Kështu i komenton akademiku Rexhep Qosja, akuzat që Partia Demokratike dhe vetë kryeministri shqiptar hodhën ndaj bashkëshortes së shefit të opozitës, Edi Rama.
“A e shikuat dhe e dëgjuat zonjën Linda Rama se si ngadalë, qetë, qëndrueshëm, mençur, zemërgjerë, pa pezmin dhe pa mendjeerrësirën e rrokatarëve dhe rrokateshave të kryeministrit, me argument e fundosi politikën e ndotjeve me të cilën kryeministri shqiptar po rrënon vlerat e përtashësisë dhe historisë shqiptare”, sqaron ai.
Qosja shprehet se është në dobi të Shqipërisë largimi i Berishës.
“Dhe si të mos e konsideroj interes kombëtar largimin e Berishës prej politikës shqiptare? E dëgjuat ç’tha Organizata Ndërkombëtare “Freedom House”? Ajo tha: Shqipëria (Kosova dhe Maqedonia) janë të vetmet tre vende në Ballkan dhe, natyrisht në Evropë, gjysmë të lira. Të lira, edhe Mali i Zi, edhe Bosnja e Hercegovina, edhe Serbia, por Shqipëria gjysmë e lirë, gjysmë e lirë, sepse e sundon stalinisti i fundit në Evropë! E dëgjuat ç’tha Banka Botërore? Ajo tha: Rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2012 është 0.5 për qind. E dëgjoni si gënjen kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kur flet për zhvillimin e ekonomik të Shqipërisë? Ai thotë: Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike më të madhe se Gjermania, Franca, Britania e Madhe.
Dhe këtë rritje ekonomike e ka shënuar falë modelit ekonomik që ka shpikur ai! A po dëgjoni çka thonë ekonomistët në Shqipëri? Ata po thonë se Sali Berisha do t’i lërë fëmijët tanë në borxhe, të cilat për shumë dhjetëvjetësha nuk do të arrijnë t’i paguajnë! A po dëgjoni si përgjigjet kryeministri i Shqipërisë? Ai përgjigjet: Gjithë Shqipëria është digjitalizuar prej Vermoshit e në Konispol! A po dëgjoni se ç’thonë emisionet e disa televizioneve shqiptare? Ato thonë se gjysma e shqiptarëve jetojnë ashtu siç jetojnë fshatarët e fshatit Pezë afër Tiranës, që tronditi të gjithë ata që e shikuan? A po shihni se si u përgjigjet kryeministri Sali Berisha këtyre pamjeve rrëqethëse? U përgjigjet duke thënë se i pëlqejnë pjeshkat!”, sqaron akademiku.
Përsa u përket kufijve detarë ai shprehet kështu:
“Kërcënimi i shtetit grek se do të bëjë deklarim të njëanshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për kufijtë detarë është një çështje serioze. Greqia tani e di se në ujërat detarë, që nuk janë nën sovranitetin e saj, ka pasuri të mëdha të naftës e të gazit, prandaj prej asaj pasurie të madhe nxitet të bëjë deklarime të tilla, në thelbin e vet shqetësuese për shtetet që kanë dalje në ato ujëra.
Të shpresojmë se ai deklarim i njëanshëm i Greqisë për kufijtë detarë do të frenohet në OKB-n. Shqipëria me diplomacinë dhe me politikën e saj do të duhej t’i jepte argumente Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ta frenojë deklarimin e njëanshëm të shtetit grek për kufijtë. E në qoftë se, megjithatë, Greqia e bën atë deklarim të njëanshëm, Shqipërisë do t’i dalin disa punë të paparapara politike, diplomatike dhe ekonomike!” deklaron Qosja.
Ndërsa për idenë e kryeministrit për ligë të përbashkët futbolli akademiku thotë se:
“Kryeministri tani para zgjedhjeve po vjedh dhe po rrëmben idetë dhe propozimet që përpara tij kanë paraqitur qoftë Partia Socialiste, qoftë Aleanca Kuq e Zi. Nuk kam ç’them për këtë çështje: ato që duhej të thuheshin i thanë veprimtarët e futbollit në Tiranë dhe në Prishtinë”.
Përsa i përket sjelljes së kokës së Ali Pashë Tepelenës sipas tij: “Në krejt këtë punë rreth kokës së Ali Pashë Tepelenës – kësaj figure të madhe të historisë shqiptare, dhe rivarrosjes së tij sërish i ndarë, koka shkoqur prej trupit, përpos djallëzive që bën kryeministri me qëllim që të korruptojë qoftë edhe tre votues më shumë për partinë e tij në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ka edhe perversitet. Prej tij, deri në 23 qershor, mund të presim që prej Ankarasë a prej Athinës të kërkojë që të lejojnë të sillen në Shqipëri pjesët e lëkurës së pashallarëve shqiptarë të bërë synet kur ishin fëmijë në Stamboll a në Janinë!
Do të ketë çka të kërkojë kryeministri ynë se, siç dihet, prindërit e disa pashallarëve tanë të ardhshëm në Perandorinë Otomane, kur i bënin synet ata, natyrisht si fëmijë, kërkonin që lëkura e pjesës së synetuar të mos hudhej kudoqoftë, po të “varrosej”! Në këtë mënyrë atdhetarizmi i posazgjuar i kryeministrit shqiptar do të mund të dëshmohet edhe me ato pjesë të synetuara të pashallarëve shqiptarë të sjellura në Atdhe në prag të zgjedhjeve! Mos ngurroni: duartrokitje për turbo atdhetarin!”
Sipas Qoses, kryeprokurori Adriatik Llalla duhej të tregohej burrë dhe ta refuzonte detyrën, mandati i Ina Ramës ende nuk kishte mbaruar.