“Shtesa për kualifikim (kolona 4) e lidhjes nr. 1 është 0”, thuhet në vendimin e qeverisë që u publikua dje në Fletoren Zyrtare.
Në vitin 2007, qeveria pati përcaktuar një shtesë page prej 25 mijë lekësh për personalitetet e shkencës me titull “Profesor i Asociuar”, të cilët punonin si këshilltarë apo funksionarë publikë. Për doktorët e shkencave u përcaktua shtesë page prej 20 mijë lekësh, ndërsa për mbajtësit e titujve PHD, (ekuivalenti perëndimor i profesorit të asociuar), shtesa ishte 25 mijë lekë në muaj. Për shumicën e të punësuarve në shtet me master, vendimi i djeshëm sjell reduktim efektiv të pagës me mbi 20 për qind.
Digjen masterat
Një numër shumë i madh shqiptarësh që gjatë viteve të fundit nxituan të regjistrohen nëpër universitetet private e publike për studime pasuniversitare, nën perspektivën e një rroge më të lartë, do të mbeten me gisht në gojë. Shtesa e tyre në masën 10 mijë lekë për ata që kishin mbaruar master brenda vendit dhe 20 mijë lekë për ata që patën studiuar jashtë, hiqet.
Diplomat e përfituara, veçanërisht ato të dhëna nga universitetet private, kthehen në këtë mënyrë në copa letre pa vlerë të ngjashme me dëshmitë e lëshuara nga skemat piramidale në këmbim të përfitimeve me interes të lartë, por që doli thjesht një mashtrim.
Industria e masterit
Që në çastin që qeveria vendosi të japë 10 mijë lekë rritje page për të diplomuarit me master, ky titull u bë segmenti më i rëndësishëm i biznesit të universiteteve private, të cilat në vitin 2010 numëruan afro 21 mijë studentë. Vetëm në vitin 2009, në Shqipëri 8300 vetë mbaruan studimet master sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Kostoja e përgjithshme e pagesave për master në buxhetin e shtetit vlerësohet në miliona euro çdo vit, dhe mund të ishte dyfishuar çdo vit deri sa të bëhej e papërballueshme në rast se do të vijonte edhe më tej.
Uria e madhe e shqiptarëve për master lidhet ngushtë me vendimin e vitit 2007 për rrogë shtesë. Të punësuarit e shtetit e panë të lehtë të paguajnë 100 mijë apo 200 mijë lekë për një vit master, si një investim i rikuperueshëm brenda një apo dy vjetësh përmes shtesës së pagës. Teoritë e konspiracionit thonë se qeveria ofroi shpërblim për masterat, me qëllim që të furnizonte me blerës universitetet private që ajo vetë i pati licencuar.
Në Shqipëri ka aktualisht 28 universitete private, njëri prej të cilëve është licencuar për arsim të plotë universitar dhe pasuniversitar për parukier. Një prej këtyre universiteteve ka dalë në shitje në gazetën “Çelësi.”
Me 21 mijë studentë, të cilët paguajnë 1000-3000 euro për vit akademik, tregu i diplomave në universitetet private vlerësohet se qarkullon 20-40 milionë euro xhiro në vit. Një pjesë e madhe e kësaj xhiroje është paguar nga shpresa e rritjes së pagave për të pasterizuarit e rinj.
Ministria e Financave tentoi t’i taksojë këto universitete me Tatim mbi Vlerën e Shtuar, por hoqi dorë më vonë.