Për të shmangur keqkuptimet dhe zhgënjimet, do të mjaftonte të kujtonim se edhe në këtë rast, si në të gjitha fushat e estetikës që "kufizohen" me mjekësinë dhe anasjelltas, është shumë e rëndësishme t‘u drejtohemi profesionistëve të cilët janë të specializuar në këtë fushë. Sigurisht që ekzistojnë edhe metoda zbardhimi, të cilat gjenden në farmaci dhe mund të aplikohen në dhëmbë pa qenë e nevojshme t‘i drejtohesh mjekut stomatolog. Nuk bëhet fjalë për produkte të rrezikshme ose të dëmshme, por thjesht niveli i efektshmërisë së tyre është më i vogël dhe jo aq i gjatë sa trajtimet që ndiqen në bazë të sugjerimeve dhe këshillave mjekësore.
Pasi keni marrë vendimin për të zbardhur dhëmbët, duhet të vendosni, sigurisht duke u konsultuar edhe me dentistin personal, se çfarë lloj trajtimi t‘i nënshtroheni. Agjenti zbardhues më i përdorur sot është peroksidi i hidrogjenit, një substancë që gjendet tek uji i oksigjenuar, i cili vepron pa dëmtuar smaltin.
Ajo që bën diferencën është përqindja e substancës me të cilën përbëhet xheli: nëse ai do të përdoret në shtëpi, përqindja duhet të jetë më e vogël, ndërsa kur përdoret në një klinikë përqindja është më e madhe. Për të kryer trajtimin në shtëpi, mjeku stomatolog ju merr masën e dhëmbëve dhe më pas bën një maskë transparente, të cilën në momente të caktuara do ta mbani në gojë. Për të kryer zbardhimin, do të aplikoni mbi maskë xhelin me bazë peroksid hidrogjeni dhe duhet ta mbani në gojë gjatë natës. Kjo procedurë përsëritet për 2-3 javë rresht. Por nëse vendosni t‘i nënshtroheni zbardhimit të dhëmbëve në një klinikë dentare, dentisti do të përdorë një xhel shumë herë më të përqendruar, parimi zbardhues i të cilit aktivizohet nga drita e llambave speciale, që bëjnë të mundur depërtimin e peroksidit të hidrogjenit në dhëmbë ("Power Bleaching"). Në pjesën më të madhe të rasteve, vetëm me një seancë zbardhimi arrihet rezultati i dëshiruar.
Pavarësisht se zbardhimi kimik konsiderohet më pak i dëmshëm, ato që i bëjnë edhe më të pasigurt personat e pavendosur janë paragjykimet dhe frika për dëmtimin e smaltit. Por në fakt ndjeshmëria e dhëmbëve dhe irritimi i gingivave gjatë ditëve pas trajtimit mund të shmangen vetëm nëse ndiqen me përpikëri këshillat e dentistit, megjithatë janë shqetësime të vogla, të cilat mund të zhduken pas pak kohësh.
Dihet që në natyrë dhëmbët e bardhë si porcelani nuk ekzistojnë. Ngjyra e tyre është personale, pak a shumë si ngjyra e lëkurës, që çdo njeri ka të tijën. "Ngjyra e bardhë natyrore" e dhëmbëve përfshin nuanca të së verdhës dhe grisë, kafe dhe pak të kuqërremtë. Për shembull, kaninët (dhembët e qenit), kanë ngjyrë paksa më të errët se të tjerët. Pra ndryshe nga ajo që mund të mendohet, nuk është smalti ai që u jep ngjyrën dhëmbëve. Në fakt as smalti nuk ka një ngjyrë të tijën, është i tejdukshëm. Nga sipërfaqja e tij e tejdukshme pasqyrohet ngjyra e dentinës. Por me kalimin e kohës smalti mund të ngjyroset duke thithur pigmente nga ushqimet dhe pijet. Kështu, kur njeriu plaket, dhëmbët fillojnë të nxihen dhe të humbasin shkëlqimin dhe bukurinë e tyre të dikurshme. Kjo është edhe arsyeja që shumë njerëz dëshirojnë ngjyrën e bardhë të porcelanit, me qëllim që dhëmbët e tyre të duken sa më të bardhë dhe kjo mund të arrihet lehtësisht falë odontologjisë kozmetike.