Qeveria hedh poshte pretendimet e PD per koncesionin e hekurudhes

arben-ristani-27-tetor-847x477TIRANË, 27 Tetor/ATSH/ -Qeveria nëpërmjet portalit "transparenca.al" hodhi poshtë sot pretendimet e Partisë Demokratike për koncesionin e hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, në një dalje publike, ngriti sot pretendimin se dhënia me koncesion e hekurudhës Ballsh-Fier-Vlore është në kundërshti me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar.

Sipas tij, koncesioni i dhënë djalit të deputetes Valentina Leksaj është i paligjshëm pasi neni 21 dhe neni 24 i këtij ligji nuk i lejon familjarët e zyrtarëve, ku përfshihen edhe deputetët, të lidhin kontratë apo nënkontratë me institucionet publike.

Ndërsa qeveria i është përgjigjur këtyre pretendimeve nëpërmjet portalit "transparenca.al" duke thënë se, "deputeti Arben Ristani e bazon akuzën e tij në dy nene të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar. Por, baza mbi të cilën vepron ky ligj, përfshin të gjithë zyrtarët të cilët janë pjesë e vendimmarrjes së procedurave publike".

Qeveria sqaron se, "pretendimi për konfliktin e interesave për këtë procedurë nuk qëndron pasi deputetja Valentina Leskaj nuk ka asnjë lloj lidhje në vendimmarrjen e procesit së dhënies me koncesion të hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë".

Qeveria përsërit në reagimine saj se, "procedura konkurruese për koncesionin e rehabilitimit të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh; Fier-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor. Në të kanë pasur mundësi të marrin pjesë në garë të gjithë subjektet vendase apo të huaja, për më tepër se 50 ditë, kohë që kjo procedurë ka qenë e publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike të Agjencisë së Prokurimit Publik". /gj.m/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama