Qendrimi

Se jam këtu kur s'kish njeri,
kur s'kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
- dem baba dem -
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vegjëli.
Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulëbardhë e kryelidhur,
kryelidhur me një shami;
me tri shami
për trimëri!

Jam eshtërmadh,
i vrazhdë jam,
e bojalli -
dhe sytë e mi
janë plotë shkëndi
si batërdi.
Dhe kam uri
si s'ka njeri -
për drejtësi
e për liri.
Si të gjithë asimët
e të gjithë qerimët
e vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vegjëli;
se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
edhe gllavnikët.

Ma vranë
se urdhër dha vojvodi
e krali vetë:
"Të vritet!"
Se ish kosovar
dhe se ish zot
mbi këtë dhe!

Dhe tokën që kisha nga baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënjë -
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet,
ma morën.
Ah!
Ma morën vatanin
që e desha si xhanin!

Ma morën,
me armë në duar,
me gjak nëpër duar.
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok;
si sorrat
për kërrmë.

Oborin ma morën
gjer në shtëpi
dhe ngrenë për vete shtëpi
në sytë e mi!
Dhe unë,
ja, unë,
që isha zot
që qëmot,
mbeta pa dhé,
bujk pa dhé,
bari pa kopé -
këtu
në dheun tim.

Dhe plori m'u ndryshk,
hambari m'u myshk...

Po shpresa s'mu vyshk!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama