100-vjetori i Pavarësisë po ndihet sidomos së fundmi, kur na ndajnë vetëm disa ditë nga festimet që do të mbahen në të gjithë vendin, por edhe përtej tij. Të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, si ata që pozicionohen brenda kufijve edhe ata jashtë tyre, po presin me padurim ardhjen e kësaj dite të madhe për kombin tonë. Ndjeshmëria, në këtë vit jubile, duket se ka arritur majën. Çdo familje, çdo fëmijë, i ri apo i rritur, ka shpenzuar para për t’u ndier më afër vendit të tij, për të qenë të gjithë bashkë, një komb, një gjuhë, një frymë. Si një formë kontributi apo edhe shprehjeje të identitetit të tyre, që siç thonë vetë ata nuk do e ndërronin me asgjë tjetër, ata valëvisin në ballkone, oborre apo në makinat e tyre flamujt kuq e zi, si për të treguar se janë krenarë që janë shqiptarë. E megjithatë, ndonëse flamuri është simboli që preferohet më shumë, ai për të cilin edhe shpenzohet më shumë, në listë nuk mbeten prapa suveniret apo emblemat që përfaqësojnë kombin tonë.
Një nga qëndistarët më të njohur në kryeqytet, Ylli Kazazi, pasardhës i një prej familjeve që e kanë ruajtur traditën brez pas brezi, që e ushtron këtë profesion që prej vitit 1980, ndonëse zanatin e ka mësuar që në vogëli, tregon për gatishmërinë e shqiptarëve për të blerë flamuj, suvenire apo emblema, ato që përfaqësojnë vendin tonë.
“Interesimi i qytetarëve për të blerë elemente që përfaqësojnë 100-vjetorin e Shqipërisë shtet ka nisur prej disa muajsh, ndonëse fluksi është rritur me një ritëm të jashtëzakonshëm 5 ditët e fundit. Duke qenë se qytetarët janë të interesuar të blejnë sa më shumë, qëndistarët kanë kërkesa të panumërta nga tregtarët, të cilët shesin këto lloj produktesh në dyqanet e tyre të suvenireve. Prej afro 5 ditësh tregtarët më kanë kërkuar të prodhoj të paktën 10 flamuj në ditë. E kam fjalën këtu për flamujt me qëndisje, ato të cilat janë cilësorë, për rrjedhojë duan kohë për t’u realizuar, por që natyrisht kanë edhe kosto”, sqaron qëndistari Kazazi për gazetën “Shqip”.
Ai tregon se ky simbol është tri llojesh, të cilat ndahen sipas cilësisë, ndërsa pohon se varet nga përzgjedhja që bën klienti, ai që vendos që të investojë për një flamur të stampuar apo të qëndisur. Kazazi pohon se ditët e fundit vërehet interesim i madh për flamujt me qëndisje, të cilat përfshihen në kategorinë e punimeve artistike, pasi bëhen me dorë, ndonëse nuk përjashtohet edhe fluksi i kërkesave për flamujt me stampim, të cilat janë cilësore në një formë tjetër. Ai nënkuptoi se shpesh qytetarët tërhiqen për të blerë flamujt me qëndisje, pasi janë më të kushtueshëm, sepse vetë procesi i realizimit të tij është i kushtueshëm, ndonëse ata nuk janë në dijeni të kësaj specifike.
Zanatçi i vjetër, i pasionuar pas këtij profesioni, qëndistari nuk ngurron të tregojë sesi punohet një flamur i qëndisur, formati i të cilit është 140 me 1, përmasat që njeh ligji.
“Copën e blej në tregun e shumicës. Marr tri lloj materialesh, sepse flamuri mund të prodhohet në tri forma, siç është atllazi, astari apo puplini. Përgjithësisht preferoj materialin e atllazit, pasi është cilësor, i bukur për syrin dhe qëndisja kryhet më lehtë, sepse vetë copa ta krijon këtë komoditet, ndërsa astari dhe puplini kanë vështirësi në qëndisje, ndonëse edhe aty mund të arrihet. Mbi dizajnin, që kuadratin formën e shqiponjës, kryej qëndisjen e shqiponjës me pe të zi, shkruaj 100 vjet Pavarësi, të cilën e qëndis me fije ari, i vendos thekët, që janë dy llojesh, mëndafsh ose pambuk, sepse fijet e arit kushtojnë shumë”, shprehet Kazazi.
Ai rrëfen se edhe copa e flamurit ka rëndësinë e saj, sepse atllazi është material që shkëlqen, që shërben kryesisht për ambiente të brendshme, siç janë shtëpitë, astari shërben për përdorim të jashtëm, pasi i reziston shiut, erës dhe diellit, ndërsa puplini është material i dorës së dytë, që pothuajse nuk përdoret.
Teksa shpjegon me dashamirësi e kënaqësi punën e tij, qëndistari pranon se në varësi të materialit apo punimit, me stampim apo qëndisje, ndryshon edhe çmimi.
“Në rastet kur në flamur nuk shkruhet mbishkrimi 100 vjet Pavarësi, unë si prodhues e shes 20 mijë lekë të vjetra, ndërsa tregtari e shet 30 mijë lekë, ndërsa kur këtë mbishkrim e qëndis me fije ari, unë e shes me 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa tregtari 40 mijë lekë. E megjithatë, pavarësisht çmimit, shitja e tyre, sipas të dhënave që kam, ka ecur paralelisht. Di të them që në këtë vit të rëndësishëm për vendin tonë është rritur numri i klientëve cilësorë, që do të thotë numri i atyre që shpenzojnë për një flamur që në të vërtetë përbën vlerë, pasi është në përputhje me të gjitha standardet e kërkuara, jo ata të cilët janë të deformuar nga ana artistike”, shprehet qëndistari.
Ai thotë se nuk mungojnë edhe kërkesat për blerje të suvenireve apo emblemave, simbole që kushtojnë lirë, nga 20-30 mijë lekë të vjetra.
Por, përballë prodhimit të flamujve që bëhen me dorë, punime tërësisht artistike, paraqitet një realitet tjetër. Në tregje, minimarkete apo tek ambulantët shiten flamuj, materiali i të cilëve i përket dorës së dytë. E megjithatë, nuk është vetëm ky problemi, dizajni i shqiponjës është i tjetërsuar, i deformuar, një shqiponjë e fryrë, ku gjuha dhe goja janë një element i vetëm, vështirë të dallosh secilën prej tyre të ndarë.
Çmimet e tyre variojnë nga 3500-5000 lekë të vjetra, copat e të cilave nuk janë cilësore dhe kundërmojnë aromë të pakëndshme. Nga ana tjetër, suveniret me figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut apo Ismail Qemalit kushtojnë vetëm 10 mijë lekë të vjetra.