Ministri i Financave, Michael Sarris, tha se “progres domethënës” është arritur gjatë bisedimeve në Nikozi me zyrtarë nga Trojka, Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ai konfirmoi se bisedimet janë përqendruar në një taksë të mundshme prej 25 për qind për depozitat më të mëdha se 100 mijë euro në Bankën e Qipros dhe foli me shpresë se paketa mund të jetë gati për miratim.
Qipro ka afat deri të hënën për të arritur marrëveshje me BE-në, sepse përndryshe Banka Qendrore Europiane do të ndërpresë financimet për bankat e ishullit, gjë që do të sjellë kolaps dhe ndoshta dalje të Qipros nga monedha e përbashkët.
Ekspertët e kanë shumë të vështirë të besojnë atë çfarë thonë zyrtarët e Qipros për shkak të mënyrës kaotike të sjelljes së tyre gjatë javës së fundit. Për shumë ditë, ndërsa bankat qëndronin të mbyllura, zyrtarët e Nikozisë kishin ndërprerë kontaktet me zyrtarët e BE-së dhe nuk morën pjesë në një takim të rëndësishëm.
Bashkimi Europian ndërkohë anuloi një samit BE-Japoni të planifikuar për t’u zhvilluar në Tokio, në mënyrë që të merren me sagën e Qipros.
Qipro ka hyrë në qorrsokak, pasi jetoi si parajsë fiskale pas rënies së komunizmit duke tërhequr në bankat e veta depozitat e klientëve të huaj, kryesisht rusë apo europianolindorë të tjerë, të cilët synonin t’i fshihnin paratë nga autoritetet e vendeve të veta.
Këto para krijuan një sistem bankar disa herë më të madh për nga asetet sesa Prodhimi i Brendshëm Bruto i ishullit, por bankierët këtu preferuan që këto para t’i investojnë më së shumti në Greqi. Me rënien e Greqisë në krizë, bankat e Qipros humbën shumë para dhe u shtetëzuan për të mos lejuar falimentin e tyre. Tashmë është i gjithë shteti i Qipros dhe bankat e saj që rrezikojnë falimentin në rast se nuk marrin kapital shtesë. Bashkimi Europian i ka premtuar t’i japë 10 miliardë euro borxhe të buta, të cilat do të përdoren si kapital shtesë për bankat, por me kushtin që Qipro të gjejë 5.8 miliardë euro të tjera. E vetmja mënyrë që Qipro t’i gjejë këto para është që të taksojë depozitat e vendësve dhe të huajve në sistemin bankar.
Ndërkohë, me gjithë premtimet e qeverisë së Nikozisë se një marrëveshje brenda ishullit “është vetëm disa orë larg”, një deputet tha për median se Parlamenti nuk pritet të mblidhet deri të dielën në darkë, pas takimit të trojkës. Në këtë mënyrë, kriza mund të zgjidhet me të vërtetë në minutën e fundit, ose mund të mos zgjidhet fare.
Taksa mbi depozitat është e paprecedentë deri tani. Vendet e tjera të Eurozonës që kanë marrë ndihma janë detyruar të shkurtojnë shpenzimet dhe të rrisin taksat, por kurrë të mos japin një pjesë të depozitave në banka.
Qipro pati shpresuar të vendosë Rusinë përballë BE-së në konkurrencë me synimin për të marrë kushte më të lehta për paketa shpëtimi, por Rusia bëri të ditur se nuk ka asgjë të vlefshme për t’u blerë në Qipro, ndërsa BE duket e vendosur të mos lëshojë pe, me bindjen se falimenti i ishullit nuk do të ketë pasoja të rënda në pjesën tjetër të Eurozonës.
Udhëheqësit e Qipros nga ana e tyre kanë frikë se vendosja e taksës mbi depozitat nënkupton që ky vend të pushojë së qenë një parajsë e sigurt fiskale. Investitorët pritet të largohen dhe zinxhiri i vendeve të punës në banka, llogarimbajtje etj., për të mos folur për efektin që ka në turizëm ardhja e depozituesve, do të mjaftojë gjithsesi për ta rrënuar ekonominë e ishullit, me apo pa paketë shpëtimi.
Bankat në Qipro kanë 68 miliardë euro depozita nga të cilat 38 miliardë janë në llogari më të mëdha se 100 mijë euro. Kjo është një shifër e stërmadhe për një ishull me vetëm 1.1 milionë banorë.
Ligjvënësit e Qipros vendosën të premten vonë të shtetëzojnë skemën e pensioneve dhe të ndajnë bankat në asete të vlefshme dhe asete të pavlefshme. Ato i dhanë qeverisë të drejtë të imponojë kontrolle mbi flukset e kapitaleve, gjë që do të thotë se investitorët vendës apo të huaj nuk do të kenë të drejtë të transferojnë jashtë vendit depozitat.
Por plani për shtetëzimin e fondeve të pensioneve u kritikua nga Gjermania, e cila bëri të qartë se përdorimi i fondeve të pensioneve do të jetë shumë më i dhimbshëm për qipriotët e zakonshëm sesa taksa mbi depozitat.