Gjeopolitikë e rrezikshme
Ndërsa përpiqet të vendosë Rusinë kundër Europës për të shpëtuar ekonominë e vet, Qipro ka hyrë në një lojë pokeri me dorë shumë të lartë që mund t’i nxjerrë të gjitha palët humbëse.
Bankat e saj janë tronditur nga investimet që kishin në borxhet e Greqisë dhe ishulli ka nevojë urgjente për një mënyrë për të shpëtuar nga falimenti sistemin e vet financiar.
Politikëbërësit në Qipro shpresojnë se mund të fillojnë të nxjerrin para nga një zonë gazmbajtëse detare e pazhvilluar dhe ta pozicionojnë veten si një burim jetësor energjetik për Europën.
Gjithsesi, të ardhura të tilla nuk pritet të jenë reale edhe për shumë vite, ndërsa ëndrra për t’u bërë Katari i Mesdheut Lindor nga viti 2020 mund të shtyjë Qipron të luajë rëndë dorën e vet të letrave tani.
Në ditët e ardhshme, Nikozia mund të zgjedhë mes një oferte europiane për shpëtim që ndëshkon depozituesit – përfshirë qipriotët e zakonshëm dhe investitorët rusë shumë më të pasur – dhe një marrëveshjeje me Moskën, detajet kushtëzuese të së cilës janë ende të panjohura.
Në rastin më të keq, pokeri mund të përfundojë me sistemin qipriot financiar të rrënuar dhe me marrëdhëniet me aleatët e vet më të ngushtë të shkatërruara. Sistemi financiar është kontribuuesi më i madh i ekonomisë së ishullit.
“Qipro ka qenë gjithmonë e komplikuar”, thotë James Ker-Lindsay, një studiues në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe ekspert në konfliktin 50-vjeçar mes qipriotëve grekë dhe atyre turq. “Por sot, vendi është bërë më i komplikuar nga sa ka qenë. Ata janë në telashe. Mund të mos duan të marrin vendime që ata e dinë se duhet t’i marrin”.
Komplikimet shkojnë shumë përtej Qipros. Pamjet e bankave të mbyllura dhe radhëve në automate mund të shkaktojnë panik bankar gjithkund tjetër në Europë, duke kërcënuar stabilitetin e monedhës së përbashkët.
Në sfond, një konflikt i pazgjidhur dhe shumë i gjatë mes qipriotëve grekë në jug dhe qipriotëve turq në veri të ishullit të ndarë, shqetëson pjesën tjetër të rajonit.
Zyrtarët e Qipros greke kanë shpresuar në përshpejtimin e eksplorimit të gazit, gjë që mund t’i nxjerrë nga gropa financiare. Por duke e bërë këtë, ata kanë rritur tensionet me qipriotët turq, të cilët duan një përqasje të përbashkët dhe një pjesë të të ardhurave.
Turqit, grekët, izraelitët dhe fqinjët e tyre, që të gjithë po zbulojnë rezerva potenciale gjatë kufijve të tyre të debatuar. Në Uashington dhe Bruksel ka frikë dhe rritja e tensioneve mes Qipros dhe Turqisë mund të sjellë konfrontime.
“Qipro mund të përcaktojë tonalitetin e marrëdhënieve për pjesën tjetër të Mesdheut Lindor”, thotë Eric Thompson, drejtor i studimeve për çështje strategjike në Qendrën për Analizat Detare, një agjenci e financuar nga qeveria amerikane që këshillon ushtrinë amerikane.
“Kjo është çështja ku kriza financiare dhe çështja e gazit mblidhen së bashku. Dhe është pika kur këto dy çështje bëhen menjëherë të militarizuara”.
Sërish bast për Europën
Deri tani, rreth 200 milionë metra kub gaz natyral me vlerë 80 miliardë dollarë me çmimet e sotme janë zbuluar në një zonë të emërtuar Afërdita në ujërat e Qipros, por sasia e zbuluar nuk është vlerësuar ende në mënyrë të pavarur.
