Blerta Kambo është një nga të rinjtë që i është bashkuar ekspozitës "Onufri" këtë vit dhe prezantohet me 2 foto te titulluara: "Argumenti njerëzor". Fotografitë bardhezi janë shkëputur nga seria prej 18 fotografish që trajtojnë këtë koncept të sajin.
Në pamje të parë shihet fytyra e një burri me sy gjysmë të mbyllur, e përkrah tij portreti i një vajze me sy të mbyllur. Të dy i arratisen realitetit.
Arratisje. Këtë ka dashur edhe Kambo të thotë me ciklin e fotografive, edhe pse nëpërmjet një rruge të fshehtë, që të ngatërron me detajin e syve të hapur apo të mbyllur, sfondin e qartë pas krahëve të dy personave, mjegullën që i rrethon, gjendjen e përhumbur të të dyve.
Edhe këtë herë është koncepti, nga i cili është udhëhequr Blerta, por që shtjellohet me një teknikë tjetër në fotografinë e saj. "Koncepti është gjithmonë kryesor në punët e mia. Vjen ai fillimisht, pastaj ana teknike", pohon krijuesja.
Vitin e kaluar, u prezantua në ekspozitën "Ardhje" me punën: "Unë dua të jem anoreksike", një seri fotosh që trajtonte procesin e 16 ditëve të anoreksisë. Ato shoqërohen me nw tekst qw shpjegon çfarw ka ndodhur: "Mendova për ushqimin dhe sesi nuk duhet të mendoja për të", e deri në ditën e 16-të ku thuhet: "Ndjehesha e ngopur me zbrazëti"
"Një proces mallkimi dhe bekimi" e quan ajo fotografinë, ku shpesh brenda saj "përleshen", koncepti dhe teknika e përkryer.
Tek bisedon me të për "Onufrin", pwr fotografinë, në portretin e vajzës flokëkuqe e me sy kafe të gjallë, sheh forcën e të riut që do të dijë, ka etje për më shumë, është rrëmbyer nga arti dhe nuk do të ndalet.
Përveç "Ardhjes", vitin e kaluar është prezantuar tek "Fokus" me "Portret politikani". Ka marrw pjesw në ekspozitat "Shqipëria e huaj" në galerinë "Les Salaisons" Paris, "Albanian Women Exposed" Nju Jork dhe në ekspozitën "Nëntori" Shkup.
Blerta, përse është e rëndësishme pjesëmarrja tek "Onufri"?
Pikë së pari, sepse në Shqipëri nuk ke mundësi tjetër ku të ekspozosh. Gjatë një viti, mund të marrësh pjesë vetëm tek "Ardhje" dhe "Onufri". Kam qenë tek të dyja këto ngjarje dhe zakonisht, çfarë organizohet këtu, përpiqem të marr një informacion dhe të punoj për to. Fatmirësisht, kam një "portfolio" (përmbledhje e krijimtarisë përfaqësuese të artistit), të përmbushur deri diku, që vazhdimisht po zhvillohet.
Je prezantuar me dy fotografitë, "Argumenti njerëzor". Përse i ke quajtur kështu?
Në përgjithësi, tek të gjitha punët, e kam shumë të lidhur fjalën me imazhin. Nuk dua të jem ilustrative. Dua që një krijim të jetë i hapur ndaj interpretimeve. Por, ndërkohë të mos largohet nga ajo që unë kam dashur të përflas. Kjo është një seri prej 18 fotosh. Në të gjitha, personi i fotografuar nuk është në fokus.
Në fokus është background i tij.
Të dy imazhet, edhe pse janë shumë "flu", të shfokusuar, i kanë tiparet identifikuese. Jam përpjekur të ketë një steriotip tek personat që kam zgjedhur, të kujtojnë diçka. Fotoja e djalit me kapele, më sjell ndërmend piktorin belg Magritte. Vajza më çon tek personazhet e viteve '60.
Sigurisht, nuk ka të bëjë fare me personazhet, por me mohimin. Argumenti njerëzor është mohimi njerëzor, deri diku, por jo mohimi i tyre. Është mohimi njerëzor, që unë kam nevojë ndonjëherë.
Na e përshkruaj pak këtë gjendje.
Përgjithësisht, jam kurioze për gjithçka. Puna që bëj me jep mundësinë të shoh njerëz dhe situata nga më të ndryshmet, asnjë ditë nuk është njësoj. Ndonjëherë kjo bëhet shumë e lodhshme dhe pavarësisht se koha, hapësira, gjithçka më kuriozon, qenia ime ndonjëherë është si një spektatore, vepron mekanikisht.
