Presidenti i Rusisë Vladimir Putin urdhëroi trupat e përfshira në stërvitjen ushtarake në Rusinë perëndimore të rikthehen në bazat e tyre, një njoftim që duket se synon të lehtësojë tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit si dhe të ulë frikën për një luftë në Ukrainë.
Tregjet financiare të Rusisë fituan 4 për qind sot, ndërsa patën humbur 12 për qind ditën e hënë. Forcat e Moskës vijojnë të kenë nën kontroll rajonin e Krimesë, të cilën e kapën pa gjak.
Rusia pagoi një çmim të rëndë financiar të hënën për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, ku bursat e vendit ranë me 12 për qind, gjë që do të thotë se kompanitë ruse të tregtuara në këto bursa vlejnë afro 60 miliardë dollarë më pak se sa javën e kaluar.
Putini deklaroi në fudjavë se ka të drejtë të pushtojë Ukrainën për të mbrojtur interesat e Rusisë dhe nënshtetasit e vet pasi presidenti i mbështetur prej saj, Viktor Janukoviç, u rrëzua nga pushteti nga protestat popullore.
Stërvitjet ushtarake në Rusinë qëndrore dhe perëndimore që filluan javën e kaluar rritën frikën se Rusia mund të dërgojë ushtrinë e vet në rajonet rusisht-folëse në Ukrainën lindore.
“Komandanti suprem i forcave të armatosura të Federatës së Rusisë, Vladimir Putin, dha urdhër për trupat dhe njësitë që morën pjesë në stërvitjen ushtarake, të kthehen në bazat e tyre,” njoftoi Kremlini.
Megjithëse fundi i stërvitjes qe planifikuar, njoftimi dha një mesazh më pajtues se sa retorika luftarake e ndjekur nga Rusia gjatë ditëve të fundit.