Qeveria jep alarmin Nga vendimet e Strasburgut rrezikojme falimentimin

Qeveria jep alarmin: Nga vendimet e Strasburgut rrezikojme falimentimin

Zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, deklaron se shteti është në një moment kritik


Projektligji - Për të realizuar këtë proces, është parashikuar edhe ndryshimi i nenit 28 të ligjit aktual, për shtyrjen e afatit të miratimit nga Këshilli i Ministrave, të fondit të pronave pasuri të paluajtshme shtetërore, të cilat vihen në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për procesin e kompensimit fizik të pronave, deri në datën 30.04.2015.


Idlir Peçi - “Sistemi që është për momentin në fuqi është një sistem që shkel të drejtat e njeriut çdo ditë. Thelbin e problemit nuk e kap dot pa nxjerrë faturën, pa nxjerrë të gjitha asetet shtetërore që mund të përdoren për hir të kompensimit”


Shteti shqiptar rrezikon falimentimin nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të qytetarëve shqiptarë për çështjet e pronave, të cilat janë të papërballueshme për arkën e qeverisë. Vendimet e “kripura” me detyrimin për të kompensuar deri në 5 milionë euro familjet ish-pronare ka alarmuar qeverinë “Rama”. Një alarm i tillë u lëshua nga zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, gjatë mbrojtjes që i bëri nismës së qeverisë për ndryshimin e ligjit që parashikon shtyrjen e afatit të punës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave edhe me një vit. “Ne jemi përballë një momenti shumë kritik, sidomos me Strasburgun. Siç e dimë, të gjithë në Strasburg na ka lënë afat deri më 17 qershor 2014 për të zbatuar vendimin e famshëm kundër Shqipërisë, i cili është vendim pilot dhe që ka lënë disa detyra për t’u zbatuar në atë vendim. Është hartuar dhe një plan veprimi shumë i qartë që do të publikohet brenda afateve ligjore, ku do të jetë e qartë se çfarë ka ndër mend të bëjë qeveria brenda një viti. Këtë plan veprimi ne e kemi paraqitur edhe në Strasburg, i cili është mirëpritur dhe atje, dhe na kanë inkurajuar për ta zbatuar këtë plan, edhe pse shkon përtej afatit që ka lënë Gjykata për ta zbatuar në qershor 2014, kjo do të thotë që na jep dhe neve një mundësi shumë të madhe që të shtyjmë dhe në Strasburg afatin, që të mos na vijnë prapë me qindra e mijëra dosje, që mund të na çojnë deri në falimentin e shtetit shqiptar”, – deklaroi Peçi para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

Reforma

Për këtë arsye, zëvendësministri i Drejtësisë theksoi që reforma në kthimin dhe kompensimin e pronave është jetike për vendin. Sipas tij, kjo reformë, e cila do të përfundojë më 30 prill të vitit të ardhshëm, duhet të bëjë të mundur inventarizimin e të gjitha dosjeve në AKKP dhe nxjerrjen e një fature përfundimtare të kostos së këtij procesi. “Pra, është shumë e rëndësishme që në këtë vit që ne propozojmë, ne të bëjmë ato tre elemente që thatë për të bërë reformën. Në fund të këtij viti, janë disa opsione të hapura, të cilat është shumë shpejt që t’i diskutojmë në këtë moment, sepse do të krijonim konfuzion, do të krijonim panik dhe do të fillonin, gjithashtu, kalkulimet e para të cilat nuk janë të nevojshme. Pra, në fund të këtij viti, ne pretendojmë që të vijmë me një transparencë të qartë, me një ide të qartë se ku do të shkojë AKKP-ja, si do të transformohet ajo”, – tha ai. Për Peçin, ky vit është më se i mjaftueshëm për qeverinë për të bërë reformën institucionale dhe ligjore, pasi, siç tha ai, shteti shqiptar është në një moment kritik të tij. “Me të vërtetë jemi në një moment shumë kritik, duhet të jemi shumë seriozë dhe rigorozë me Gjykatën e Strasburgut, që t’i tregojmë se atë plan veprimi që ne e kemi miratuar dhe që e kemi paraqitur gjithashtu në Strasburg, në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, që është miratuar edhe nga ata, ta zbatojmë këtë konform këtyre afateve që i kemi lënë vetes, dhe ne afatin e kemi lënë për një vit. Pra, në mënyrë të përmbledhur, ne për një vit kemi menduar të bëjmë reformë dhe se ku do të na çojë kjo reformë, janë ende opsionet e hapura”- u shpreh Idlir Peçi.

Sistemi i pronave

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Komisionit të Ligjeve, zëvendësministri deklaroi se sistemi aktual i kthimit dhe kompensimit të pronave është një sistem që shkel çdo ditë të drejtat e njeriut. “Problemi nuk është te zonja Qato apo ish-drejtorët e mëparshëm të AKKP-së, por problemi është te sistemi, pasi ky që është në fuqi, siç e ka konstatuar edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, çalon. Është një sistem që i shkel të drejtat e njeriut përditë”, – tha Peçi, duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore pse duhet bërë kjo reformë.

Vendimet e Strasburgut

Gjykata e Strasburgut pas vendimit të çështjes “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë” ka përcaktuar këto detyra për palën shqiptare që të realizohen deri më 17 qershor të këtij viti. Kështu ajo i kërkon qeverisë shqiptare hartimin e një liste të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe administrative që njohin, kthejnë dhe kompensojnë të drejtën e pronës ish-pronarëve. Kjo listë, thekson Gjykata, duhet të përmbajë të dhëna në lidhje me statusin e pronës, vendndodhjen, sipërfaqet që kthehen, kompensohen dhe format e kompensimit; Miratimin e hartës së vlerës së pronës me vlera sa më të arsyeshme dhe reale; Përgatitjen e faturës financiare të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave; Krijimin e një mekanizmi efikas për ekzekutimin e të gjitha vendimeve përfundimtare, administrative dhe gjyqësore që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën ish-pronarëve; si dhe miratimin e një plan veprimi për ekzekutimin e vendimeve që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën, me masa strategjike, strukturore, buxhetore dhe ligjore konkrete, me procedura të drejta dhe të menduara hap pas hapi, si dhe afate reale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama