Agjencitë turistike mund edhe të ishin trembur kur javën e zgjedhjeve asnjë këmbë shqiptari nuk shkeli dhe nuk pati prenotuar të lëvizte për pushime. Por në fakt jo, ishin përgatitur. Kjo ndodh pothuaj sa herë ka zgjedhje tek ne. Ca oferta joshëse dhe pak ditë qetësi. Pastaj çdo gjë duket se i është kthyer normalitetit. Ka vend për të gjithë në këtë verë tekanjoze, edhe pse me kuletat gjithnjë e më hollë. Çfarë ofrojnë paketat turistike 2013 dhe cili është trendi i kësaj vere.
Verë 2013. Mot tekanjoz, ditët të elektrizuara me ethe fushate, zgjedhje që fatmirësisht (dhe çuditërisht) kaluan në paqe, krizë ekonomike në rritje, borxhe dhe banka të mbushura me borxhe, shqiptarë të vendosur dhe plot të tjerë të hallakatur. Ndoshta për shumë prej tyre do ishte e tepërt t’i pyesje për pushimet. Shkarazi mund edhe të të justifikoheshin me kohën që s’po gjen karar, edhe pse fort mirë të dy palët e dimë që e para është kuleta.
Në fakt, më shumë të lëkundurit mbeten ata më të vobektit, ata që nuk e kanë bërë ndonjëherë në jetë të kapërcejnë kufirin për të bërë ca ditë pushime. Jo se dielli i Europës e më tej pjek më mirë se i yni, po ja që ata që s’kanë, mjaftohen me ca ditë të shpërndara nëpër plazhet e mëmëdheut. Pak të thuash që ata që kanë, do të kenë gjithmonë. Edhe mesatarët (të rrallë dhe këta) aty do të jenë, kanë fituar stabilitet.
Ndaj nuk është çudi që nga agjencitë turistike të thonë pothuaj njëzëri se sa i takon rezervimeve për këtë sezon veror, asgjë nuk ka ndryshuar. Çmimet janë po ato dhe shqiptarët që do të pushojnë po aq sa vjet në këtë kohë. A ka ndryshuar gjë? Po, pako gjë, e pritshme për agjentët në fjalë. Java zgjedhjeve. Ato ditë, me kokrra ishin shqiptarët që menduan t’ia mbathnin. e kishin ndarë mendjen të votonin të gjithë, gjë kjo që u pasqyrua qartazi edhe në numrin e pjesëmarrësve në votime. Me shumë marifet agjencitë patën përgatitur edhe oferta mjaft joshëse, çmime të mira për ato ditë, por numri i atyre që u tunduan ishte i vogël. Pas zgjedhjeve që shkuan në paqe, bashkë me rezultatin e pritur gjithaq në paqe, situata u çlirua dhe tregu i pushuesve që do të lënë vendin këtë sezon veror gjeti normalitetin e pritshëm të çdo viti. Njësoj si vjet në këtë kohë, mijëra shqiptarë kanë prentuar të ngrejnë valixhet dhe të shkojnë të piqen në diellin e botës. Ku? Në Turqi. Ka kohë që ajo ka mësuar t’i fitojë, t’i miklojë e t’i mbajë besnik. Sa për ne... duhet ende kohë, punë dhe investime.
Zgjedhjet dhe prenotimet
Java e zgjedhjeve ka qenë e vakët ë aktivitetin e agjencive turistike, po ashtu si në ato të udhëtimit. Agjentët turistikë konfirmojnë se gjatë atyre ditëve nuk pati pothuajse asnjë rezervim.
Efekt i pritshëm ky në fakt, që nuk i gjeti të papërgatitur operatorët. “Ndodh kështu sa herë ka zgjedhje në Shqipëri, ndaj dhe ne ishim të përgatitur për një gjë të tillë”, tregon për revistën Klaudeta Bagaviki, agjente udhëtimesh.
Edhe pse e pritshme, situate është reflektuar menjëherë në ofertat që agjencitë krijuan enkas për fundqershorin. Duke ditur shmangien që do të krijonte në kërkesë java zgjedhore, u organizuan paketa më të leverdishme. “Patjetër që situata zgjedhore u reflektua në ofertat që ne bëmë. Gjithmonë duke njohur preferencat e stinës, dhe nga ana tjetër efektet që do të kishte situate politike në vend, por edhe situatën persistente financiare të të gjithë shqiptarëve mesatarë që më së shumti zgjedhin të bëjnë pushime jashtë vendit, e dinim se duhet të dilnim me oferta shumë joshëse. Megjithatë, edhe prenotimet që përfshinin në paketë ditë nga javët zgjedhore, ishin shumë të paktë, pavarësisht çmimeve të mira”, shprehet Bagaviki.