Në një moment më duhet ta mohoj diçka. Më duhet të shkoj t'i bëj një foto dikujt, por nuk do të doja t'ia bëja. Ndonjëherë kam nevojë "të arratisem".
Çdo proces krijimi është shumë personal. Nis nga vetja. Duhet të jesh i qartë me veten njëherë, dhe pastaj të arrish ta nxjerrësh, të kesh një lloj sinqeriteti atje. Këtë kam bërë dhe më këtë seri. Deri diku më bëri të ndihesha më mirë. Është çlirim i mbytjes, shtrydhjes që ke nga përditshmëria.
Për sa i përket teknikës, kam përdorur diafragmën më të madhe. Që të jenë sa më pak në fokus personazhet dhe ndërkohë po ta afrosh foton, në background mund të shikosh detajet. Arsyeja përse unë kam përdorur background-e shumë të pastra, pa rrëmujë, të gjitha i kam bërë për të dhënë interpretime. Më pëlqejnë interpretimet e ndryshme.
Zgjodha edhe ta printoj jo në letër fotografike. Doja që të kishte edhe një lloj ngatërrimi të tillë: "është foto" apo "nuk është foto". Në fakt mediumi nuk kishte rëndësi për mua.
Këto ide duken të përafërta me fotografitë e para të tuat.
Gjithmonë është e rëndësishme gjendja që unë kam dhe si mund ta shpreh atë. Ngjashmëria është kjo: Sërish përdora medium fotografinë, pata një koncept dhe e realizova. Megjithatë, e para, nuk ishte ende aq mirë teknikisht, duket që koncepti ishte kryesori. Rëndësia nuk ishte tek fotot.
Ato ishin pasoja, nuk ishin shkaku. Atëherë nuk i vija fare rëndësi teknikës. Kurse tani e mendoj edhe këtë tjetrën.
Jam rritur dhe kam kuptuar sesi funksionojnë gjërat në art, në përgjithësi, jo vetëm këtu në Shqipëri.
Në Shqipëri mungojnë më tepër mundësitë që ti të testosh veten në këtë lojë. Deri-diku edhe arti është një lojë. Ka lojtarë, ka rregulla si çdo fushë tjetër. Ti duhet t'i përshtatesh.
Diçka merr vlerë në momentin që t'i e krahason. Nëse një punë do të shitej në një dyqan që shet art kitsch ndoshta nuk do të binte në sy. Ndërkohë që futet në "kubin e bardhë", në galeri, aty merr vlerë tjetër. Kjo përbën ndryshimin. Kam kuptuar sesi mund t'ju jap vlerë punëve të mia.
Së fundmi, po përpiqem tani të punoj me mediume të tjera. Kam nisur me instalacione dhe video. Është pak më e vështirë, megjithatë, kam shkruar koncepte për t'i realizuar. Thjesht më duhet t'i realizoj teknikisht.
Çfarë të pëlqen të fotografosh?
Më pëlqen dhe është fjala më e bukur shqip për mua, "gjendja". Kur ka një gjendje, kur diçka ndodh dhe s'ndodh asgjë. Është një shprehje në anglisht që më tërheq shumë "there is movement in the forest, but the birds are not singinig" ("Ka një zhurmë në pyll, edhe pse zogjtë nuk po këndojnë").Më pëlqen të ketë një lloj gjendje që thotë diçka. Sot, çdokush me një aparat mund të bëjë një foto të bukur, por e bukura është shumë relative. Po çfarë është e bukura?
Ku e ke mësuar fotografinë?
Deri diku jam shumë krenare për faktin që nuk vij as nga Akademia, as nga një familje artistësh. Edhe rrethin tim shoqëror, që deri diku tani përbëhet nga shumë krijues, i kam zgjedhur vetë. Dikur nuk kisha asnjë lloj kontakti, me këtë lloj bote.
Diku ku ti mund të inkurajohesh që është mirë të krijosh, është mirë të kesh këtë lloj ndjeshmërie. Anri Sala këtë vit, tek "Ardhje" më tha: "Ti nuk vjen nga ky lloj formimi (akademik) dhe je shembulli që çdokush me një ndjeshmëri dhe me një etje të tillë për ta materializuar këtë gjë, mund ta bëjë".
Formimi im ende nuk ka ndonjë bazament akademik. Do të doja, dhe mendoj që do të vazhdoj diçka akademike, më vonë. Më tepër për pjesën teknike, për pjesën e të qenit në një mjedis, akoma më " të çmendur" nga pikëpamja e lirshmërisë së krijimit dhe të krijoja më tepër kontakte. Një akademi jashtë, gjithmonë të ofron më tepër kontakte.
Jorida Pasku : Gazeta Shekulli