A është kjo një mrekulli? Aspak. Që në zanafillën e saj nëna natyrë ua ka falur këtë dhunti të gjithë frymorëve, vetëm se nuk është vërtetuar në kohë që funksionon kështu edhe për ne qeniet njerëzore. Me çështjen në fjalë janë marrë disa studiues të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos. Shkencëtarët kanë zhvilluar edhe një test tepër interesant. Pesëdhjetë e pesë gra duhej t’u nënshtroheshin disa testeve kompjuterike. Ato u urdhëruan të shtireshin si të paedukata. Fitueseve iu kërkua të bënin ndonjë gjest agresiv, si për shembull të shtypnin me forcë disa pulsantë që lëshonin një tingull të fortë e të bezdisshëm, për të parë reagimet e tyre kundrejt rivaleve. Rezultatet flisnin qartë: pulsantët i mbanin shtypur më gjatë gratë që i ushqenin fëmijët me gji. Pas tyre renditeshin vajzat e reja, ndërsa në fund të klasifikimit qëndronin gratë që i ushqenin foshnjat me qumësht artificial.
Nënat që renditeshin të parat në klasifikimin e studiuesve amerikanë treguan se ishin më të vëmendshme, guximtare dhe më të prirura për të ruajtur qetësinë e brendshme. Pra me fjalë të tjera ishin më pak të stresuara se sa nënat e tjera.
Ushqyerja e foshnjës me gji ka shumë avantazhe si për nënën ashtu edhe për beben. Madje jo vetëm kaq, duke përdorur këtë dhunti që u ka falur nëna natyrë mund të kalohen më lehtë edhe simptomat si ankthi që karakterizon muajt e parë të jetës së bebes, shqetësimi fiziologjik për të përballuar një lindje dhe depresioni pas lindjes. Nëse të gjitha nënat e reja do t’i ushqenin foshnjat e tyre me qumësht gjiri, me shumë siguri do të ishin më të qeta shpirtërisht dhe më të kthjellëta mendërisht, cilësi që çdo grua do të dëshironte t’i kishte.
Ushqyerja me gji duhet të përjetohet me qetësi dhe të jetë prioritet për çdo nënë. Por kur kushtet fiziologjike nuk e lejojnë atëherë nuk keni pse të shqetësoni. Momenti i qumështit nuk duhet të shndërrohet në burim ankthi për nënën. Thjesht mendoni se bëhet fjalë për një zgjedhje personale dhe asnjë avantazh nuk e bën të detyrueshme këtë gjë. Ajo që ka vërtet rëndësi është të ndieni kënaqësinë kur shtrëngoni foshnjën tuaj në krahë, duke filluar kështu aventurën e rritjes bashkë.
Qumështi i gjirit është një ushqim i pazëvendësueshëm në jetën e një foshnje, jo vetëm sepse përmes tij krijohet lidhja e parë me botën e jashtme dhe nënën, por edhe sepse përmban veti ushqyese, unike dhe shumë të rëndësishme për rritjen. Për këtë arsye është tepër e rëndësishme që gjatë dhe pas shtatzënisë nëna të ndjekë një regjim të rregullt ushqimor, të ekuilibruar dhe veçanërisht të larmishëm për t’i siguruar organizmit të saj të gjitha ato substanca ushqyese që favorizojnë prodhimin e qumështit. Ideale do të ishte një përzierje mishrash, drithërash, frutash dhe zarzavatesh. Këto të fundit duhet të përdoren me shumicë, sepse janë të pasura me ujë.
Pjesa më e madhe e grave që e kanë provuar këtë eksperiencë, e kotë ta mohojnë, e dinë mirë se ushqyerja me gji është një praktikë tepër e thjeshtë, sidomos në fillim kur lind bebja dhe kur nuk ia arrijnë qëllimit, përballen me pasoja që shpeshherë janë të dhimbshme. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe stresi që shkakton padija se sa qumësht duhet të pijë foshnja, që ndoshta kjo substancë e prodhuar nga trupi amësor nuk mjafton për ta ngopur. Ushqyerja me gji ka shumë avantazhe për shëndetin e një fëmije dhe imunitetin e tij.