Nëse shtetasit nga Kosova vazhdojnë të mbajnë pozitën e liderit edhe këtë vit, rritjen më të madhe e kanë shënuar vizitorët nga Maqedonia me një rritje prej 22% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i vizitorëve nga Kosova ka shënuar një rritje prej 9-10%.
Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri, në tre muajt e sezonit veror kanë hyrë në Shqipëri rreth 350 mijë vizitorë nga Kosova, nga 319 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që në bazë të përllogaritjeve, vizitorët nga Kosova kanë njohur rritje gjatë pesë vjetëve të fundit, vizitorët nga Maqedonia kanë njohur një rritje të madhe për vitin 2012. Sipas të dhënave të operatorëve turistikë, kryesisht menaxherë të hoteleve në Plazhin e Durrësit, konfirmojnë se gjatë qershorit ka pasur rritje të ndjeshme të turistëve nga Kosova, të cilët kalojnë fundjavat në plazhet shqiptare. Kjo falë rrugës së re Milot-Kukës-Morin dhe modernizimit të një pjese të rrugës që lidh Prishtinën me pikën kufitare të Morinit. Sipas të dhënave nga operatorët, “turistët kanë qëndruar më shumë në Durrës dhe Vlorë, por gjatë këtij viti ka pasur gjithashtu një numër të konsiderueshëm të turistëve në Velipojë dhe Shëngjin, falë përmirësimit të infrastrukturës dhe njësive akomoduese.
Një fakt pozitiv që vihet re në të dhënat më të fundit të hyrjeve të të huajve në Shqipëri është rritja e peshës së të huajve në sektorin e turizmit, që është në fakt edhe synimi i qeverisë shqiptare, por edhe i operatorëve turistikë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, gjysma e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë qershor-gushtit të këtij viti kanë qenë shtetas evropianë, amerikanë dhe të tjerë. Dominancën e kanë italianët, numri i të cilëve këtë verë ka arritur në rreth 60 mijë veta.
Në fakt, të dhënat nga operatorët turistikë konfirmojnë se italianët kanë interes në rritje për pushimet në Shqipëri, sidomos në dy vitet e fundit.
Një tjetër shifër pozitive është ajo e gjermanëve, hyrjet e të cilëve po rriten me shpejtësi. Nëse në vitin 2007, në Shqipëri kanë hyrë vetëm 28 mijë gjermanë, në 2011 kjo shifër është 3-4 herë më e lartë, me rreth 78 mijë vizitorë.
Nga shifrat e Ministrisë së Brendshme rezulton se gjatë këtij sezoni veror kanë ardhur mbi 48 mijë gjermanë në Shqipëri dhe ndryshe nga italianët, numri i tyre është rritur ndjeshëm në muajt e nxehtë. Kjo konfirmon se gjermanët kanë ardhur në pjesën më të madhe për motive turizmi.
Edhe shtetasit britanikë kanë pasur një rritje të shpejtë në hyrjet e tyre gjatë 4-5 vjetëve të fundit. Në vitin 2011, rezulton se kanë hyrë në vendin tonë rreth 78 mijë turistë britanikë, 1.5 herë më shumë se në 2007-n. Gjatë sezonit veror të këtij viti kanë ardhur në Shqipëri mbi 40 mijë britanikë, por këtu përfshihet edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që kanë fituar nënshtetësinë angleze.
Çekët janë gjithashtu turistë besnikë të Shqipërisë, që megjithëse ende modestë në numër, po shënojnë rritje. Gjatë kësaj vere, mbi 5600 çekë kanë zgjedhur vendin tonë për pushimet. Ata preferojnë kryesisht Veriun e Shqipërisë, Thethin apo Valbonën.