyshemenë, gatuan, pastron, tund e shkund. Por kështu nuk shkon: te një çift që bashkëjeton, rregulli numër një është ndarja e punëve përgjysmë! Natyrisht, në qoftë se disa punë i preferon apo i bën mirë burri, lëreni atë që të merret me to dhe zgjidhni diçka tjetër për veten. Burrat duhen inkurajuar dhe lavdëruar kur bëjnë punë të mira, jo të përçmohen e shahen. Duhen ndërgjegjësuar se vetëm kur shtëpia është e pastër, mund të ftohen miq për darkë, ose për të parë një ndeshje futbolli, e kjo nuk është vetëm detyre e gruas, por e të dyve. Pastaj kur ka dashuri në mes, çdo gjë është më e lehtë e argëtuese dhe këtu futen punët e shtëpisë.

Kur është fjala për punët e pakëndshme, ato që kërkojnë më shumë angazhim dhe që janë të mërzitshme, ndajini çdo ditë përgjysmë: një herë i bën burri, një herë gruaja. Nëse doni që edhe burri të bashkëpunojë, mos përdorni fjalë të rënda, por përpiquni ta bindni duke e bërë të kuptojë se për të, mbajtja e shtëpisë në rregull duhet të jetë forcë zakoni, t’i burojë spontanisht. Duke mbajtur pastër folenë e dashurisë, mund ta bëni më të lumtur e të këndshme jetën në çift.

Mos e bezdisni vazhdimisht, duke u nevrikosur kur gabon për diçka: lëreni të përfundojë çdo gjë vetë. Për shembull nëse ka larë rroba të bardha në lavatriçe (largoni veshjet intime dhe rrobat delikate) dhe pa dashje i ka ngjyrosur për shkak të një bluze me ngjyrë, ndihmojeni dhe këshillojeni që herë tjetër të mos gabojë. Kur bën punë të mira, përgëzojeni, sepse kështu do ta bëni të ndihet i zoti dhe i denjë. Mos i korrigjoni gabimet e tij, përkundrazi, nëse ka harruar të bëjë pazarin, për shembull, darkoni jashtë dhe si dënim, lëreni atë të paguajë.

Bëjani të qartë se punët e shtëpisë kanë një orar të caktuar: për shembull, rrobat duhen nderë në mëngjes, jo në darkë. Natyrisht për të organizuar më mirë punët duhet që klima mes të dyve të jetë e qetë: për shembull kur punoni, vini në sfond muzikë; pushoni pak kur lodheni dhe mos pretendoni nga partneri që kur të lajë dyshemenë apo enët të shkëlqejnë si pasqyrë. Kjo do të jetë e mundur vetëm pasi ai të ketë mësuar dhe të ketë kuptuar se ndihma për punët e shtëpisë nuk është kusht, por bashkëjetesë.

Rregullat se kur duhen bërë punët e shtëpisë

Momenti më i mirë për të pastruar shtëpinë është mëngjesi. Ajri i freskët i orëve të para të ditës rigjeneron trupin dhe kthjellon mendimet. Qetësia e mëngjesit i jep gëzim pjesës tjetër të ditës.

- Ideale për të sistemuar gjërat dhe shtëpinë është në mbrëmje, para gjumit. Bashkë me këtë, sistemoni edhe mendimet, që kur të zgjoheni ditën tjetër të jeni me humor të mirë.

- Bëni punë në grup. Pastërtia është thelbësore për bashkëjetesën dhe ruajtjen e ekuilibrave. Duke pastruar ambientin ku jetoni, forconi edhe më shumë lidhjet me partnerin.

- Asnjëherë mos e shtyni për nesër atë që mund të bëni sot.

- Vishni rroba të thjeshta dhe shapka të rehatshme. Më mirë akoma nëse i përshtateni stinës, rroba të rënda në dimër dhe më të lehta në verë.

- Për sa u përket mjeteve të pastrimit, mos harroni fshesën dhe leckën tradicionale. Janë të lehta, manovrohen lehtë dhe përveç të tjerash, nuk kanë nevojë për energji elektrike që të punojnë.

- Riciklimi është shumë i rëndësishëm. Mos blini lecka të reja për të pastruar pluhurat, por përdorni rrobat e vjetra që nuk i vishni më.

- Banja dhe kuzhina kërkojnë kujdes të veçantë, jo vetëm për normat higjienike, por sepse janë vendet ku buron uji, që është një element shumë i rëndësishëm i jetës. Nëse janë të pastruara mirë, mbroni veten nga mikrobet dhe sëmundjet.

- Rrobat e lara në lavatriçe nderini me kujdes në ballkon. Pasi të jenë tharë mirë, mblidhini, palosini pastaj hekurosini.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama