Qendra më e rëndësishme e realizmit dhe derdhjes së veprave të artit do të zhduket dhe rrafshohet nga kompania e ndërtimit të Mihal Delijorgjit. Të parët që janë alarmuar për fatin e kësaj qendre të rëndësishme janë familjarët e njërit prej mjeshtërve të mëdhenj të rilindjes dhe modernitetit të skulpturës shqiptare, skulptorit Janaq Paço(1914-1991).
Vepra “Dy gladiatorët” që është planifikuar për t’u vënë në Amfiteatrin e Durrësit, aktualisht ndodhen në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në sheshin e ndërtimit që ka marrë në pronësi Deligjorgji. Familjarët dhe disa dashamirës që strehojnë prej vitesh veprat e skulptorit të madh rrëfejnë se janë gati të hidhen në tokë “Dy gladiatorët”, të cilët janë një legjendë më vete e diskriminimit të kryeveprave të artit shqiptar nga institucionet e shtetit.
“Ato mezi janë arritur të restaurohen, të mblidhen copat dhe të bëhen prej betoni, për të mos zënë në gojë që u lanë gjysmë të realizuara se u derdhën në beton”, shprehet Spartak Hasamataj, mik i ngushtë i familjes Paço, i cili kujton se “Ministria e Kulturës premtoi se do t’i vinin në shesh për 100-vjetorin s’i vunë”. U deshën të vinin përvjetorë të tjerë, prapë premtime e prapë s’i vunë, tregon Hasamataj, duke shtuar se “tani pritet të shkatërrohen sepse rreziku është prezent”.
Spartaku në prani të djalit të skulptorit Janaq Paço pohon për “Shqiptarja.com” se “Dy gladiatorët” i ka zili edhe bota dhe duhen vendosur në qendër të populluar por të paktën të vendosen atje ku ka pasur dëshirë Janaqi, në vendin për të cilin janë bërë”.
Hasamataj që ndihmon familjen duke ruajtur në ambientet private të tij disa nga veprat e skulptorit të njohur, thotë ndër të tjera se “as Galeria Kombëtare e Arteve, as Ministria e Kulturës nuk tregon kujdesin më të vogël për këtë emër të madh të skulpturës shqiptare”.