E vetmja gjë që dihet është se dosjet kanë shkruar në drejtorinë e protokollit në MTKRS, por nuk dihet se kush janë emrat që janë kandidatë për kryetarin e institucionit, i cili për shumë muaj u përfol mes artistëve ndërsa mendime pro dhe kundër shoqëruan miratimin në ligjin e ri të artit. Pranë MTKRS bëjnë të ditur se dosjet tashmë janë të protokolluara dhe pritet që të ngrihet komisioni i përbërë nga personalitete të fushës, i cili do të marrë në shqyrtim kandidaturat, por kjo gjë nuk dihet se sa do të vonojë pasi ende nuk është ngritur komisioni, emrat e të cilit duhet të marrin firmën e ministrit Aldo Bumçi. I gjithë ky proces deri më tani ku MTKRS ka mbledhur dosjet për kreun e QKA pa ngritur ende një komision nuk është bërë transparent për mediat apo edhe për komunitetin e artistëve, të cilët më shumë se kushdo tjetër janë të interesuar për këtë problem. Shumë prej emrave të artit tregojnë se tashmë ngritja e këtij institucioni do të vijojë të mbetet një problem dhe gjatë vitit tjetër, ndërkohë që zvarritja e këtij procesi solli dhe një amulli në projektet artistike dhe kulturore.
Gjatë gjithë vitit në MTKRS u fol vetëm për politika zhvillimi në drejtim të artit dhe kulturës, por situata e projekteve artistike tregoi të kundërtën. Shumë aktivitete u anuluan, disa të traditës nuk u zhvilluan duke sjellë dhe një zbehje të jetës artistike dhe kulturore në vendin tonë, ku duket që problemet ende nuk kanë marrë fund. Kryetari i QKA është një pozicion i cili lakmohet jo pak, por mbledhja e dosjeve nga MTKRS kur ende nuk ka ngritur një komision i cili duhet të marrë në shqyrtim kandidaturat tregon më së miri që ky është një proces fals. Kryetari i QKA që do të përzgjidhet nga ky konkurs do të ndërtojë më pas administratën e Qendrës Kombëtare të Artit, e cila do të merret me miratimin e projekteve artistike. QKA ka pasur një bazë ligjore, por u bë një vit dhe ajo nuk po funksionon.
Mungesa e QKA, konflikt mes artistëve dhe MTKRS
Inekzistenca e QKA bëri që këtë vit të kemi një bllokim të të gjithë projekteve të artit dhe kulturës, të cilët gjenin mbështetje financiare nga dikasteri ministror. Buxheti i pamjaftueshëm, ndoshta dhe i menaxhuar jo mirë bëri që këtë vit Ministria e Kulturës të përballet me një situatë konfliktuale me artistët. Për emra të njohur të artit, politika që u ndoq këtë vit në drejtim të projekteve artistike ka qenë jo e drejtë. Sipas tyre jemi në muajin e fundit të vitit dhe është e trishtueshme kur mendon çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe, ku për shkak të bllokimit të projekteve artistike një panoramë e mjerë artistike mbizotëroi në vendet ku vite më parë zhvilloheshin aktivitetet e artit dhe kulturës.
Miratimi i ligjit të ri të artit një vit më parë solli krijimin e disa institucioneve të reja të kulturës, si QKA apo teatri Kombëtar i Komedisë, por ndërsa QKA ende është në letër, problemet që shoqëruan TKK bënë që të niste me shumë vonesë aktivitetin artistik. Kështu Teatri i Komedisë mezi mundi të vërë në mes të muajit dhjetor premierën e parë. Përballë kësaj situate për shumë artistë duhej të ishte menduar më parë se si duhej të funksionin këto institucione në ligjin e ri të artit dhe jo të rrëmbenin buxhetin e projekteve artistike.