Qeveria mbyll kontraten me Crown Agents e gatshme ti paguaj 8.5 milion euro

Qeveria mbyll kontraten me 'Crown Agents', e gatshme t'i paguaj 8.5 milion euro

Është zbuluar se qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar te asistencës që ajo do u ofrojë doganave. Kontrata së fundmi është shndërruar dhe në një çështje e nxehtë të debatit politik mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas kontratës, shuma, do të lëvrohet në dy vjet, nga 4 milionë e 250 mijë euro në vit.

Zbardhet se në draft është parashikuar se kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord. Qeveria ka vendosur gjithashtu që pagesa për “Crown Agents” të jenë neto, duke e përjashtuar kompaninë britanike nga cdo detyrim tatimor, përfshirë tatimin mbi fitimin, atë mbi dividentit, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por edhe sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat për ekspertët e huaj që do vijnë në Tiranë.

Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu edhe të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas saj, “Crown Agents” do të asistojë personelin e administratës doganore në analizën e informacioneve doganore. Po kështu kompani britanike do të asistojë edhe personelin e administratës doganore që kryen funksione hetimi, kontroll dhe verifikimi. Veç kësaj kjo kompani do i raportojë Ministrisë së Financave për çdo rast abuzimi, korrupsioni apo fenomeneve të ngjashme me to, duke përfshirë edhe ato në të cilat janë të implikuar edhe punonjësit e doganave.

Marrëveshja do të ketë një afat prej dy vitesh, me opsion rinovimi për vitin e tretë. Kontraktimi i “Crown Agents” nga Qeveria shqiptare është sulmuar ditët e fundit nga opozita, që e ka quajtur atë si një marrëveshje të dyshimtë.

Nderkohe dy dite me pare opozita zbardhi projektligjin përmes të cilit Këshilli i Ministrave i jep shoqërisë britanike “Crown Agents” të drejtën të asistojë Doganat shqiptare. Në faqen e tij në rrjetin “Facebook”, deputeti Genc Pollo ka zbardhur draftin për lidhjen e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar me shoqërinë britanike, e cila do të fitojë 4.25 milionë euro në vit nga kjo kontratë. Gjithsesi, deputeti sqaron se draftit që u ishte dorëzuar parlamentarëve i mungonte shtojca mjaft e rëndësishme C, me informacion kritik për shpërblimin e agjencisë private. “Nisma e qeverisë ‘Rama’ për ‘Crown Agents’; mungon shtojca C me informacion kritik për shpërblimin e agjencisë private!”, shkruante Pollo në “Facebook”, ku publikoi edhe faksimilen e projektligjit për marrëveshjen me “Crown Agents”.

Pollo akuzoi qeverinë se jo pa qëllim nuk u ka dorëzuar deputetëve shtojcën C të projektligjit, përmes së cilës, llogaritet saktësisht përfitimi mujor i “Crown Agents”. Sipas tij, kjo hap dyshime se përllogaritja e përfitimit do të bëhet në bazë të performancës së Doganave, shkak për të cilin edhe qeveria uli pak ditë më parë artificialisht planin e të ardhurave të administratës doganore. “Por modalitetet e llogaritjes së shumës mujore finale janë në shtojcën C, e cila nuk i është dorëzuar Kuvendit nga ana e qeverisë. Me sa kuptohet nga kontrata, shpërblimi do të kalkulohet sipas performancës. Pra p.sh., nëse Doganat rrisin të ardhurat me 100 milionë, “Crown Agents” përfiton xx% nga kjo shumë”, – vërente Pollo. Dyshimi i opozitës është se ulja artificiale e të ardhurave doganore me Aktin Normativ për Buxhetin do të pasohet nga një rritje normale e tyre dhe kjo do të konsiderohet fryt i punës së agjencisë private, ndërkohë që nuk është fare kështu. “Por ‘Crown Agents’ do të arkëtojë paratë e majme gjithsesi. Nuk duket si gjë e mbarë!”, shkruante Pollo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama