Në fshatrat e Vlorës, të Fierit, Elbasanit e Gramshit, por dhe në disa zona të tjera prej ditësh është përhapur një informacion se agjenci transporti organizojnë udhëtime për në Gjermani me synim marrjen e statusit të azilantit.
Mashtrimi duket se ka pasur efekt sepse janë me qindra persona që kanë prerë biletat deri në 150 euro për të udhëtuar me autobus për në Mynih. Këtë të enjte në portin e Vlorës ka pasur një dyndje të pazakontë të udhëtarëve që kanë prerë bileta për të udhëtuar në Gjermani. Ndërkohë që ka informacione se e njëjta gjë po ndodh edhe në Fier. Pjesa dërrmuese e udhëtarëve vijnë nga zonat rurale të qarkut të Vlorës dhe Fierit. Ata tregojnë jashtë kamerës se me shpejtësi kanë siguruar paratë e nevojshme për udhëtimin edhe duke shitur sende të ndryshme.
Burime zyrtare thanë për Top Channel se policia është në dijeni të kësaj situate dhe se kushdo që synon të kalojë kufirin me synimin për të fituar azil në Gjermani do të ndalohet. Ende nuk ka ndonjë informacion për persona të ndaluar mes grupeve që kanë organizuar këtë mashtrim me qëllim të pastër përfitimin ekonomik. Ndërhyrja në Vlorë nga ana e policisë pritet të jetë shumë e shpejtë, teksa qindra persona janë duke u përgatitur për t’u nisur.