QSUT operohet zemra e vogelushit te sapolindur

QSUT, operohet zemra e vogëlushit të sapolindur

Defektet në zemër, operohet për herë të parë në QSUT fëmija me peshë 3.5 kilogramë

Një bebe njëmuajsh lindi me “këmishë”, edhe pse me defekt në zemër. Kjo histori tregon se mrekullitë nuk ndodhnin vetëm 1400 vjet më parë, atëherë kur u shkrua Kurani apo Bibla, por edhe në jetën tonë të përditshme... Nuk dihet nëse duhet të jetë vogëlushi shqiptar ai që duhet të mbajë emrin “Shpëtim”, apo duhet të jetë mjeku që i shëroi zemrën e tij të vogël që të pagëzohet me emrin “salvatore”.

Dje në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” është realizuar një operacion i vështirë, më i rëndësishmi që është kryer ndonjëherë te fëmijët e vegjël. Data 19 shkurt do të shënojë realizimin e një prej ndërhyrjeve më të komplikuara, të raportuara ndonjëherë në Shqipëri, në fushën e kirurgjisë pediatrike. Dje u operua për herë të parë në QSUT një fëmijë 1 muajsh. Ai kishte defekte të rënda në zemër. Vogëlushi, pak më shumë se tre kilogramë, i është nënshtruar një operacioni falë ndërhyrjes që ka bërë në sallën e kardiologjisë, shefi i kardiologjisë pediatrike në spitalin e zemrës në Massa Carrara, Bruno Murzi dhe kardiopediatrit shqiptar, Arben Baboçi.

Grupi i specialistëve italianë për vite me radhë vijnë në mënyrë periodike për të kryer operacionet që mjekët shqiptarë nuk mund t’i kryejnë dot, në moshat pediatrike.

“Mund të themi se ka qenë një ndërhyrje e suksesshme e një defekti kompleks. Fëmija kishte nevojë urgjente për ndërhyrje, pasi kishte ngushtim të arteries dhe një defekt ventricular, i cili duhet korrigjuar sa më parë”, tha pas operacionit doktor Murzi. Ndërkaq, Baboçi, shtoi se fëmijës i duhet edhe një ndërhyrje tjetër për një korrigjim të plotë, ndoshta pas një viti. “Për spitalin tonë është sukses kjo ndërhyrje, pasi është hera e parë që operohet një fëmijë i kësaj moshe dhe peshe. Megjithatë, operacioni i sotëm dëshmoi se këto operacione, edhe me asistencën e kolegëve tanë nga Italia, mund të kryhen këtu shumë shpejt”, tha Baboçi.
Projekti

Dr. Murzi bashkë me mjekë të tjerë të spitalit Massa ka asistuar në Tiranë në një javë trajnimi lidhur me përdorimin e aparatit të telemjekësisë, që është instaluar në maternitetin “Koço Glozheni”. Aparati, një dhuratë e qendrës “Un curore, un mondo”, pranë spitalit në Massa Carrara, u jep mundësinë mjekëve shqiptarë që të konstatojnë që në shtatzëni defektet në zemër që mund të ketë fëmija, duke përshpejtuar kështu përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e rrugëzgjidhjeve në kohën e duhur.

“Ne tashmë, kemi edhe degën e qendrës sonë në Shqipëri, e cila në kontakt me ne dhe doktorët tanë, do të mund të përshpejtojë mundësinë e zgjidhjeve, qoftë duke ardhur ne në Tiranë, qoftë duke e sjellë pranë spitalit në Massa për ndërhyrje, duke përfshirë këtu edhe rastet përpara lindjes”, tha për “Shqip” koordinatori i projektit “Zemra e Ballkanit”, Giorgio Ricci.

Sipas tij, projekti parashikon asistencë të mjekëve shqiptarë me qëllim përcaktimin e diagnozës që në momentet e para, çka do të çonte edhe në dhënien e zgjidhjeve.
Prova

Dje në ambientet e maternitetit “Koço Glozheni” janë bërë edhe disa eko me lidhje direkte, ku kardiologët italianë, në asistencë të mjekëve shqiptarë, janë lidhur me kolegët e tyre me spitalin në Massa, duke përcaktuar diagnoza të disa pacientëve për të cilat dyshohej më parë për probleme të fetusit. Doktoreshë Nadia, kardiologe në Massa Carrara, u shpreh se telemjekësia do të jetë edhe një urë lidhjeje që do të japë përgjigje në kohë për rastet që mjekët shqiptarë do të sugjerojnë për vizitë gjatë shtatzënisë, apo edhe në rastet e të sapolindurve, për të cilët konstatohen defekte në zemër, siç ishte edhe rasti i fëmijës së operuar dje në QSUT. Sipas të dhënave që kanë sot mjekët kardiologë, dyshohet se janë rreth 300 lindje të fëmijëve me probleme në zemër çdo vit në të gjithë Shqipërinë, çka do të thotë, një fëmijë për njëmijë lindje. “Telemjekësia, e vendosur në maternitetin tonë, do t’u japë mundësinë mjekëve që ta konstatojnë defektin që gjatë shtatzënisë, apo në momentin e lindjes, me qëllim që zgjidhja të jetë e shpejtë”, u shpreh drejtoresha e maternitetit “Koço Glozheni”, Rubena Moisiu.


Nga : gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama