Qeveria shqiptare në muajin shkurt 2014, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr 50, datë 5.2.2014, miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura e të planit të veprimit ndaj biznesit dhe individëve. Në mbështetje të kësaj strategjie, Ministria e Financave pas mbledhjes së informacionit nga Degët e Thesareve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi listat me subjektet dhe faturat për likuidim.
Në kuadër të strategjisë, deri më datë 30 qershor 2014, Ministria e Financave ka alokuar rreth 300 milionë dollarë detyrime të prapambetura në sektorët: investimet publike (janë alokuar 93 milionë dollarë), shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime dhe kategorinë të tjera (janë alokuar rreth 63 milionë dollarë), rimbursimit të TVSH (janë alokuar rreth 99 milionë dollarë) dhe atij energjetik rreth 45 milionë dollarë. Nëse llogarisim edhe detyrimet e paguara në Dhjetor 2013, ku janë shlyer rreth 20 milionë dollarë detyrime për personat me aftësi të kufizuar dhe 30 milionë dollarë për sektorin e infrastrukturës rrugore, në total fatura e borxheve të vjetra të alokuara deri më tani arrin gati 350 milionë dollarë.
Në buxhetin e vitit 2014, në kuadër të kësaj strategjie është parashikuar të shlyhen rreth 350 milionë dollarë fatura të prapambetura.
Në lidhje me rimbursimin e TVSH, pas rakordimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ministria e financës ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, subjekte për të cilat ka alokuar rreth 99 milionë dollarë. Për likujdimin e borxhit ndaj firmave private tek investimet publike ministria ka procesuar deri në vitin 2012, përsa i përket shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për shpenzimet korente, aktualisht është proceduar me sektorin e shëndetësisë dhe në kategorinë të tjera janë proceduar vendimet gjyqësore dhe shpronësime.
Ministria e Financave u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve private, të verifikojnë listat e detyrimeve të çelura dhe të publikuara në web-sitin e Ministrisë (të hedhura në Thesar) dhe nëse janë pjesë e tyre të paraqiten pranë institucioneve përkatëse me të cilin kanë marrëveshjen kontraktuale për procedim të mëtejshëm.