Falë ofertave të leverdisshme, numri i pushesve që lanë vendin gjatë ditëve që përkonin në javën zgjedhore, ishte rreth njëqind. Dhe menjëherë pas kësaj, mund të thuhet se situata u çlirua. Gjithsesi, duhet të pranojmë se post-zgjedhjet përkojnë edhe me sezonin e lartë veror, por edhe me periudhën kur njerëzit marrin edhe lejet nga puna. “Nuk është se duhet aluduar për të thënë se situata paraqitet e pandryshueshme. Sipas databazës së agjencisë sonë, gama e rezervimeve për vitin e kaluar deri në fillim të muajit korrik, numëronte rreth njëmijë rezervime. Pavarësisht vëçantisë së këtij viti, qoftë për sa i takon ndikimit të procesit zgjedhor, qoftë edhe ndikuar nga moti që është paraqitur jo fort i qëndrueshëm, përsëri, në këtë fillim korriku numërohen pak a shumë i njëjti numër rezervimesh, pra rreth një mijë.
Çmimet 2013
Pavarësisht këtyre ndryshimeve kalimtare në kërkesën për prenotime dhe përjashto ofertat e bëra nga ana e agjencive në javën e zgjedhjeve, në përgjithësi mund të thuhet se çmimet e paketave turistike, të paktën për destinacionet bazë që zgjedhin shqiptarët, pothuajse nuk kanë ndryshuar,. Njësoj si një vit më parë, apo edhe më tej, një palë pushime të shkurtra javore drejt Antalias mund t’i rezervosh pa problem kundrejt një shumë mesatare prej 500-600 eurosh. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për numrin e rezervimeve.
Njësoj si ekonomia, xhirot dhe trendi i çdo tregu, edhe për agjencitë turistike dhe ofertat e tyre nuk është se ka ndryshuar shumëçka. Janë pothuaj të njëjtat oferta, të njëjtat çmime, po ata blerës klasike të paketave klasike. Në top listë vazhdon ende të jetë Turqia, me gjithë trazirat që duket se po trandin Stambollin. Nga ana e tyre qytet turistike gjenden krejt indiferente ndaj gjendjes. Vazhdojnë të promovohen resorte të reja luksoze dhe pushues nga e gjithë bota i drejtohen kësaj perle sa ekonomike, aq edhe të paqtë të lindjes. Njësoj si edhe vjet në të njëjtën kohë, nëse ia ke terezinë, mund të pushosh në një hotel të Antalyas me 500-600 euro për person. Në gjithë këtë përfshihet udhëtimi, akomodomi, ushqimi në të gjitha vaktet e të tjera aktivitete që ofron resorti vetë.
E vetmja që duket se lëviz ngadalë dhe mirë duket se është Greqia. Megjithëse nga vjet në sivjet nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe, as për të e as për shqiptarët, e lodhur nga kriza, fqinja jonë, e cila e ka mbështetur gjithmonë një pjesë të mirë të ekonomisë vendase tek turizmi, vazhdon të ulë nga pak çmimet, duke u dhënë mundësi operatorëve turistikë të bëjnë oferta joshëse drejt ishujve të saj. Duke pasur aty të afërmit e tyre që shpesh nuk i kanë mundësitë të vijnë t’i takojnë, shqiptarët nuk kanë hezituar të zgjedhin edhe Greqinë.
Destinacionet e këtij viti
U desh vetëm një vit provë, menjëherë pas heqjes së regjimit të vizave, që shqiptarët të provonin destinacionet evropiane, të bënin llogaritë e thjeshta e pastaj t’i ktheheshin përsëri Turqisë ekonomike, bujare dhe të mirëorganizuar. Tendenca për të shijuar Europën perëndimore rezultoi e dukshme vetëm vitin e parë. Edhe këtë vit, pushuesit që do t’i kalojnë pushimet jashtë vendit, nuk kanë hezituar të zgjedhin Turqinë, pavarësisht skepticizmit në ajër që lidhet me trazirat e fundit atje. “Shpesh, ka nga ata klientë që vijnë pa ndonjë ide fikse të destinacionit turistik për pushimet e tyre. Janë midis njërës dhe tjetrës, midis asaj e kësaj oferte. Ka dhe nga ata që priren më së shumti drejt një destinacioni të Europës perëndimore. Në fund, pasi krahasojnë ato që iu ofrojmë, ndikuar edhe eksperiencat e mëparëshme apo të miqve, zgjedhin edhe nëjherë Turqinë. Natyrisht, dëshira për të parë e vizituar vende të ndryshme çdo vit mund të jetë e madhe, por nga njëra anë mundësitë e ekonomike e nga ana tjetër vetë organizimi i pushimeve familjare, bashkë me fëmijët etj. dikton Turqinë, si më e lira dhe e organizuara më mirë në këto kushte”, shpjegojnë nga agjencitë e udhëtimeve. Nga ana e tij, vendi që po tërheq një numër gjithnjë e më besnik turistësh, vjen çdo vit me oferta të reja. Pavarësisht trazirave, Turqia mbetet një nga ato vende ku kultivimi i turizmit mbetet i pacenueshëm. Turqia turistike ndërton çdo vit hotele e resorte të rinj, duke stimuluar konkurrencën dhe fituar besimin e turistëve që gjithynjë e më shpesh i rikthehen.
Trazirat turke
Ndryshe nga ç’ndodhi me destinacionet e lakmuara egjiptiane te dy viteve më parë, ku nga paketat më të kërkuara ato për Sharm El Sheik u anuluan në mënyrë të menjëherëshme për shkak të trazirave, edhe pse nuk mund të themi se jemi përpara një situata të krahasueshme, përsëri, trazirat në kryeqytetin turk nuk kanë ndikuar në tërheqjen e pushuesve drejt destinacioneve të saj turistike. Ndërsa Sharm El Sheik duket do të vazhdojë edhe për ca kohë të jetë i penalizuar, ofertat me Turqinë vazhdojnë normalisht. “Sigurisht, klientët tanë të interesuar pyesin edhe rreth këtij detaji përpara se të bëjnë një rezervim. Një skepticizëm i lehtë por edhe i natyrshëm do të thosha. Megjithatë, me të marrë informacionin qetësohen”, sqarojnë nga zyrat e disa agjencive turistike.
Destinacionet ekzotike
Sigurisht, më shumë për vanitet sesa për ndonjë shije shumë të veçantë prej turisti, nuk mungojnë asnjëherë edhe pushuesit ekzotikë. Shqiptarët e kamur, shumë pak, aq sa janë, kriza nuk i prek as me pupël. Ata s’i pushon njeri nga puna, s’ndjejnë peshën e taksave të fryra, nuk duhet të zgjedhin midis pushimeve dhe dasmës, pushimeve dhe shkollimit të fëmijëve, pushimeve dhe dentistit, qerasë së shtëpisë, një hoteli me tre-katër-pesë yje dhe një çadre kampingu. Janë ata që kur bëhet fjalë për det, plazhe, rërë të bardhë, diell e palma, e hedhin spirancën diku në Maldive, Karaibe, Abu Dabi e Dubai, apo të tjera copa tropiku. Vetëm se këto destinacione nuk përkojnë me sezonin tonë të lartë. Praktikisht, tani është e kotë të shkosh pothuaj në secilën prej tyre, sepse o është fund sezoni, ose moti është ftohur paq. Edhe çmimet janë më të ulëta tani, por prapë do të ishin dëm paratë, sa kohë mbeten përsëri më të larta se shumë destinacione të tjera evropiane. Gjithsesi, për vanitozët, ky nuk është dhe aq problem. Vizita ka luksin e saj dhe kryesisht këto udhëtime janë individuale, dhe nuk kalojnë përmes agjencive, aq më pak të flitet për organizime paketash. Përgjithësisht, të interesuarit e nisin aventurën e pushimeve ekzotike me një fluturim nga Italia.
Turizmi vendas
Sa turizmi vendas, e bashkë me të edhe tregu i tij, të jenë ende të pastabilizuar dhe të vuajnë nga shumë mangësi, edhe agjencitë turistike mbeten pothuaj të përjashtuara nga menaxhimi i destinacioneve shqiptare, për turistët vendas. Megjithëse tentativat nuk mungojnë asnjëherë, madje edhe përgatitja e ofertave. Por këto më së shumti lakmohen në stinët e ndërmjetme, për destinacionet malore turistike, si Thethi e Valbona. Përjashto bashkëpunimet me agjencitë e huaja për tërheqjen e pushuesve të huaj drejt Shqipërisë, shqiptarët vetë, zor se do t’i drejtoheshin një agjencie turistike nëse do vendosnin që pushimet verore t’i kalonin në Sarandë, Vlorë, Velipojë apo Shëngjin. Këtë e konfirmojnë edhe vetë agjencitë turistike, të cilat, nga ana e tyre, nuk është se vuajnë këtë firo, pasi punën e kanë kanalizuar tek pushuesit që nuk zgjedhin Shqipërinë. “Dihet tashmë që shqiptarët vetë kryesisht veprojnë me kontakte individuale. Jo vetëm për mungesë të një organizimi të mirëfilltë nga ana e bizneseve akomoduese, por edhe sepse pjesa që duhet të mbulohet nga agjencitë është ende pambrojtur dhe e pagarantuar për cilësinë e shërbimit apo të papriturat që mund të paraqiten tek klientët. Kjo nuk ndodh për shembull në Turqi. Atje është i pamundur krijimi i kontrakteve personale me resortet. Gjithçka funksionon përmes rezervimeve me agjencitë turistike. Kjo edhe sepse të atilla kapacitete pritëse, nuk ka si të ndodh ndryshe pa kaluar nga tregu i agjencive. Së pari kjo dhe, së dyti, edhe sikur individualisht të kontaktoheshin hotelet apo resortet, nuk është se klientët marrin çmime preferenciale. Çmimet preferenciale i japin agjencitë, nuk llogaritet komision në këtë ligjësi bashkëpunimi”, a shpjeguar Klaudeta Bagaviki për Java.