Punimet artizanale shqiptare veshin uren e Bostonit

Punimet artizanale shqiptare veshin uren e Bostonit

Ura e njohur e Bostonit “Mass Ave Bridge” është veshur këto ditë me punime artizanati shqiptare. Punime me shtiza ku nuk mungojnë motivet nga folklori ynë, kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të kalimtarëve, por dhe të shtypit vendas. Është artistja e re, Silvi Naçi, e cila shpalos një mori punimesh me dorë në një “ekspozitë” mbi krahët e urës. Ajo ka bërë bashkë artizanet shqiptare në SHBA, për të treguar thesaret që ruajnë nga Shqipëria. “The PRI’s the world” pjesë e BBC, i ka kushtuar një shkrim artistes shqiptare. Faqja e njohur shkruan se familja Naçi emigroi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2001. Silvi tregon se këtë pasion për punimet me shtiza, e ka trashëguar nga nëna e saj.

 

“Mbaj mend se kur kam qenë e vogël në Shqipëri, pasditeve, mblidheshim bashkë me nënat tona, në shtëpinë e ndonjërës prej nesh dhe mësonin të thurnim e të punonim me shtiza. Ishte një mënyrë shumë e mirë për t’u mbledhur bashkë. Ndaj dhe vendosa që ta shfrytëzoja këtë urë, si një vend që çdokush mund ta përdorë për të bërë artin e tij”. Punimet e saj me thurje, janë të bukura e të ndërlikuara e për amerikanët janë të rralla. Ajo ç’ka i ka habitur më shumë kuriozët dhe adhuruesit e punimeve të Silvit, ishte ndërthurja e ngjyrave të përdorura.

 

Megjithatë, Silvi tregon se për një pjesë të punimeve, ka kontribuar në ide nëna e saj. “Ajo ka thurur emrin tim, aty thuhet, themeluesja Silvi Naçi – gjest shumë i dashur prej saj. Përveçse diçka e bukur nga ana estetike, ky projekt i Silvit është edhe një përmbledhje e kujtimeve të bashkuara me shtiza. Vitin e shkuar Silvi mori pjesë në maratonën e Bostonit, ku ndodhën edhe dy shpërthime. E madje për mediat amerikane ajo shpjegon se ngjarja e asaj dite i kujton ngjarjet e ‘97-s në Shqipëri: “Unë po vrapoja këtu atë ditë; kërcënime e shpërthime të tilla ndodhin shpesh në Shqipëri, atje ku unë kam jetuar. Prindërit e mi dhe unë u zhvendosëm këtu me shpresën se terrorizmi s’do të na ndiqte nga pas, por sot mendoj se një gjë e tillë ndodh kudo”. Në çdo thurje që ka bërë, Silvi Naçi ka ngjitur një karton, duke u kërkuar njerëzve të shkruajnë mbi të një dëshirë. Silvi ka studiuar Arte të Bukura dhe Dizajn në Suffolk University. Të ardhmen e saj ajo e sheh të lidhur me artin. Dizajni është pasioni i saj, ku ka realizuar disa punë. Ekspozita mbi urë, erdhi jo vetëm si tërheqje e saj ndaj kësaj pjese të çmuar të traditës sonë, por për t’u treguar të huajve një qytetërim të kulturuar në historinë e vendit të saj. Silvi është e tërhequr nga folklori dhe tradita e vendit të saj, dhe punoi fort me gratë që sollën punët e tyre në këtë event. Secila kishte një krijim unik në llojin e tij, që i bashkonte stili I traditës shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama