Qeveria turke kerkon censurimin e drames nga Kosova

Qeveria turke kerkon censurimin e drames nga Kosova

Drama “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” e Jeton Nezirajt ka çuar pluhur në Turqi. Me të është marrë edhe Qeveria turke. Nëpërmjet Ministrisë së Kulturës i ka kërkuar Teatrit Shtetëror në Stamboll që ta censurojë një pjesë të tekstit. Kreu i këtij institucioni, Mustafa Kurt, ka refuzuar e për këtë ka dhënë dorëheqjen. Si arsye është përmendur presioni që i kanë bërë autoritetet shtetërore në lidhje me tekstin e dramaturgut kosovar dhe atë të shfaqjes “Dielli edhe kur perëndon është i madh” të Kasim Aksharit.

Reagimi i Ministrisë së Kulturës së Turqisë kishte ardhur pas premierës së shfaqjes me tekst të Nezirajt në Teatrin Shtetëror, të cilën e ka inskenuar regjisori i njohur turk, Atilla Şendil. Premiera qe dhënë me 7 të këtij muaji e menjëherë pas saj Ministria e Kulturës e këtij vendi nisi Komisionin për leximin e teksteve në kuadër të Ministrisë që u mor me “Fluturimin mbi teatrin e Kosovës” dhe “Dielli edhe kur perëndon është i madh”, ku gjeti “gjuhë fyese dhe erotike”. Shfaqja me tekst të dramaturgut kosovar vazhdon të jepet, por nuk ka informacion zyrtar nëse është hequr ndonjë pjesë e tekstit. Ky rast bëri bujë nëpër mediet turke. E për tekstin e “Fluturim mbi teatrin e Kosovës” nuk specifikohet se për cilën pjesë bëhet fjalë, por vetëm që është kërkuar të ndërhyhet në disa fjali.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama