Qendra Kombetare e Artit ende pa borde

Qendra Kombetare e Artit, ende pa borde
Pritet emërimi i katër bordeve që do të marrin në shqyrtim projektet artistike. Fokusi do të jetë 100-vjetori i Pavarësisë dhe drejtori Frrok Çupi ka folur për një sërë aktivitetesh festive.

Qendra Kombëtare e Artit, e shpallur funksionale prej korrikut të këtij viti, çalon ende me bordet. Rrjedhimisht, dosjet e projekteve artistike mbeten ende të pahapura. Në deklaratën e parë për mediat, në prani të ministrit të TKRS-së, Aldo Bumçit, drejtori Frrok Çupi foli për katër borde, që u përgjigjen fushave përkatëse që do të mbulojë kjo qendër: bordin për artet pamore, muzikën, artin teatror dhe botimet.

Disa herë është thënë se në përbërje do të jenë specialistë dhe emra të njohur të fushave që do të mbulojnë, por realisht nuk janë bërë publik dhe shqyrtimi i projekteve nga ana e tyre nuk ka filluar. Interesi për aplikim nuk ka munguar, e kjo duket nga artistët që takon në Ministrinë e Kulturës, të cilët mbajnë me vete edhe dosjet. Thuhet se bordet do të firmosen së shpejti nga ministri Bumçi, ndërkohë që ky do të jetë viti i parë i aplikimit të formulës për kalimin e projekteve nga MTKRS-ja në drejtim të Qendrës Kombëtare të Artit.

Aktualisht, ky institucion i ri është vendosur në ambientet e MTKRS-së dhe ka një staf të limituar. Ministri Bumçi pati deklaruar se do t’i japë më shumë hapësirë ministrisë që drejton, që të merret me politikat kulturore. Ndërkohë, shqyrtimi i projekteve artistike është më se i vonuar. Në konferencën e muajit korrik, drejtori Çupi theksoi se fokusi do të jetë kryesisht tek aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Në këtë mënyrë, edhe buxhetet do të jenë të ndara. Një i Ministrisë së Kulturës (nga e cila ende nuk ka një kalendar të aktiviteteve) dhe një buxhet i QKA-së, që u tha se do të jetë rreth 30 milionë lekë të reja (nga e cila nuk kemi ende bordet e ngritura që të shqyrtojnë projektet). Megjithatë, drejtori Çupi ka folur tek-tuk për ndonjë aktivitet që është parashikuar të ndodhë. Në këtë pikë, në buxhetin e QKA-së nuk do të përfshihen aktivitete të tilla si Festivali Mbarëkombëtar i Filmit, Festivali Mbarëkombëtar i Dramës, konkursi për muzikën e kultivuar, panaire në fushën e turizmit, ekspo arti etj., që janë parashikuar për MTKRS-në.

“Jemi në korrik-gusht, është një vit i koncentruar, viti më i lavdishëm për nga performanca e historisë së kombit dhe në pak kohë ia vlen të koncentrosh manifestimin e kulturës, artit dhe shpirtit të popullit. Këtë vit flasim për botimin e madh, veprën e madhe, spektaklin e madh, spektaklin e sheshit dhe të rrugës, manifestin monumental në veprën e artit dhe kulturës”, u shpreh drejtori Frrok Çupi gjatë konferencës së prezantimit të këtij institucioni të ri. Në fakt këto vitet e fundit, projektet artistike kanë qenë gjithnjë në amulli, për shkak të vonesave të buxhetit apo për shkak të bordeve.

Po ashtu, produkti që i është prezantuar publikut ka qenë gjithnjë i dyshimtë e po kaq edhe shifrat që i kanë shkuar njërit apo tjetrit projekt. Në faqen zyrtare të QKA-së, www.qkak.gov.al, për të cilën drejtori Çupi pati folur si një dritare transparence, nuk është hedhur ende asnjë informacion më shumë, përveçse formularit të aplikimit online. Duke qenë se ky është një vit specifik festimesh e Qendra Kombëtare e Artit u fut vonë në lojë, mënyra reale e funksionimit të saj do të duket për vitin e ardhshëm.

30 milionë

Qendra Kombëtare e Artit ka një buxhet prej 30 milionë lekësh të reja në dispozicion për aktivitetet artistike të këtij viti. Në deklaratën e tij, ministri Bumçi pati theksuar se mund të ndryshojë në varësi të aktiviteteve

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama