Fjalimi i kryeministrit Edi Rama dje në Beogradin zyrtar, vlerësohet nga Akademiku Rexhep Qosja si historik. Në një intervistë për televizionin A1 REPORT, akademiku Qosja tha se kryeministri Rama foli me gjuhën e ndërkombëtarëve kur tha se Kosova e pavarur është fakt i patjetërsueshëm dhe shtoi se kjo deklaratë ishte ajo që Kosovarët prisnin të dëgjonin prej tij.
“Vizita e kryeminsitrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd ka rëndësi shtetërore, rëndësi shtetërore për Shqipërinë dhe rëndësi shtetërore për Kosovën. Ishte një vizitë me një rëndësi historike sepse është takimi i parë mes liderëve të lartë shqiptarë dhe udhëheqës të lartë të Serbisë pas afro 70 vjetësh.
Në Kosovë kjo vizitë është pritur me interesim të jashtëzakonshëm për shkak të asaj që është dëshiruar, është pritur, është supozuar ta thotë kryeministri Rama, dhe Edi Rama e tha atë që është dëshiruar dhe pritur në Kosovë. Të gjithë faktorët ndërkombëtare, në radhë të parë perëndimorë i thonë Serbisë ta njohë Kosovën, është një çështje e kryer. Nuk mund ta çojmë Kosovën në Australi, ashtu sikur nuk mund të largojmë Serbinë, do jenë fqinjë gjithmonë. Edi Rama e tha këtë që e thonë faktorët ndërkombëtare, për të mirën e Kosovës e gjithë Shqipërisë e Serbisë. Rama e tha në mënyrën më të mençuar, më politike, më intelelktuale, po nuk gjeti përgjigje shtetërore të denjë”, tha Akademiku Rexhep Qosja për A1 REPORT.