Qeveria rilind komisaret politike

Qeveria rilind komisarët politikë

Që në qeverinë Rama sundimi i koncepteve ligjore është i vakët u pa në në rastin e projekt-ligjit për kriminalizmin e shpifjes, i cili u tërhoq menjëherë pas reagimit të ashpër të mediave. Që produktet e ekspertëve të famshëm ndërkombëtarë janë shpesh të diskutueshme, në mos mediokre, është parë në shumë raste.

Por kësaj here duket se ndjenja e talljes i ka lënë vendin ndjenjës së tragjedisë.

Në dhjetor 2015, në heshtje të plotë, qeveria miratoi dhe dërgoi në Kuvend një projekt ligj "Për mbrojtjen e sinjalizuesve", që në relacion prezantohet si gjetja e fundit botërore për luftën ndaj korrupsionit, i përgatitur në bashkëpunim me të ashtuquajturët "ekspertë ndërkombëtarë" eksperienca e të cilëve ka qenë një "vlerë e shtuar gjatë përgatitjes".

Bëhet fjalë për një ligj krejtësisht të gabuar, krejtësisht antidemokratik, dukshëm të padobishëm, kryesisht qesharak, i cili vetëm do të krijojë një klimë shantazhi kundrejt sipërmarrësve.

Projekti parashikon që në çdo "organizatë" publike, e papërcaktuar qartë në ligj, por me më shumë se 80 nëpunës, dhe në çdo person juridik privat me më shumë se 100 punonjës, të vendoset një zyrë e quajtur "njësia përgjegjëse" me qëllimin për të mbledhur dhe hetuar çdo sinjalizim apo dyshim nga ana e të punësuarve për "çdo veprim ose mosveprim të kundërligjshëm, sipas legjislacionit penal në fuqi në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv e pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave apo marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, mitdhënies/mitmarrjes si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me sa më sipër."

Kjo zyrë do të administrohet nga një ose më shumë punonjës të kompanisë, të përgatitur dhe të përzgjedhur nga shteti--Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave--të cilët do të edukohen në mënyrë specifike për mbrojtjen e "sinjalizuesve".

Punonjësi do të paguhet nga kompania dhe do të ketë detyrën të hetojë, të marri prova dhe dokumente, duke ruajtur burimin e informacionit dhe duke respektuar sekretin shtetëror(!) deri në kalimin e denoncimit në prokurori, madje duke ruajtur burimin e informacionit nga çdo hakmarrje e mundëshme e kolegëve dhe, siç parashikohet, por që ligji nuk e thotë, nga punëdhënësi.

Kjo duket se është hileja e vërtet e ligjit, mbrojtja e "hafijes" që është dhe vetë titulli i ligjit.

Dhe në këtë pikë ekspertët kanë dhënë më të mirën e tyre: ligji parashikon anullimin e çdo akti hakmarrjeje të kompanisë kundër "hafijes"--kundër tij nuk mund të merret masë disiplinore, nuk mund të pushohet nga puna, lëvizet nga pozicioni dhe as nuk mund t'i ulet paga ose privilegjet.

Dhe ligji, nesë mund ta quajmë të tillë, garanton mirëbesimin e sinjalizuesit për aq kohë sa nuk është provuar e kundërta. Sipas ligjit, ai mund të raportojë edhe vetëm dyshime, dhe pastaj--siç saktëson neni 6, pika 3 e ligjit,--i takon të akuzuarit të vertetojë që nuk e ka kryer aktin për të cilën ka dyshuar sinjalizuesi.

Ky është një modifikim tërësor i kodit penal, nëpërmjet një ligji të zakonshëm. Është një kryevepër e vërtetë e teknikës legjislative ballkanase që e kalon barrën e provës nga akuzuesi tek i akuzuari.

Marrim një shembull praktik dhe të thjeshtë, sa për të kuptuar efektet e ligjit: një nënpunës i një rrobaqepësie, i cili ka frikë se do të pushohet nga puna për shkak të rendimentit të ulët në punë, kontakton "njesinë përgjegjëse" dhe deklaron se dyshon që pronari i rrobaqepësisë i ka dhënë rryshfet menaxherit të kompanisë kliente për të mos pasur kundërshtime mbi cilësinë e prodhimit, dhe se, faktikisht, kohët e fundit nuk ka pasur reklamim nga klienti. Për Kodin Penal shqiptar--neni 164.a "korrupsioni aktiv në sektorin privat"--ky akt korruptiv dënohet me gjobë ose burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Kështu, kolegu i "njësisë përgjegjëse" duhet të hetojë punëdhënësin, i cili duhet të provojë që nuk e ka korruptuar klientin.

Vertetimi i mos kryerjes së aktit është qartësisht i pamundur--si mund të provohet që nuk ke bërë diçka e cila nuk dihet nëse ka ndodhur!

Në një rast si ilustrimi i mësipërm, loja përfundon 3-0 për punonjësin sinjalizues; ndoshta pronari arrin të korruptojë prokurorin, por me gjasa ai do të humbi kontratën e prodhimit për shkak të pakënaqësisë së blerësit që nuk do probleme ligjore. Si rezultat ai do të ulë numrin e punonjësve, por, në mënyrë ironike, nuk mund të pushojë atë që e shkaktoi këtë dramë, denoncuesin, sepse ai nuk mund të pushohet nga puna dhe do të qëndrojë në kompani duke mos bërë asgjë për të gjithë jetën e tij.

Gjë që nuk është e sigurtë për kolegun e tij të "njesisë përgjegjëse" për të cilin ekipi i legjislatorëve qeveritarë ka harruar të parashikojë mbrojtje të njejtë. Përkundrazi, në përgjegjësi të punonjësit të njesisë janë parashikuar gjoba në rast të mos fillimit të hetimeve ose pushimit të pajustifikuar të hetimeve nga ana e tij, gjithmonë në bazë të dyshimeve në mirë besim të denoncuesit.

Në pritje që ndonjë nga këto mostra të rralla të së drejtës të kuptojnë që ngarkimi i barrës së provës të akuzuarit është një kafshëri juridike që e largon Shqipërinë nga Europa me të paktën dy qind vjet, mund t'i kujtohet qeverisë së për të gjetur raste të shpërdorimit të detyrës nuk duhen kaq shumë ngatërresa--mjafton një vështrim rrotull, ose një lexim gazetës.

Por problemi nuk është nëse ky gjysëm ligj i shkruar keq do të funksionojë apo jo, kjo është absolutisht e sigurtë: ligji nuk do të prodhojë asgjë më shumë se dëmtime, sherre, shkatërrime sociale dhe ekonomike, shpenzime të shtuara për kompanitë, terror, frikë, ankth dhe ndjenjë persekutimi. Dhe ndoshta është pikërisht kjo qëllimi i vërtetë: terrori, por jo për të gjithë.

Sepse në fakt, Agjensia e Prokurimit Publik, duke qënë se ka vetëm 22 punonjës, nuk do të ketë "njësi përgjegjëse" ose "komisar politik", siç quheshin në një kohë tjetër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama