I sapozgjedhuri në postin e Presidentit ia ka dalë ta bllokojë tërësisht informacionin në lidhje me jetën e tij private në një mënyrë që burrat më të mëdhenj të shteteve do ta kishin zili. Revista “Time”, e cila e ka shpallur Putin si “Personaliteti i vitit” në 2007-n, thotë se pavarësisht se ai e ka qeverisur Rusinë për më shumë se një dekadë, publiku rus nuk i njeh vajzat e tij, ndërsa thashethemet e dy viteve të fundit për ndarjen e tij nga gruaja nuk kanë mundur të kthehen kurrë në lajm të qëndrueshëm në faqet e gazetave.
“Medias ruse i është mësuar që disa çështje duhen lënë jashtë kufijve”, thotë Time në një artikull të korrikut 2011.
Mësimi më i qartë ishte ai që iu dha të përditshmes Moskovsky Korrespondent në vitin 2008. Në atë kohë, gazeta publikoi lajmin që pretendonte se Putin e kishte lënë të shoqen, Ludmilla, për t’u martuar me gjinasten olimpike 24 vjeçare Alina Kabayeva, anëtare e partisë së tij dhe deputete. Në lajm citohej një burim i afërt me planifikuesin e martesës, e cila pretendonte se Putin ishte divorcuar zyrtarisht nga e shoqja muaj më parë.
I pyetur në lidhje me këtë gjatë një konference shypi, Putin e mohoi lajmin dhe shtoi: “Jam i vetëdijshëm për faktin se politikanët jetojnë në një shtëpi xhami. Por edhe në këtë rast, duhet të ketë disa kufij. Asnjëherë nuk kam pasur mendim të mirë për ata persona që vërdallisen me fantazitë e tyre erotike duke i futur hundët në jetën e të tjerëve”.
Berluskoni, i cili ishte i pranishëm në konferencën e mbajtur në Sardenja, bëri një nga gjestet e tij karakteristike. Me duart në formë pistolete, ai iu drejtua gazetarit rus që bëri pyetjen. (Shtypi italian e konsideroi këtë si një shaka pa kripë duke marrë parasysh faktin që në Rusi shpesh gazetarët rrihen ose edhe vriten për punën e tyre).
Ndërsa Putin buzëqeshi dhe pohoi me kokë, por në të njëjtën ditë, Moskovsky Korrespondent u mbyll nga vetë botuesi me pretendimin se dilte me humbje. Ky episode shënoi dhe lindjen e një tabuje të re.
Por shteti rus duket se nuk ka mundur të censurojë lajmet që qarkullojnë nëpër blogje. Në 2010-n, një bloger i njohur si Pavel Pritula përhapi në internet lajmin se gruaja e Putinit jetonte në një manastir në Pskov, ndoshta i njëjti vend ku Ivani i Tmerrshëm dhe Pjetri i Madh syrgjynosnin gratë e padëshiruara. Kisha ortodokse ruse e cilësoi si nonsens lajmin, ndërsa Putin refuzoi të përgjigjej. Por ai u përhap si virus në komunitetin e internetit.
“Time” thekson se në në vend të një ligji për shpifjen, kontrolli i shtetit mbi shumicën e mediave dhe mentaliteti që ka lënë pas regjimi sovjetik dhe ai i carëve bën që imazhi i lideri të mbetet i paprekshëm për masën e gjerë. “Liderët e vërtetë, liderët politikë nuk duhet t’i binden opinionit publik, ata duhet ta formojnë atë”, citohet Konstantin Kosachyov, një deputet i partisë së Putin.
Por regjimi rus ka përballë sfidën e internetit, ndaj të cilit edhe Putin është detyruar të reagojë.
Në shkurt të 2008-s në një dalje televizive ai foli për herë të parë për të bijat. “Kanë jetë normale dhe kjo më bën të lumtur”. Ndërsa në tetor, ai u shfaq së bashku me të shoqen, Ludmilla, në një tentativë për të shuar zërat që flisnin për divorc. “Unë jam zonja Putin”, theksoi ajo, por në dorën e saj u vu re qartë mungesa e unazës së martesës.