Tashmë është zyrtare, Shqipëria do të ketë një central bërthamor. Se kur dhe ku do të ndërtohet ende nuk dihet, por qeveria ka hedhur hapin e parë ligjor për krijimin e një centrali në vendin tonë.
Vendimi është marrë dje gjatë mbledhjes se radhës së Këshillit të Ministrave, mbledhje në të cilën u vendos krijimi i Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), institucioni që do të merret hap pas hapi me ecurinë dhe zhvillimin e programit bërthamor në vend.
Do të jetë detyrë e kësaj agjencie të krijojë një infrastrukturë të nevojshme për centralin bërthamor, vendin ku do të ngrihet centrali, si dhe përzgjedhjen dhe përgatitjen e një stafi të specializuar.
Sipas vendimit të qeverisë, AKOB është një institucion qendror në varësi të kryeministrit, i cili ka selinë në kryeqytet por që zhvillon veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës.
Por, duke qenë se është një institucion në varësi të kryeministrit, kjo agjenci do të merret vetëm me përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor, vetëm pasi ky të jetë propozuar në kreu i shtetit dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Kompetencë e AKOB është njohja e popullatës dhe e grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij, gjithashtu edhe sigurimi i ruajtjes, së lëndës djegëse bërthamore, të materialeve radioaktive, të cilat lidhen me procesin e prodhimit të energjisë nga centrali bërthamor.
Një ndër detyrat e agjencisë është hartimi i një kuadri të plotë ligjor, i cili do të mbështesë zhvillimin normal të programit bërthamor, si dhe hartimin e një kuadri të nevojshëm rregullator, në shërbim të këtij programi.
E vetmja detyrë në terren që i është lënë Agjencisë Kombëtare Bërthamore është përzgjedhja e vendeve, të cilat plotësojnë kushtet e duhura për ndërtimin e një centrali bërthamor.
Një ndër funksionet e AKOB është edhe kujdesia për dokumentacionin dhe ndjekja e procedurave, në bazë të të cilave do të kërkohen oferta për centralin bërthamor. Qeveria gjithashtu i ka lënë në dorë AKOB, sigurimin edhe ruajtjen, e lëndës djegëse bërthamore dhe materialeve radioaktive.
AKOB, për realizimin e detyrave të saj do të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), struktura të ngjashme të vendeve të ndryshme të rajonit dhe të botës, universitete dhe institucione kërkimore, në fushat që mbulon dhe përfshin programi kombëtar bërthamor institucione jofitimprurëse e donatorë të ndryshëm.
Për gjithë punën e kryer gjatë një viti AKOB i raporton një herë në vit Kryeministrit e në mënyrë periodike, ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin.
Për sa i përket financimeve të kësaj agjencie në vendimin e ministrave thuhet se AKOB është një institucion buxhetor, dhe për të do të ketë një zë të veçantë në buxhetin e shtetit.
Përveç kësaj, agjencisë i njihet e edhe e drejta për tu financuar nga palë të treta, nga fonde të institucioneve ndërkombëtare, të shteteve të veçanta dhe të organizatave të ndryshme, si dhe nga donacione të subjekteve fizike ose juridike, nga sektori privat, vendas ose i huaj.
Gjatë vitin 2009, kryeministri Sali Berisha ka përmendur disa herë ndërtim e një centrali bërthamor, ide e cila ka pasur shumë kundërshtime nga shoqëria civile, por kjo ide tashmë është shndërruar në një vendim qeverie.
Në fillim të vitit të kaluar u fol për një bashkëpunim më qeverinë Italiane për ndërtimin e një centrali bërthamor, por pa asnjë plan konkret. Pak ditë më vonë revista kroate "Globus", shkruan mbi vizitën e kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Zagreb gjatë muajit shkurt dhe qëllimin e vërtetë të vizitës.
Në faqet e saj shkruhet se kryeministri shqiptar i propozoi kryeministrit kroat Ivo Sanader, ndërtimin e përbashkët të centralit nuklear në rrjedhën e lumit Buna, në rrethinat e Shkodrës. Aty thuhej se Berisha i ka ofruar kroateve territorin dhe u ka kërkuar ekspertët, të cilët në fund të viteve '70 kanë ndërtuar në Kroaci centralin atomik në Krshko.
Ish-kryeministri kroat është shprehur i habitur nga ky propozim i Shqipërisë, e cila pas bisedimeve të dështuara me Italinë i është drejtuar Kroacisë. Veprim ky, që, sipas Sanader, dëshmon së ndërtimi i centraleve atomike varet nga faktori politik.
Detyrat dhe objektivat e AKOB:
• Ngritja dhe mirëfunksionimi i infrastrukturës të nevojshme, në mbështetje të programit kombëtar bërthamor
• Hartimi i kuadrit të plotë ligjor, i cili do të mbështesë zhvillimin normal të programit
• Hartimi i kuadrit të nevojshëm rregullator, në shërbim të programit
• Bashkërendimi i punës për përzgjedhjen e vendeve, në të cilat mund të ndërtohet centrali bërthamor
• Përzgjedhja dhe sigurimi i përgatitjes profesionale të personelit të nevojshëm, në mbështetje të programit bërthamor, në faza të ndryshme të tij
• Hartimi i dokumentacionit dhe ndjekja e procedurave, në bazë të të cilave do të kërkohen oferta për centralin bërthamor
• Ndjekja, gjatë gjithë fazave, e procedurave dhe ecurisë për ndërtimin dhe vënien në funksionim të centralit bërthamor
• Sigurimi i ruajtjes, afatshkurtër dhe afatgjatë, së lëndës djegëse bërthamore, si dhe të materialeve radioaktive, të cilat lidhen me procesin e prodhimit të energjisë nga centrali bërthamor
• Njohja e popullatës dhe e grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij
• Vlerësimi i zhvillimit, sipas planifikimit dhe parashikimit të fazave të ndryshme të programit bërthamor
Tri arsyet e kryeministrit Sali Berisha, pro centralit atomik
Arsye nr. 1
Ndërtimi i një centrali bërthamor është pa dyshim garancia që jep për furnizim të rregullt me energji elektrike. Madje, kapaciteti prodhues i tij garanton eksport drejt vendeve që kanë vështirësi të sigurimit me energji. Sapo të jetë gati kuadri ligjor, ne do të fillojmë negociatat me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi në përpjekje për të hartuar një projekt të përbashkët, sepse mendojmë se ky duhet të jetë burimi më i qëndrueshëm i energjisë.
Arsye nr. 2
Ndërtimi i TEC-it, siguron të ardhura të konsiderueshme në buxhet, jo vetëm nga eksporti, por nga ndërtimi i korridoreve të shumta transporti, duke sjellë kështu më shumë investime të huaja.
Arsye nr. 3
Impakti në mjedis. Ekspertët pranë Këshillit të Ministrave mendojnë se energjinë elektrike më të pastër e garanton ndërtimi i centralit bërthamor
Nga : Gazeta Shekulli