Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe nëpunësve të administratës shtetërore. Shteti do të akordojë një fond të veçantë, i cili do të jetë në shumën jo më pak se 150 milionë lekë në vit. Nga ky fond do të përfitojnë mbështetje financiare studentët, që ndjekin jashtë vendit ciklin e parë dhe/ose ciklin e dytë të studimeve universitare, të cilët janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme, ose asaj specifike sipas fushave, nga “Times Higher Education”. Mbështetja financiare nga Fondi i Ekselencës nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 euro në vit. Gjithashtu, do të përfitojnë edhe ata studentë, të cilët pranojnë të punojnë të paktën 3 vjet në Shqipëri, pas diplomimit në ciklin përkatës të studimeve.
Një kategori tjetër, e cila do të përfitojë nga fondi i akorduar janë edhe studentët që nuk përfitojnë financim të plotë në universitetin pritës apo nga donatorë të tjerë. Në rastet kur studenti përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës, deri në vlerën maksimale të parashikuar nga universiteti pritës për vitin akademik. Këshilli i Ministrave vendosi që dhe studentët, të cilët kanë përfunduar studimet parauniversitare me mesatare mbi 9 të të gjitha viteve të shkollës së mesme, si dhe ata që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, të përfitojnë mbështetje financiare. Të drejtën për t’u mbështetur financiarisht e kanë studentët, që ndjekin studimet e plota të doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare, kur: i. janë pranuar në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës në shkencat shoqërore dhe ekonomike apo në njërin prej 50 universiteteve më të mira të botës në shkenca natyrore dhe teknike, ii. nuk marrin shpërblime si financim i plotë apo bursë e plotë për punën kërkimore apo mësimore, që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës në vlerë më të madhe se ajo e parashikuar për financim nga Fondi i Ekselencës. Studentët doktorantë nuk mbështeten financiarisht nga ky fond për tarifën e studimeve, por vetëm për shpenzimet e jetesës.
Nëpunësit civilë
Do të jetë dhe kjo kategori, e cila sipas rivlerësimit të projektligjit do të përfitojë nga fondi, sipas kritereve të vendosura së fundi. Kështu, do të shpërblehen ata nëpunës civilë që janë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme, ose në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës, sipas fushave, nga “Times Higher Education”.
Përfitues do të jenë edhe ata nëpunës, të cilët pranojnë që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të punojnë për jo më pak se 4 vjet në Shqipëri, në institucione të administratës shtetërore, institucione të pavarura apo njësi të qeverisjes vendore, në përputhje me profilin e studimeve të kryera të mbështetura financiarisht nga Fondi i Ekselencës. Nëse nëpunësit civilë janë, njëkohësisht përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti, apo përfitojnë financim të plotë në universitetin pritës, ose nga donatorë të tjerë nuk do të përfitojnë nga ky fond.
Si bëhet përzgjedhja
Të gjithë përfituesit, të cilët, në përfundim të vitit akademik, nuk kanë plotësuar kriteret e parashikuara në udhëzimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, janë të detyruar të kthejnë financimin e përfituar shtetit shqiptar, brenda 6 muajsh nga përfundimi i vitit akademik. Rregullat e hollësishme për afatet e aplikimit, zbatimin e kritereve, procedurave dhe përcaktimin e masës e të mënyrës së financimit për secilën nga bursat e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të vitit akademik nga komisione përzgjedhëse të ngritura më urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të kryesuara prej tij. Kur Fondi i Ekselencës plotësohet edhe nga donacione, në komision ka të drejtë të marrë pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Numri i anëtarëve dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë komisioni përcaktohen në udhëzimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit. Studentët e ciklit të parë ose të dytë, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 8 (vlerësimi ndërkombëtar, sistemi anglo-sakson B), nuk përfitojnë bursë për vitet pasardhëse. Afatet për dorëzimin dhe shqyrtimin e aplikimeve për këta kandidatë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit.