TIRANË 7 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Qeveria ka nisur sot nga qyteti i Korçës një cikël takimesh nën sloganin "Të pastrojmë Shqipërinë", ku përfaqësues të qeverisë do të paraqesin përpara qytetarëve rezultatet e punës së qeverisë.
Peleshi: Shqipëria e gjeneratës tjetër, vizioni që udhëheq punën e qeverisë
Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi në fjalën e tij theksoi se ky cikël takimesh vjen pasi, "shpesh debati poltik rrëshket në batakun e interesave të ditës. Kemi një opozitë, e cila ka bërë zgjedhjen e rrugës së pragmatizmit politik të ditës dhe jo ofrimin e alternativës së vet të munguar".
"Shqipëria e gjeneratës tjetër është një vizion që çdo ditë udhëheq punën e qeverisë shqiptare. Por më parë se të arrijmë atje është një Shqipëri normale dhe kjo është një Shqipëri më e pastër nga informaliteti, nga paligjshmëria", tha Peleshi.
Sipas tij, puna e qeverisë ka pasur synim ndërtimin e një mentaliteti të ri. "Kemi nevojë të bëjmë pjesë të forumeve të PS, sfidat dhe interesin e shqiptarëve. Sot po përhapim këtë slogan për një Shqipëri më të pastër nga informaliteti, ndaj jemi të vendosur t'i shkojmë deri në fund kësaj lufte", tha Peleshi, duke shtuar se, rezultatet e reformave si ajo e energjisë apo arsimit janë mjaft inkurajuese për të vijuar me të njëjtën rrugë edhe në luftën kundër informalitetit.
Zv/kryeministri Peleshi theksoi se, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve synon transformimin urban dhe për t'i dhënë vlerë parasë dhe investimit me paratë publike. Ai përmendi disa prej projekteve kryesore të investuara në qytetet e Shqipërisë përmes Rilindjes Urbane.
Duke four për reformën territoriale, Zv/ kryeminstri theksoi se, "Kemi sot mundësi të financojmë projekte përmes një partneriteti të munguar më parë, partneriteti urban-rural, që do të sjellë nj zhvillim të ri. Së shpejti do të bëjmë të njohur një reformë të re të zhvillimit rural. Shqipëria nuk do të jetë më e ndarë në 12 qarqe, por do të ketë ndarje në 4 rajone".
Balla: Në 2016-n, 120 milionë dollarë investime në infrastrukturën vaditëse
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në forumin "Të pastrojmë Shqipërinë" u shpreh se viti 2016 do të jetë viti ku pjesa dërrmuese e kanaleve vaditëse do të rrimarrin vëmendjen përmes partneritetit të qeverisë qëndrore dhe vendore
Deputeti Balla theksoi se do të investohen 120 milionë dollarë vetëm në infrastrukturën vaditëse.
Balla tha se mesazhin pozitiv të reformave duhet ta ndajmë me çdo qytetar të Shqipërisë, pasi "është e rëndësishme të ruajmë të njëjtin nivel komunikimi që kemi pasur gjithmonë".
"Një gjë që mori vëmendjen e të gjithëve ishte se qeveria që iku nuk kishte paguar as rrogat e punonjësve të policisë dhe qeveria jonë iu desh të përballej me larjen e borxheve të qeverisë së kaluar. Vetëm për 2014 na u desh të shlyenim 340 milionë dollarë borxhe të trashëguara nga qeveria e PD-së", tha Taulant Balla.
(vijon)
/f.n/