Qeveria duket se do t’ia transferojë përgjegjësinë për përcaktimin e çmimeve të biletave të transportit urban, pushtetit lokal. Në rastin e Tiranës, ku po zhvillohet debati, kjo kompetencë pritet t’i kalojë Bashkisë së Tiranës. Ministria e Transportit njoftoi dje se qeveria do të përgatisë amendimet përkatëse ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor dhe do t’i dërgojë këto amendime ligjore për miratim në parlament javën e ardhshme. Haxhinasto e ka argumentuar këtë qëndrim me faktin se përgjegjësitë janë të pushtetit vendor për administrimin e transportit qytetas, duke marrë parasysh natyrën vendore të tarifave dhe kostove të këtij shërbimi ndaj qytetareve.
Ndërsa Bashkia e Tiranës ka reaguar dje lidhur me problemin e transportit urban, ku nënkryetari Bozdo u shpreh se Bashkia i ka dërguar qeverisë një letër, ku jepen sugjerime se si mund të zgjidhet ngërçi i krijuar në transportin urban, por deri tani ende nuk ka marrë një përgjigje apo nismë nga qeveria. Bashkia sheh si rrugëzgjidhje subvencionimin operativ të shërbimit nëpërmjet granteve të kushtëzuara ndaj qeverisjes vendore. Subvencionimin social për kategoritë që sipas ligjit përfitojnë transport publik falas, uljen e TVSH-së për shërbimin e transportit publik, heqjen e akcizës së naftës për transportin urban qytetas.
Gjithashtu, Bashkia propozon ndryshimin e legjislacionit për emetimin dhe prodhimin e biletave të transportit, për mundësimin e sistemit të biletave elektronike që shmang abuzivitetin në përdorimin e shërbimit urban qytetas. Bozdo propozon që të ndryshojë sistemi i llojeve të biletave, që është shumë i kufizuar, duke mos lënë hapësira për përdorimin e llojeve të ndryshme të biletave shumëpërdorimshe, siç mund të jenë 1-ditore, 1-javore, bileta për fundjavën. “Këtë eksperiencë e gjejmë në shumicën e vendeve të BE-së por edhe në rajon. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje e problemit pa rënduar koston për qytetarët dhe për këtë i takon qeverisë të marrë vendimet përkatëse dhe jo të fshihet duke hequr përgjegjësitë që i ka me ligj”, – bëhet me dije nga Bashkia. Por duket se qeveria me deklaratën e fundit kërkon t’ia faturojë Bashkisë të drejtën për të ndryshuar çmimet e transportit urban.