Kjo është një sasi e mjaftueshme për të mbuluar rreth 40 për qind të konsumimit vjetor të gazit në Bashkimin Europian. Qipro shpreson të fillojë eksportimin në vitin 2018, por analistët e energjisë thonë se nxjerrja e gazit do të rezultojë më e shtrenjtë dhe më e ngadaltë nga sa shpreson Nikozia dhe furnizimet nga Qipro mund të vijnë në një kohë të papërshtatshme për ta, sepse në atë kohë besohet se gazi argjilor, (një burim që ka filluar të shfrytëzohet së fundmi), do të jetë me bollëk në Amerikën e Veriut, Rusi dhe madje, edhe në Europë.
Qeveritë e njëpasnjëshme të Qipros i kanë parë lidhjet më të ngushta me Europën si thelbësore në strategjinë e tyre për t’u përballur me Turqinë dhe për të lulëzuar si një lojtar rajonal më i madh.
Duke punuar ngushtë me Izraelin, ata synuan ta shesin gazin e Mesdheut lindor në Europë, ndërsa Europa është e etur t’i shpëtojë varësisë së tepruar nga gazi i Rusisë, pasi ky furnizim konsiderohet politikisht i pasigurt.
Zyrtarët e Qipros thanë se kompanitë europiane qëllimisht u trajtuan me prioritet ndaj atyre aziatike në dhënien e të drejtave të shpimit. Qeveria e sapozgjedhur e Presidentit Nicos Anastiades është shumë e etur të afrohet më shumë me Europën.
Në ofertën e Qipros është edhe aksesi më i lehtë në bazat ushtarake të Qipros për çfarëdolloj operacioni ushtarak europian.
Shumë vende perëndimore e kanë përdorur ishullin si një bazë logjistike në mbështetje të operacioneve në Irak dhe Afganistan. Ish-fuqia koloniale, Britania e Madhe, ruan dy baza sovrane atje por nuk i përdori ato për sulmet ajrore kundër Libisë në vitin 2011, për shkak të opozitës dhe ndjeshmërisë së lartë publike në Qipro.
Bazat janë edhe vende ku përgjohen komunikacionet nëpër Lindje të Mesme, megjithëse satelitët i kanë bërë këto baza më pak të rëndësishme.
Deri të shtunën, kur kushti për taksimin e depozitave nuk ishte bërë publik, shumica e qipriotëve grekë do të shpreheshin për afrim edhe më të madh me Europën. Por pas së shtunës, – kur u pa se edhe depozituesit më të varfër do të humbisnin më shumë se 6 për qind të depozitave të veta – qytetarët e konsideruan këtë kusht si asgjë më mirë se sa një grabitje dhe zemërimi ndaj BE-së dhe Gjermanisë është rritur fuqishëm.
Pasi ka angazhuar miliarda euro për të shpëtuar nga falimenti vende të tjera periferike të Eurozonës, taksapaguesit e Europës Veriore nuk kanë shumë oreks për shpenzime të tjera.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për Qipron, të cilën, ministri sllovak i Financave, Peter Kazimir, e cilësoi si një vend që ka një model biznesi të zbatuar te “taksat e ulëta, një rrjet avokatësh dhe llogaritarësh dhe një seri kompanish të fshehta”.
E shqetësuar për atë që shikohet si një Rusi gjithnjë e më e egër, disa besojnë se Gjermania po shpreson se shpëtimi financiar në këtë mënyrë do të ketë si rrjedhojë edhe reduktimin e ndikimit të Moskës mbi ishull e kudo tjetër në Europë.
Por duke parë çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, gjithsesi pasoja e vërtetë mund të jetë pikërisht e kundërta.
Qipro nuk është ishulli i parë i mbingarkuar me borxhe në Europë që i drejtohet Moskës me shpresë për të marrë ndihmë. Islanda bëri të njëjtën gjë në vitin 2008 ndërsa monedha dhe sistemi i saj bankar shpërthyen, duke zemëruar aleatët, të cilët thanë se një anëtar i NATO-s po përpiqet ta shesë veten tek interesat e Rusisë vetëm një muaj pas luftës së Gjeorgjisë.
Në këtë rast, Rusia nuk kafshoi dhe parapëlqeu t’ia lërë trajtimin e vendit në vështirësi, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian. Gjithsesi Qipro ka lidhje të gjata dhe më të ngushta me Moskën bazuar në interesa biznesi, një antipati e përbashkët ndaj Turqisë dhe fe të njëjtë kristiano-ortodokse.
Çfarë çmimi nga Moska?
Sapo lajmi për kushtet e shpëtimit u publikua të shtunën e kaluar, thashethemet filluan të qarkullojnë duke sugjeruar se Rusia dhe gjiganti i gazit “Gazprom” në veçanti, mund të ofrojnë një marrëveshje alternative. [Të premten u bë e ditur se Rusia nuk ka ndër mend të ofrojë një marrëveshje alternative dhe se bisedimet me Moskën dështuan.]
“Gazprom” i mohoi këto thashetheme. Por shumë teori qarkulluan në Moskë dhe Nikozi, shumë prej tyre komplekse, ku përfshihej shitja e fushave të gazit, bankave qipriote dhe pronave të paluajtshme.
Rusia me siguri mund të jetë joshur nga ideja e kontrollit të gazit të Qipros, gjë që i jep dorë të shtrëngojë kontrollin e vet mbi furnizimin e Europës.
Një marrëdhënie strategjike me Qipron mund ta bëjë më të vështirë për shtetet perëndimore të përdorin bazat e ishullit për çdo aksion ushtarak në Siri dhe madje edhe t’i ofrojnë Kremlinit një port alternativ në Mesdhe në rast se aleati i tyre Bashar al-Asad e humbet luftën civile.
Por nëse një marrëveshje e tillë mund të punojë po aq mirë për Qipron, është një çështje tjetër. E ndaluar për anëtarësim në NATO nga vetoja e Turqisë, ishulli ishte zyrtarisht “asnjanës” gjatë Luftës së Ftohtë por ishte shumë pak i interesuar për t’u transformuar në një satelit të Rusisë.
Një paketë shpëtimi nga Moska mund të zgjidhë krizën bankare aktuale por kontrolli më i madh i Rusisë mbi bankat e Qipros mund të frikësojë pikërisht klientët rusë të ishullit. Shumë para janë dërguar në Qipro pikërisht për të shmangur përdorimin e bankave të pasigurta ruse, zyrtarët e taksave të këtij vendi dhe kontrollin e vetë shtetit rus.
Të ngopur me paketa shpëtimi për vendet e Mesdheut dhe ndoshta të bindur se mund të kufizojnë rënien e Qipros dhe impaktin e rënies brenda ishullit, fuqitë europiane mund të vendosin se atyre u leverdis më shumë që Qipro të falimentojë se sa ta shpëtojnë atë. Qipro përbën vetëm 0.2 për qind të ekonomisë së Eurozonës.
Dhe se sa keq mund të shkojnë gjërat në rast falimenti të Qipros për pjesën tjetër të Europës, mbetet shumë e paqartë.
Më herët këtë javë, një fond investimesh me bazë në Londër e përshkroi paketën e shpëtimit për Qipron si Momenti Franz Ferdinand për Eurozonën, duke e krahasuar atë me vrasjen e arkidukës së Austrisë në Sarajevë më 1914, që solli shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
“Kjo mund të jetë një deklaratë e ekzagjeruar”, deklaroi Fiona Hill, ish-zyrtare e lartë e Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në SHBA dhe tashmë kryetare e Programit për Europën në Institutin Brookings.
“Por është një situatë shumë serioze. Ne shkuam në krevat të premten mbrëma, duke menduar se Eurozona do të mbijetojë dhe u zgjuam të shtunën (pas paketës së shpëtimit) duke vrarë mendjen se si mund t’ia dalë”.