Qeveria shtese 200 mln USD per Durres-Kukes

Qeveria shtesë 200 mln USD për Durrës-Kukës
Vetëm 6 miliardë lekë është shuma që shkon për rritjen e pagave dhe pensioneve, vendim ky i miratuar nga ana e qeverisë që para datës 1 Korrik. Por nuk mjafton me kaq, rruga Durrës-Kukës duket se po kërkon të tjera fonde për t’u ndërtuar.

“ARMO” dhe KESH, paratë për Durrës-Kukës

Në buxhetin shtesë të miratuar gjatë ditës së djeshme nga ana e qeverisë, është e përcaktuar qartë se të gjitha të ardhurat që do të merren nga privatizimi tashmë i realizuar i “ARMO”-s prej 125 milionë Euro dhe privatizimi i KESH, do të shkojnë për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Kostoja e kësaj rruge mbetet ende enigmë, pasi qeveria asnjëherë nuk ka dhënë një shifër përfundimtare për këtë investim madhor që po i kushton shtrenjtë shqiptarëve. “Të gjitha të ardhurat e realizuara nga privatizimet strategjike, përfshi këtu “ARMO” dhe KESH, do të përdoren për financimin e rrugës Durrës-Kukës”,- thuhet në buxhetin e miratuar dje nga qeveria. Në nenin 7 të projektbuxhetit që pritet të kalojë për miratim në Parlament, përcaktohet qartë destinacioni i fondeve që do të merren nga privatizimi i “ARMO” dhe KESH. “Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit është 56 424 milionë lekë, i cili financohet në masën 4 140 milionë lekë nga të ardhurat e privatizimit dhe diferenca me huamarrjen e brendshme dhe të jashtme. Kufiri i huamarrjes së brendshme dhe të jashtme mund të reduktohet për çdo të ardhur, të arkëtuar nga privatizimi i “ARMO sh.a.”-së, në masën 50 për qind të të ardhurave të realizuara nga ky privatizim. Pjesa tjetër e të ardhurave nga ky privatizim përdoret nga Këshilli i Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve për investime, i cili, automatikisht, rrit kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit, të përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji. Të ardhurat nga privatizimet e zakonshme, mbi kufirin e parashikuar në këtë nen, përdoren tërësisht nga Këshilli i Ministrave për të rritur kufirin e shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor”,- thuhet në nenin 7.

Buxheti shtesë, të ardhurat nga privatizimet

Se ku janë gjetur 20 miliardë lekë shtesë, këtë vetëm Kryeministri e qeveria e dinë. Gjatë ditës së djeshme, ministri i Financave tha se janë mbledhur më shumë se plani 4.2 miliardë lekë. Ndërsa qeverisë këto nuk i bëjnë punë as për të mbuluar rritjen e pagave dhe pensioneve, buxheti është rritur në letër me 20 miliardë lekë. “Buxheti që sjellim në Parlament është dëshmi e një suksesi spektakolar të qeverisë në fushën e financave të vendit, është performancë e rritjes së shpejtë ekonomike, luftës kundër evazionit dhe informalitetit”,- tha kreu i qeverisë, Berisha, duke bërë të ditur mënyrën se si do të shpenzohen këto para nga qeveria. “2 miliardë lekë do shkojnë për pushtetin vendor, 12 miliardë lekë do shkojnë për investime dhe 6 miliardë lekë për reduktimin e borxhit”. Pas miratimit nga qeveria, buxheti do të kalojë për votim në Parlament dhe më pas në destinacionet e caktuara.

Julian Llupo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama