Qeveria Organi i akuzes eshte duke hetuar ish-drejtuesin e CEZ-it

3001-Keshilli-Ministrave3 (1)TIRANE, 24 Tetor / ATSH/- Qeveria me anë portalit "Trasparenca.al", i është përgjigjur pretendimeve të Partisë Demokratike në lidhje me çështjen "CEZ".

Sipas Qeverisë baza ligjore e inicimit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me CEZ, si dhe çështjet që trajtohen në të, kanë karakter civil.

Referuar Nenit 3 të Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim përcaktohet shprehimisht që Pala Shqiptare përfaqësohet nga ministritë, zyrat, autoritetet lokale ose kombëtare që janë të kontrolluara nga Qeveria e Shqipërisë.

Në këtë kuptim, garancia e dhënë për mos adresimin e pretendimeve të caktuara për ndonjë fakt apo rrethanë që do të zbulohet në të ardhmen ka të bëjë vetëm me çështjet e karakterit civil dhe është një detyrim ngushtësisht i palëve shqiptare, të cilat në rastin konkret përfaqësohen vetëm nga ato që janë në varësi të Qeverisë së Shqipërisë dhe këtu nuk përfshihet organi i Prokurorisë.

Edhe sikur të marrim të mirëqenë, se tek pretendimet përkatëse përfshihen edhe procedimet penale, referuar Nenit 11.2 të Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim përcaktohet shprehimisht se "Palët Shqiptare angazhohen që as ato dhe as ndonjë prej Degëve të tyre nuk do të nxisin apo shkaktojnë apo të asistojnë ndonjë palë të tretë për të paraqitur ndonjë pretendim apo të fillojnë apo vazhdojnë, në çdo juridiksion, ndonjë procedim në lidhje me ndonjë Pretendim Përkatës".

Sipas Qeverisë ndryshe nga sa pretendon opozita, në asnjë nen të Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, nuk jepet as edhe një garanci për mos fillimin e procedimeve penale, apo për me tepër, falje dhe heqje dorë nga e drejta e shtetit shqiptar për kryerjen e hetimeve të veprave penale që mund të rezultojnë se janë kryer nga anëtarët e Grupit CEZ.

Aktualisht organi i akuzës është duke hetuar ish-drejtuesin e CEZ-it në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë pretendim për pengesë të hetimeve prej marrëveshjes.

Deputeti i Partisë Demokratike Luciano Boçi, në një dalje publike, pretendon se Marrëveshja për Zgjidhjen me Mirëkuptim të konfliktit me CEZ a.s., ndalon hetimin për shkelje të mundshme dhe garanton imunitet për të dyja palët e përfshira në proces. Sipas deklaratës së deputetit, marrëveshja përmban disa nene të cilat ndalojnë ndjekjen penale të personave të përfshirë në korrupsion.

/e,xh/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama