Qosja Aty ku eshte Berisha e Topalli gjithmone do kete ndarje

Qosja: Aty ku eshte Berisha e Topalli, gjithmone do kete ndarje
I kthyer pas tetë vitesh në Tiranë për festimet e 100 vjetorit, akademiku Rexhep Qosja shprehet se aty ku ndodhet kryeministri i Shqipërisë dhe kryetarja e parlamentit, do të ketë gjithmonë përçarje.

“Aty ku janë kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e sotme e Kuvendit, Jozefina Topalli, aty gjithmonë do të ketë ndarje midis politikanëve shqiptarë. Nuk isha në manifestimin në Vlorë që e organizoi kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, as në darkën që në Vlorë shtroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, por dëgjova dhe mësova nga mediat se në to kishte pasur ndarje Vlorë –Tiranë. Kam qenë dhe jam e do të jem kundra  ndarjeve të tilla, pra, të tilla në politikën shqiptare qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë. Jam i vetëdijshëm për dëmin që i kanë sjellë, po i sjellin dhe do t’i sjellin popullit shqiptar ato. Jam i bindur se ndarjet e tilla, në thelbin e vet patriarkal, në të vërtetë primitive, do të tejkalohen atë ditë kur prej politikës shqiptare të “sikteriset” garnitura berishiane e politikanëve”, deklaron Qosja për Shqip.

Përsa i përket zbatimit të protokollit, ai shprehet: “Bujar Nishani disa herë e dëshmoi qartë, plotësisht se patronizmin e tij ndaj kryeministrit Berisha. Këtë e tregoi qartë edhe në zbatimin e protokollit të shtetit gjatë festimeve shtetërore të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë! Po aq qartë sa kryetari i shtetit e shkeli edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Mendja partiake në të vërtetë njëpartiake, ishte mendja që përcaktoi në pjesën më të madhe të rasteve sjelljen e tyre ndaj protokollit të shtetit. Thashë mendja partiake, në të vërtetë njëpartiake, e do të mund të thosha mendja “berishiane”! Mendoni se kë ftuan nëpër darka e në dreka, në përkujtime e përurime, në çmime e në dekorime e do të shihni se ç’rol katastrofal të madh kanë shpërfytyrimi, tejçimi a nënçmimi, mosdurimi a urrejtja njëpartiake ndaj personazheve të protokollit shtetëror”.

Sipas tij, protokolli i kryetares së Kuvendit herë bëhet nga zyra staliniste, herë bëhet nga zyra musoliniste.

Qosja deklaron se i qëndron mendimit të bashkimit Kosovë-Shqipëri, por e konsideron shakanë e tij më të madhe deklaratën e Berishës për Prevezën.

Fjalimet patriotike të kryeministrit Sali Berisha do të studiohen me të njëjtin seriozitet shkencor siç studiohen  komeditë e Molierit, Gogolit dhe të Kristo Floqit tonë”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama