Pushtimi i Krimese - Kosova denon Rusine Shqiperia e anashkalon

Pushtimi i Krimese - Kosova denon Rusine, Shqiperia e anashkalon

Diplomacia ndonjëherë mund të jetë më tepër diplomatike se sa duhet. Pushtimi rus në rajonin e Krimesë, territor i Ukrainës ka vënë në pah dhe diplomacinë e vendeve të ndryshme. Perëndimi e ka dënuar këtë hap të Presidentit Putin dhe pse ska ndërmarrë akoma masa ndaj Rusisë.

Një deklaratë për situatën në Ukrainë e ka bërë dhe diplomacia shqiptare. Por ministria e Jashtme e drejtuar nga Ditmir Bushati kujdeset që të mos përdorë fjalën Rusi dhe as Putin në asnjë rrjesht, dhe pse ndër rrjeshta dënohet pikërisht ajo çfarë bëri Rusia nën drejtimin e Putin…pushtimi i një territori ukrainas.

Më e drejtpërdrejtë ka qenë diplomacia e shtetit më të ri në Ballkan, Kosovës, ku ministria e jashtme ka dënuar ashpër ‘agresionin’ rus ndaj Ukrainës.

Më poshtë dy deklaratat:

Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë. Ministria e Punëve të Jashtme çmon rëndësinë e patjetërsueshme të integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës. MPJ beson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës”.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Kosovës

“Republika e Kosovës dënon agresionin mbi territorin e Ukrainës nga Federata Ruse, dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në kundërshtim të plotë të detyrimeve të Federatës Ruse sipas Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe Memorandumit të Budapestit të vitit 1994.

Veprimet e ndërmarra nga Federata Ruse janë një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë së Ukrainës dhe të rajonit më gjerë.

Republika e Kosovës bën thirrje të gjitha palëve që të respektojnë premtimet ndërkombëtare dhe të zgjidhin çdo shqetësim në lidhje me sigurinë përmes dialogut dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama