Qeveria rrezon pretendimet e PD-se per raportin Doing Business 2016

florion-mima-28-tetor-847x477-TIRANË, 28 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Qeveria nëpërmjet portalit Transparenca.al, rrëzoi sot pretendimet e deputetit Florion Mima për raportin "Doing Business" 2016, me argumentin se në raportin "Doing Business" të vitit 2016, publikuar nga Banka Botërore, Shqipëria renditet në vendin e 97-të në botë, renditje që ndikohet nga dhënia e lejeve të ndërtimit, marrja e certifikatës së pronësisë, si dhe pagesa e taksave.

Deputeti i Partisë Demokratike Florion Mima, duke iu referuar raportit "Doing Business" 2016, akuzoi te merkuren, Qeverinë se e ka çuar vendin në krizë të thellë ekonomike. Deputeti pretendon se shkaqet përse Shqipëria ka humbur 35 vende në renditje, si dhe ka shënuar ulje në treguesit kryesorë, janë të lidhura me mënyrën e qeverisjes.

Ndërsa qeveria referuar klasifikimit te "Doing Business" 2016, argimenton se "Në raportin "Doing Business" të vitit 2016, publikuar nga Banka Botërore, Shqipëria renditet në vendin e 97-të në botë, renditje që ndikohet nga dhënia e lejeve të ndërtimit, marrja e çertifikatës së pronësisë, si dhe pagesa e taksave. Po aq sa ndikohet edhe nga metodologjia e vlerësimit e cila për vitin 2016 ka ndryshuar, ndërsa në thelb Shqipëria nuk ka humbur vende në raport me vetveten"

"Për sa i përket rënies lidhur me lejet e ndërtimit, me ndërmarrjen e reformës territoriale, Këshilli Kombëtar i Territorit ka marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të lejeve të ndërtimit, me qëllim harmonizimin e instrumenteve të planifikimit lokal në kuadër të ndarjes së re administrative territoriale dhe për disiplinimin e ndërtimeve në Republikën e Shqipërisë. Kjo është një qasje afatgjatë për zhvillimin urban, planifikimin e zhvillimin e territorit, planifikimin e zhvillimit të turizmit dhe zhvillimin ekonomik të rajoneve.Sidoqoftë, jemi të bindur se në raportin e vitit të ardhshëm, të gjitha reformat e ndërmarra do të gjejnë reflektim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e indikatorit" thuhet ne potalin Transparenca.al.

Po ashtu në vijim të argumentimit nga ana e qeverisë, thuhet se "Në kuadër të këtyre reformave është krijuar Agjencia e Zhvillimit të Territorit, që do të funksionojë si një "one stop shop" për lejet e ndërtimit. Gjithashtu është miratuar edhe bashkimi i QKR-së dhe QKL-së, e cila ka kaluar tashmë në qeveri dhe pritet miratimi në Parlament. Ndërkohë që është mundësuar regjistrimi online për biznesin si dhe përmes portalit e-Albania, duke eliminuar pritjet e gjata në sportelet e QKR-së, si dhe duke shkurtuar kohën dhe kostot për biznesin. Në të njëjtën kohë, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një projekt në kuadrin e modernizimit dhe të dixhitalizimit për ndarjen e sporteleve të zyrave të ZRPP-së".

"Nga ana tjetër, thirrja e Qeverisë për të investuar në Shqipëri, ka qenë më se e mirëpritur nga kompanitë e huaja. Sot, dy kompani serioze nga Kina dhe Italia u bënë pjesë e procesit më të hapur dhe transparent të konkurrimit për ndërtimin e zonës industriale në Spitallë. Gjithashtu, në vitin që lamë pas, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes plot 948 kompani të huaja, të cilat për të zhvilluar aktivitetin e tyre zgjodhën vendin tonë. Në fund, ndryshe nga ç'ka deputeti Florion Mima pretendon, renditja e Shqipërisë në vendin e 97-të në raportin "Doing Business" për vitin 2016 nuk është rezultati më i keq, pasi në vitin 2006 renditej e 117-a në botë, në vitin 2007 renditej në vendin e 120-të dhe në vitin 2008 në vendin e 136-të", argumenton qeveria ne portalin Transparenca.al.

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama