Qindra te burgosur fitojne sot lirine

Qindra te burgosur fitojne sot lirine

Pas një seance të munguar të javës së kaluar, Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku ligjvënësit shqiptarë pritet të miratojnë një sërë projektligjesh të rëndësishme. Në seancën e sotme është përcaktuar gjithashtu miratimi i amnistisë dhe ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, apo siç njihet ndryshëm “Paketa Antitritol” e propozuar nga Ministria e Brendshme. Të dyja këto nisma kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, të cilat mazhoranca i ka, nëse nuk do të mungojnë deputetë në sallë.

Amnistia

Të gjithë të dënuarit deri me 2 vjet burg dhe të gjithë ata që kanë shlyer mbi 9/10-at e dënimit brenda pak ditësh do të prekin lirinë, pasi sot deputetët e Kuvendit do të miratojnë me konsensus mes palëve ligjin “Për Amnistinë”, prej së cilit përfitojnë mbi 350 të dënuar, por që në të vërtetë, amnistia e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, pas ndryshimeve të fundit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve do të jetë më e gjerë se kaq. Sipas ndryshimeve të bëra edhe pas konsultimeve të vazhdueshme me grupet e interesit, do të përfitojnë edhe të burgosurit që u ka ngelur një ose 1 vit e gjysmë nga dënimi, me kushtin që të mos jenë përfshirë në krime të rënda. Nga ana tjetër, kategoritë që do të përfitojnë nga amnistia përfshijnë gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe të dënuarit, të cilët e kanë kryer krimin në moshë të mitur. Një tjetër aspekt i amnistisë lidhet ngushtësisht me dosjet penale të filluara nga prokuroria, ku një numër i madh procedimesh deri në 31 dhjetor 2013 do të mbyllen, pasi veprat penale do të përfshihen në amnisti. Bëhet fjalë për të gjithë ata persona që janë në ndjekje penale, për vepra të cilat parashikojnë një dënim në maksimum deri në dy vjet burgim ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë. Megjithatë, në draftin që do miratohet sot janë përcaktuar qartë veprat penale që nuk përfitojnë asnjë ulje dënimi. Krimet e rënda si vrasjet, kanosjet, vjedhjet me armë, aktet terroriste apo ato seksuale nuk përfshihen në kategoritë që do të përfitojnë falje apo ulje dënimi. Sipas ministrisë, amnistia konsiderohet një akt për të lehtësuar të dënuarit, ku më së shumti preken të dënuarit e grupmoshës 17-21 vjeç.

Interpelanca

Edhe pse mazhoranca i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së opozitës për të ngritur një komision hetimor parlamentar për emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit, dhe pasojat që ka shkaktuar ky rotacion në rëndimin e situatës kriminale në vend, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në një interpelancë e cila pritet të rindezë edhe më tej debatin politik. Rama është përcaktuar që t’u përgjigjet pyetjeve të bëra në drejtim të tij nga deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht ish-kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli, pyetjet e së cilës kanë të bëjnë pikërisht me gjendjen e rendit dhe sigurisë publike në vend. Kjo temë prej disa muajsh është shndërruar në betejën kryesore mes mazhorancës dhe opozitës. Topalli ka qenë një ndër zërat më të ashpër në drejtim të qeverisë dhe posaçërisht ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama