TIRANË, 26 Tetor/ATSH/ -Qeveria pëmes portalit "Transparenca.al" ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike për kostot e mirëmbajtjes së makinave qeveritare
Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmata, në një deklaratë sot për media pretendoi se sipas dokumenteve te thesarit, vetëm për një vit qeveria ka shpenzuar 23 mijë euro për mjetet e transportit dhe jo 636 mijë euro ashtu siç u publikua disa ditë më parë. Sipas saj, sipas dokumenteve te thesarit, me tenderin për marrjen me qira të makinave qeveritare do të shpenzohen 2 milionë euro për 44 makina, të cilësuara si mjete luksoze.
Në reagimin e saj në portalin "Transparenca.al" qeveria thekson se, "analiza financiare e publikuar në artikullin e datës 23.10.2015 në 'Transparenca.al', ka ardhur pas punës disamujore të një grupi ekspertësh të disa ministrive, ku janë shqyrtuar shpenzimet e mirëmbajtjes dhe menaxhimit te shërbimit të transportit për gjithë kabinetin qeveritar për periudhën 2010-2013. Për të nxjerrë koston që makinat qeveritare i kushtojnë buxhetit të shtetit në një vit, shifrat e analizuara janë certifikuar nga ky grup përmes një kontrolli të imtësishëm në çdo njësi shpenzuese te ministrive dhe Kryeministrisë ku këto mjete transporti përdoren".
"Shifrat e përmendura sot nga deputetja e Partisë Demokratike janë tërësisht spekulative dhe të pavërteta. Duam të theksojmë se shifra e publikuar prej nesh nuk pasqyron kostot e një dikasteri të vetëm por përfshin koston totale vjetore për Këshillin e Ministrave dhe gjithë ministritë përgjatë një viti", nënvizon qeveria.
Gjithashtu, vijon qeveria, "kjo vlerë nuk përfaqëson vetëm koston e servisimit të makinave, por vjen pas një analize të të gjithë shpenzimeve për mirëmbajtjen e makinave qeveritare, ku përfshihen: Vlera vjetore e mirëmbajtjes: Kostot e servisimit, pajisjeve, goma, sigurimit brenda dhe jashtë vendit, taksave, kolaudimit, lavazhit, etj".
Sa i takon vlerës vjetore të shpenzimeve administrative, ku përfshihen kostot për gjithë hierarkinë që mbulon administrimin e mjeteve të transportit në secilën ministri dhe Kryeministri, qeveria rithekson se, "marrja me qira e mjeteve të transportit i kursen shtetit shqiptar jo vetëm në koston e mirëmbajtjes dhe menaxhimit, por edhe nga shpenzimet që krijoheshin si pasojë e keqadministrimit, keqpërdorimit, konsumit të lartë të karburantit për shkak të vjetërsisë së makinave dhe kostove të larta administrative për bërjen e procedurave të veçanta të prokurimit për zëra të ndryshëm të këtij shërbimi për çdo ministri".
"Të gjitha këto janë të pamundura të pasqyrohen në shifrat e një zëri të marrë nga drejtoria e thesarit", përfundon reagimi i qeverisë. /gj.m/ /a.ke/