Edi Rama paralajmëroi reprezalje në policinë e shtetit, me largime nga puna të atyre punonjësve që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Reprezalje në vazhdën e 131 të shkarkuarve nga puna për këtë arsye nga Drejtoria e Burgjeve apo të 234 të tjerëve nga OSHEE. Shkarkime që vijnë në prag të vitit të ri. Veprime të cilat Edi Rama ishte zotuar në librin “Kurban” se s’do ia lejonte kurrë vetes. Ja çfarë shkruan ai për flakjen nga administrata në rrugën e papunësisë të atyre personave që sipas tij nuk janë në rreshtin e ushtarëve të partisë në pushtet.
"...dhe kurre s'do ia lejoja vetes e as kujtdo qofte nen drejtimin tim qe te bente te njejten politike duke cuar ne shtepi kokeulur perpara femijeve qe duan te hane, te blejne libra, te marrin nje dhurate per ditelindje a Vitin e Ri, nena e baballare te flakur nga administrata ne rrugen e papunesise si te ishin lecka, jo sepse jane te paafte, abuzive apo te tepert, po vetem e vetem sepse nuk figurojne ne rreshtin e ushtareve te partise ne pushtet apo kane lidhje farefisnore me kundershtarin ne kete vend te vogel ku te gjithe dalim kusherinj, po te mundohemi pak ne rremimin e se shkuares."
Sot në pushtet, Edi Rama po bën krejt të kundërtën. Ai po e përdor edhe fushatën kundër vjedhjes së energjisë për spastrime që kanë për qëllim hapjen e vendeve të reja të punës për militantët, që 1 vit e gjysmë pas ardhjes së PS në pushtet vazhdojnë të enden para selisë duke kapur deputetët për xhaketash, për një vend punë që ua kishin premtuar në zgjedhje.
Po flaken në rrugë kryefamiljarë, që me rrogën që marrin në shtet mbajnë disa frymë në familje, jo se kanë vjedhur, por kanë fatura të prapambetura dhe që qeveria nuk po u merr në konsideratë as faktin se kanë nënshkruar me OSHEE për të paguar me këste, sipas vetë skemës që u ofroi ajo atyre që nuk kanë mundësi t’i paguajnë borxhet njëherësh.
Edi Rama po i lejon vetes, ndryshe nga sa zotohej tek “Kurbani” të çojë kokulur në shtëpi, në prag të vitit të ri, qindra punonjës të administratës, tërësisht në shkelje të ligjit për Administratën Publike. Pasi mospagimi i faturave të energjisë elektrike është një marrëdhënie kontraktuale mes qytetarëve si konsumatorë dhe OSHEE dhe mbledhja e borxheve mund të kryhet nga Zyrat Përmbarimore vetëm pas një proçesi të rregullt gjyqësor. Këto janë rekomandime që zyra e Avokatit të Popullit u ka dërguar disa dikastereve që kanë nxjerrë udhëzime për penalitete deri në largim nga puna të punonjësve të tyre. Mund edhe të kishte zgjedhur që borxhet t’ua mbante nga rroga, por zgjodhi t’u japë në prag festash lajmin për largimin nga puna.
Tha se “në administratën publike duhen futur kriteret e performancës dhe të konkurrueshmërisë”. Por në shkarkimet e këtyre ditëve asnjë nuk është larguar për shkak të mungesës së performancës në punë”. Mund shkarkohen nga puna policë të aftë, vetëm se i kanë borxhe OSHEE –së, ndoshta edhe për faktin se kanë revokuar pranë zyrave të Kujdesit për Klientin fatura të kripura, abuzime këto të kompanisë që publikisht i ka njohur edhe vetë kryeministri.
Ndaj, paralajmërimet e tij nga foltorja e Forumit Kundër Korrupsionit janë demagogji e hapur dhe mashtrim i pastër.
E tregoi këtë edhe kur foli për korrupsionin në arsim. Duke përmendur rastin e drejtores së Arsimit në Lushnjë, Luiza Tabakut, tha se të gjithë mësuesit duhet të kalojnë në konkurs. Por a nuk ishte po Rama ai që kishte premtuar konkurs për drejtuesit e Drejtorive Arsimore? Faktet treguan se këto zyra u mbushën me militantë partiakë, siç ishte rasti i Tiranës, ku në krye të drejtorisë u emërua Mimoza Kuqi, e cila në qershorin e 2013 shfaqej në një spot elektoral të Partisë Socialiste.
Kryeministri e quajti si arritje faktin se 4 drejtorë të OSHEE janë pas hekurave dhe premtoi se të tjerë do të shkojnë nëse kapen duke vjedhur. Por tha se ky fenomen do të ndalet vetëm me modernizimin e sistemit, duke anashkaluar sërish mënyrën e emerimeve të këtyre drejtorëve, të cilët, rezultojnë të gjithë militant partiakë, nga Tropoja në Fier.
Kryeministri e shfrytëzoi Forumin Kundër Korrupsionit edhe për të sqaruar arsyet se përse e përdor shpesh fjalën burg kur bëhet fjalë për vjedhjen e energjisë, për ata që nuk paguajnë faturat, për ata që ndërtojnë pa leje, për ata që dëmtojnë pyjet etj. I kritikuar nga opinioni publik për këtë qasje, tha se “në vendet e Bashkimit Europian, përveç Italisë, fjala burg nuk përdoret nga kryeministri, sepse kjo as që diskutohet. Sepse askujt nuk i shkon ndër mend të vjedhë energjinë elektrike dhe të shkojë nesër në punë, të marrë rrogën, të jetë anëtar i sindikatave, të bëjë edhe protestën. Sepse askujt nuk i shkon në mend të kërkojë para për të bërë punën e tij. Sepse askujt nuk i shkon në mend të zërë tokën publike dhe të legalizojë dhe të bëhet edhe pronar”.
Në fakt harron se në burg, ata që kryejnë vepra penale i dërgon drejtësia dhe jo qeveritë. Kjo është edhe arsyeja përse kryeministrat e vendeve të BE –së nuk bëjnë papagallin duke e përdorur fjalën burg në çdo dalje publike, sepse burgun e vendos drejtësia, jo se në vendet ku ata qeverisin nuk ndodhin krime apo fenomene kriminale si trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit apo trafiqe të tjera të paligjshme deri tek trafiku i qenieve njerëzore. Për të mos harruar që BE i ka kërkuar Ramës që të fusë në burg “peshq të mëdhenj”, zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive, por jo punëtorë të mjerë që nuk kanë me çfarë të ushqehen. Kjo është lufta kundër korrupsionit dhe jo pushimi nga puna i të pamundurve, për të cilët Rama u ra tambureve në Konferencën Kundër Korrupsionit. Këtë ia tha në konferencë edhe ambasadori i OSBE –së.